Takim i përzemërt me konsullin e nderit të Shqipërisë në Zelandën e Re - Bota Sot
Takim i përzemërt me konsullin e nderit të Shqipërisë në Zelandën e Re

Diaspora

E shtunë, 26 maj 2018

Takim i përzemërt me konsullin e nderit të Shqipërisë në Zelandën e Re

Nga: Sabit Abdyli Më: 5 shkurt 2018 Në ora: 08:20
Sabit Abdyli

Në mbrëmjen e 3 shkurtit 2018 unë me gruan ishim në darkë në shtëpinë e Agimit e Fluturës, ku ishin të ftuar edhe Dr. Tane Taylor i lindur në Zelandën e Re, konsull nderi i Republikës së Shqipërisë në Zelandën e Re me të shoqen  Loreta Leka shqiptare nga Tirana.

Gjithë mbrëmjen e kaluam në bisedim të përzemërt e të këndshëm për të tashmen e të kaluarën, shkollën, edukatën e familjen, problemet e kohës etj.   Dr.Tane Taylor diku mbi moshën 50 vjeçe i mbajtur mirë, shtatë lart dhe me gjitha  tiparet e karakterin e burrave më të mirë të popullit autokton në Zelandën e Re më fascinoi me shqipen e tij të rrjedhshme, njohjet me themel  të gjithçkaje që ka të bëj me shqiptarët dhe humorin e shëndosh.

Po aq e përzemërt dhe e dashur ishte edhe bashkëshortja e tij Loreta, mësuese me profesion.  "Babai im, nisi rrëfimin Tane, si adhurues i  komunizmit bashkë me  familjen (në vitin 1967) u mirëpritëm në Shqipëri. Shkuam  për dy-tri vjet e mbetëm me dekada. Si fëmijë shpejt u ambientova me mjedisin e ri, shpejt mësova gjuhën, lojërat etj.. Atje kreva, shkollën fillore, të mesmen, fakultetin e  mjekësisë dhe specializova.

Pas martesës me Loreten dhe ardhjes në jetë të gocës së madhe kërkova të kthehem në Zelandën e Re. Pas shumë peripecive arrita  të marr lejen për Loretën sepse sipas ligjeve në fuqi Loreta duhej të hiqte shtetësinë shqiptare përpara se ti jepej leje për tu larguar nga Shqipëria. Në ambasadën italiane në Tiranë morëm një  dokument udhëtimi deri në Romë dhe sa mbërrimë në kryeqytetin italian në ambasadën e Zelandës së Re  na lëshuan dokumente udhëtimi për gruan e të bijën. Në vitin 1987 në qytetin metropol të Auckland-it filluam jetën nga e para.

Dhashë provimet  plotësuese  dhe fillova punën në profesionin për të cilin isha përgatitur. Kemi tri goca  dhe bëjmë  jetë komfort standardeve të kohës.  Jam mirënjohës Shqipërisë, vazhdoi gjithë qejf  Dr. Tane, për këto që kam arritur në jetë. Nga Tirana kam kujtime të bukura, atje  kalova kohën më impresive të jetës, atje  shkoj sa herë kam mundësi. Që nga viti 2014 jam konsull nderi i Shqipërisë në Zelandën e Re dhe bëj gjithçka që është e mundur për prosperitetin e lidhjet sa më të afërta të dy popujve aq të dashur për mua, shqiptarëve e zelandezëve.

Ndihem i detyruar ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar se falë eksperiencës se fituar në Shqipëri  arrita  sukseset dhe statusin që  gëzoj sot"- përfundoi ai. Në fund më duhet të përmend angazhimet dhe punën e madhe e të suksesshme të dr. Tane gjatë dhjetë vjetëve të fundit në  aplikimin e standardeve cilësore në fushën  e mjekësisë parësore në Shqipëri. 

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test