Në prani të një numri të vogël të bashkatdhetarëve që po vizitojnë Kosovë, në fshatin Prekaz të Skenderajt, ka filluar aktiviteti tradicional “Ditët e Diasporës”.
Reshjet e shiut por edhe problemet teknike, vonuan fillimin e manifestimit të organizuar nga Ministria e Diasporës në vendlindjen e Adem Jasharit. Megjithatë, pas aktivitetit të quajtur “Një lule për Jasharët”, ku janë bërë homazhe në varrezat e familjes Jashari, manifestimi fillojë me fjalimin e ministrit të Diasporës, Valon Murati, i cili tha se edhe pse Kosova vend i vogël, shumë vende që e kanë të zhvilluar turizmin e kanë lakmi fal diasporës.
Murati: Tërë muajt e verës janë të diasporës
“Andaj tërë muajt e verës, realisht janë të diasporës. Ne si ministri, së bashku edhe me institucionet tjera po përpiqemi që këtyre njerëzve po e gjallërojnë çdo cep të Kosovës, pushimet e tyre të ua zbukurojmë me aktivitete të ndryshme nën moton e njohur “Ti je pjesë e atdheut”. Kulminacion i këtyre aktiviteteve janë 1 dhe 2 gushti, pra është ky aktivitet në këtë mbrëmje të këndshme në Prekaz dhe nesër në Prishtinë. Kështu edhe këtë vit po mblidhemi në Prekaz për të nderuar sakrificën e familjes Jashari, sakrificë që shënjojë një prej momenteve më të përpjekjeve të popullit shqiptar për liri “, tha Murati.
Ai shtoi se Prekazi dhe sakrifica e Jasharajve për liri janë vlera universale, andaj i takojnë mbarë botës dhe njerëzimit.
Murati: Këtu fillojë historia që lirinë tonë e bëri realitet
“Vetëm pak më tutje fillojë historia që lirinë tonë e bëri realitet, por Prekazi nuk është vetëm i Kosovës, as vetëm i shqiptarëve. Prekazi dhe sakrifica e Jasharajve për liri janë vlera universale, andaj i takojnë mbarë botës dhe njerëzimit“, tha ai.
Kurse, koncerti fillojë me orkestrën “Spartiti për Scutari” arbëresh nga Italia, në krye me drejtuesin artistik, shkodranin Bardh Jakova.