Mësues nga Suedia në vizitë trojeve shqiptare

Diaspora

Mësues nga Suedia në vizitë trojeve shqiptare

Më: 16 prill 2017 Në ora: 19:51
Kryeqyteti i Kosoves, Prishtina

Sikurse në të gjitha shkollat fillore e të mesme të Suedisë, ku krahas mësimit të rregullt, nxënësit me prejardhje josuedeze janë të përfshirë në mësimin plotësues në gjuhën e tyre amtare, kjo ndodh edhe në shkollat e komunës së Kristianstadit. Në këtë lloj mësimi që është i rregulluar me ligj, përfshihen edhe nxënësit me preardhje shqiptare.

Duke shfrytëzuar pushimin me rastin e festës së pashkëve, mësuesit që janë të angazhuar në mësimin plotësues në gjuhë të ndryshme amtare, në shkollat e komunës së Kristianstadit, këto ditë kanë pasur vizitë pune në trojet shqiptare.

Mësuesi Sylejman Berisha, thotë se bashkë me kolegët tjerë gjatë qëndrimit disa ditor në Kosovë dhe në Shqipëri, fillimisht ata janë ndalur në kryeqendrën e Kosovës, Prishtinën. Pastaj sipas agjendës së ngjeshur, ata kanë vizituar disa shkolla, disa institucione arsimore dhe monumentet kulturo-historike anë e mbanë Kosovës.

Mësuesit nga Suedia kanë vizituar edhe kryeqendrën e Shqipërisë, Tiranën dhe kanë vazhduar deri në jug të vendit duke qëndruar ca kohë edhe në Sarandë.

Edhe në Shqipëri, thotë mësuesi Sylejman, kemi vizituar institucionet arsimore si dhe pikat më atraktive kulturore dhe historike.

Vizitat në trojet shqiptare ishin një projekt i përbashkët i instititucioneve arsimore të Suedisë dhe të Kosovës, natyrisht i mbështetur edhe nga komuna e Kristianstadit. Qëllimi i tij ishte që mësuesit nga Suedia të shkëmbejnë përvojat e tyre gjatë punës me nxënës dhe njohja me vendin e prejardhjes së fëmijëve shqiptarë që ndjekin mësimin parashkollor, fillor dhe të mesëm në shkollat e Suedisë.

Shkëmbimi i vizitave studimore mes mësuesve nga Kosova dhe Suedia do të bëhet edhe në të ardhmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat