Vetëdija shtet formuese e mërgatës së Kosovës në Suedi

Diaspora

Vetëdija shtet formuese e mërgatës së Kosovës në Suedi

Nga: Skënder Zogaj Më: 28 mars 2017 Në ora: 15:57
(Qibrije Hoxha: “Për Kosovën institucionale” publicistikë, Botime Artini, Prishtinë, 2016)

Shqiptarët historikisht i kanë besuar mbamendjes  prandaj, sa herë që kanë pasur nevojë të tregojnë se kush janë, janë detyruar që të pyesin të tjerët, dukë hulumtuar dokumentet nëpër arkiva dhe biblioteka të huaja, lokalitete arkeologjike, trashëgimi kulturore, folklorit dhe kujtesën historike, që janë një rrugë e vështirë dhe shumë e mundimshme, sepse gjithçka është e varur nga vlera e dëshmive që i marrim në trajtim dhe nga mënyra e analizës së tyre, që është e atakuar nga një varg faktorësh dhe ndikimesh hipotetike. Kjo e tregon pra, rëndësinë e jashtëzakonshme të shkrimit, dokumenteve të shkruara, të cilat edhe kur janë fare të thjeshta dhe me përmbajtje modeste, kanë rëndësi të jashtëzakonshme, sepse janë argument konkret, me përmbajtje fiktive dhe qenësi tipizuese, me spektër të caktuar dokumentues të përhershëm dhe me koeficient të lartë e të pandryshueshëm, imponues për pranueshmëri të pa hamendshme si dëshmi, që me plot kuptimin e fjalës është dokument i mirëfilltë.

Dhe, pikërisht një kësi dokumenti na ofron libri publicistik “Për Kosovën institucionale”, i autores Qibrije Hoxha, i sajuar nga ditari dhe shkrime nga arkivi i saj, që kanë të bëjnë me zhvillimet dhe ngjarjet e ndodhura, të evidentuara me shkrim, si pjesë ditari ose si shkresa zyrtare, që pasqyrojnë dëshmi konkrete dhe të plotfuqishme, sepse janë dokumente autentike nga jeta, puna, veprimtaria dhe angazhimet konkrete të komunitetit shqiptar në Suedi, në kuadër të asociacioneve të organizuara nga viti 1990 deri në 1999, që është periudha më e bujshme e përpjekjeve historike të shqiptarëve të Kosovës për çlirimin e vendit dhe institucionalizimin e lirisë dhe të pavarësisë shtetërore të Kosovës.

Për ta kuptuar më mirë dhe më drejtë librin “Për Kosovën institucionale”, le ta kemi parasysh se, autorja, Qibrije Hoxha është kryepersonazhja e veprimeve të shumta e të bujshme atdhetare, në gjiun e mërgimtarëve në Suedi, ku, kjo grua e fortë, hynë spontanisht, për t’u bërë një tribune e vërtetë, në shërbim të vendit  dhe popullit të saj të robëruar. Zonja Hoxha është idealistja pikante e filozofisë politike rugoviane, veprimtare e shquar e Bashkimit të Shoqatave Shqiptare, demokratja më energjike e Lidhjen Demokratike të Kosovës në Suedi, një patriote racionale, e devotshme dhe me vizion modern, që, duke parë zhvillimet e kohës dhe nevojat e veçanta kombëtare, e lë profesionit e inxhinieres dhe i rreket luftës kundër propagandës serbe, e cila në Skandinavi, të vërtetën e shqiptarëve të Kosovës e mbante të mbyllur brenda “kutisë së pandorës”. Qibrije Hoxha dhe bashkëshorti i saj, veprimtarit Reshat Hoxha, janë themeluesit e Shoqatës Kulturore “Iliria”, (maj 1992) dhe dy nga veprimtarët më të vyeshëm dhe zërat më të guximshëm kundër propagandës spekuluese serbe dhe regjimit barbar të millosheviqit, që po dëshironte zhdukjen e shqiptarëve.

Me lëndën e pasur të dokumenteve që prezantohen në katër kapitujt e librit “Për Kosovën institucionale”, autorja pasqyron “të vërtetën e angazhimit të mërgimtarëve në Suedi”, në mënyrë fiktive, përmes dokumenteve që ndriçojnë sasinë dhe cilësinë e zhvillimeve të shumta dhe angazhimeve vetëmohuese të mërgimtarëve: ngjarjet, organizatorët dhe bartësit e tyre, format dhe përbërjet e organizimeve, vendimet dhe efektin e vendimeve të miratuara, pra, gjithë manifestin e përpjekjeve të kosovarëve, që në Suedi, më shumë se për bukën e gojës, janë angazhuar për ta ndihmuar atdheun e tyre të robëruar.

