Hapet ekspozita "Takime Shqiptare"

Diaspora

Hapet ekspozita "Takime Shqiptare"

Më: 21 prill 2017 Në ora: 12:28
Ekspozita "Takime Shqiptare"

“Takime Shqiptare” quhet ekspozita e skulptorit Destan Gashi dhe piktores Barbara Gashi, e hapur mbrëmë në hapësirat e Ambasadës së Kosovës në Austri.

Ky cikël skulpturash mermeri të realizuara kohës së fundit nga artisti i njohur Destan Gashi prezantojnë femrën shqiptare me kostume tradicionale nga rajoni i Hasit. 

Ambasadori Sami Ukelli, i cili bëri hapjen e ekspozitës tha që është kënaqësi që kemi artistë të tillë si Destan dhe Barbara Gashi.

“Sot po prezantojmë veprat e dy artistëve të veçantë, të cilat janë gjatë në art dhe jam i lumtur që pranuan ftesën tonë për të prezantuar punën e tyre këtu” tha ambasadori Ukelli.  

Një nënë duke i dhënë gji foshnjës në djep, vajza hasiane duke bartur ujin veshur me kostumet e tyre tradiconale, janë vetëm disa prej skulpturave që duken jashtëzakonisht reale dhe pasqyrojnë fuqinë dhe bukurinë e femrës së dikurshme shqiptare.

Këto skulptura janë realizuar në gurë të fortë mermeri të marrë në Kosovë dhe Austri.

“Duke i krijuar këto skulptura kam qenë jashtëzakonisht i motivuar. Nuk mund të ndalesha. Guri i përzgjedhur është tepër i fortë mirëpo me dashuri të madhe dhe vendosmëri është gdhendur” ka thënë skulptori. 

Krahas skulpturave u ekspozuan dhe pikturat e Barbara Gashit.

“Ju po e shihni këtu një lojë skulpturash dhe pikturash që e plotësojnë njëra – tjetrën sikur ne të dy që e kompletojmë njëri – tjetrin” tha piktorja Gashi e cila është partnere në jetë dhe krijimtari të Destan Gashit.

Të pranishëm në hapje të ekspozitës ishin përfaqësues të ambasadave të huaja në Austri, përfaqësues të komunitetit shqiptarë në Vjenë dhe adhurues të artit nga komuniteti diplomatik internacional dhe austriak.

Ekspozita do të qëndroj e hapur nga 21 prilli deri më 10 maj.

Çdo ditë nga ora 14 deri 16 aty do të mund ti takoni artistët Destan dhe Barbara Gashi.

Kjo ekspozitë do të hap një cikël eventesh kulturore që Ambasada e Kosovës në Austri do të organizoj.

Zana Rugova, sekretare e parë në Ambasadë njoftoj se këto evente planifikohet të ndodhin çdo dy muaj dhe do të prezantojnë artin dhe krijimtarinë e krijuesve shqiptarë për vendasit dhe të tjerët që janë të interesuar për kulturën tonë.

Shteti austriak është shtëpia e një numri të konsiderueshëm të artistëve shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria.

Image
Ekspozita "Takime Shqiptare"
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat