Një mërgimtar tash e dy vjet nuk mund të vijë në Kosovë. Kjo për shkak të një përleshjeje që e kishte bërë me disa zyrtarë policorë. Por, Nexhat Rexhepi nga Austria po mundohet që të gjejë zgjidhje e përsëri të vizitojë vendlindjen. E prezencën e Nexhatit e kishte kërkuar disa herë në shtëpinë në Kosovë, policia e vendit.
Ishte nisur për të vizituar Kosovën ashtu si çdo vit tjetër. Gjithçka ndryshoi për mërgimtarin Nexhat Rexhepi gjatë kalimit në pikën kufitare Dheu i Bardhë.
Një vit më parë, ai pati një mosmarrëveshje me policinë, pas të cilës u dënua me 2 javë burg shtëpiak.
Nexhati pretendon se është rrahur nga katër policë në prani të fëmijëve e gruas.
Për këtë rast, pas ngritjes së aktakuzës atij i ka humbur besimi në organet e drejtësisë.
Kështu ka vendosur, deri të gjejë një zgjidhje tjetër të mos vijë në Kosovë.
Këtë është duke e përjetuar rëndë nëna e Nexhatit, e cila ka mbetur e vetme në shtëpi.
Ajo së fundmi ka marrë edhe thirrjen për paraqitje në gjykatë për djalin, e thotë se disa herë policia i ka kontrolluar shtëpinë.
Në aktakuzën të cilën e ka siguruar T7, shkruhet se ekziston dyshim i bazuar mirë, për veprën penale sulm ndaj personit zyrtarë në kryerje te detyrës.
Sipas aktakuzës, gjatë arrestimit, i dyshuari edhe e kishte lënduar njërin nga zyrtarët policor.
Mirëpo, Nexhati nga Austria ka lajmëruar rastin te të gjithë ata që sipas tij mund të i bëjnë zgjidhje.
Një gjë të tillë e ka bërë edhe në Inspektoratin e Policisë së Kosovës.
Nga IPK thanë për T7, se tashmë kanë intervistuar disa persona, mirëpo, nuk kanë marrë masa ndaj policëve të dyshuar.
Tashmë shpresë e vetme, që do t’ia mundësojë të vijë në vendlindje kanë mbetur ministritë e ambasadat ku ka lajmëruar rastin, e nga të cilat pret zgjidhje.