Përmbajtja e librit “Për Kosovën institucionale” është realizuar nga shënimet e nxjerra nga ditari dhe arkivi personal i autores Qibrije Hoxha, e cila tregon se në fillim të viteve 1990, në Suedi kanë emigruar rreth 50.000 shqiptarë nga Kosova, të ikur nga dhuna e egër serbe, që marrin botën në sy shtigjeve krejt të panjohura, për të arritur në Suedinë e largët, e cila ndonëse vend i akullnajave, hallexhinjve nga Kosova u ofron mirëpritje të ngrohtë. Inxhinierja Qibrije Hoxha, 34 vjeçe, me bashkëshortin Reshatin 37 vjeç dhe dy fëmijët e tyre, Kaltrinën 6 vjeçe dhe Shpatin 3 vjeç, në vendin e ri përfitojnë strehim dhe kushte të mira jete, por, kjo nuk u mjafton, sepse lajmet që vijnë nga Kosova janë të hidhura, prandaj, nuk mund të rrinte duarkryq. Një telefonatë që u vjen nga Ismail Rugova, sekretari i Bashkimit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, ndryshon gjithçka në familjen Hoxha duke shënuar kthesën vendimtare për Qibrijen, së cilës i ngarkohet detyra për ndërlidhje dhe komunikim me bashkatdhetarët, me qëllim të informimit të  tyre për ngjarjet në Kosovë dhe mobilizimit për të ndihmuar Kosovën. Kjo nevojë shtrohet sidomos pas daljes në skenë të LDK-s, në krye me dr. Ibrahim Rugovën, që ngroh zemrat e kosovarëve në Suedi, e ndër ta, edhe të Qibrije Hoxhës, e cila me përkushtim angazhohet për formimin e nëndegëve të LDK-s dhe të komisioneve rajonale të Fondit të 3 % të Republikës së Kosovës në Suedi.

Dokumenti i parë në këtë libër është letër Protesta e refugjatëve kosovarë të kampit në Valdemarsvik, që më 14.10 1990 ia drejtojnë Entit shtetëror për refugjatë dhe Qeverisë së Suedisë, që i informojnë për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Kosovë, duke kërkuar mirëkuptim më të madh për strehimin e refugjatëve kosovar, sepse kthimi prapa i tyre mund të ishte tragjik për ta. Shkresa ka ndikim pozitiv tek institucionet suedeze që fillojnë të tregojnë mirëkuptim më të madh për hallet e tyre. Kthesa fuqizohet edhe më shumë kur Presidenti Rugova viziton Suedinë dhe çështja e Kosovës merr mirëkuptimin e plot të Qeverisë së këtij vendi.

Në kapitullin e parë të librit lexuesi gjen dokumente me vlerë për Regjistrimin e  shqiptarëve në Suedi dhe mbledhjen e ndihmave për Fondin Gjithëkombëtar, që kanë vështirësi, por, realizohen me sukses në sajë të veprimtarëve të palodhshëm që punojnë natë e ditë e me çdo njeri veç e veç. Ndërkaq, kapitulli i dytë ka të bëjë me LDK-n, e cila ndonëse shfaqet si parti, në fakt është një lëvizje gjithë popullore, brenda së cilës bashkëveprojnë edhe të gjitha partitë e tjera shqiptare të Kosovës, që kanë vetëm një synim: çlirimin e vendit. Në kapitullin e tretë, autorja Hoxha flet dhe i dokumenton sfidat dhe ngjarjet e kohës, përmes një fondi shumë të pasur dokumentesh origjinale, nga më të ndryshmet, në shqip e suedisht, që shoqërohen me shpjegime të shkurta e të sakta, vetëm sa për të sqaruar kushtet, rrethanat dhe emrat e njerëzve meritor, që janë personazhet reale te të kësaj lënde dokumentare me rëndësi historike. Njoftimet, raportet, informatat, ftesat zyrtare, letrat zyrtare, telegramet, fjalimet, pjesët e ditarit, pjesët e gazetave, reagime  dhe sidomos procesverbalet e panumërta, përmbajnë lëndën kryesore të librit dhe janë me shumë interes për hulumtuesit dhe studiuesit që duan të informohen e ngjarjeve të kohës, dhe rolin e refugjatëve të Kosovës në strehuar në Suedi nga viti 1991-1999, kur Kosova çlirohet dhe realizohet ëndrra e të gjithë shqiptarëve për Republikën e Kosovës institucionale. Recensenti i librit, Halit Muharremi konstaton se libri përmban dokumentacione për të cilat opinioni nuk ka njohuri, e në anën tjetër – ky libër dëshmon se mërgata shqiptarë në Suedi, duke i koordinuar aktivitetet e saj me qendrat e vendosjes në trojet shqiptare, ka treguar vetëdije shtet formuese, ka treguar respekt për institucionet e zgjedhura të popullit dhe ka qenë zëdhënëse e filozofisë politike të Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova.

Kapitullin e katërt e përbën një album i fotografive të zgjedhura që ilustrojnë rrugëtimin e autores dhe e të gjithë refugjatëve veprimtarë në Suedi, të angazhuar në betejën e vështirë por të lavdishme për realizimin e idealeve liridashëse dhe kurorëzimin e Kosovës institucionale – shtet i lirë dhe i pavarur, ku, autorja dhe bashkëshorti i saj, Reshati, kanë investuar kohën me të mirë të jetës së tyre, prandaj, i përkasin atdhetarisë së pastër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat