“Bajko bëri një gjetje me Banon”, rrëfimi i gazetarit sportiv Lirim Zalla: Si e filmuam fitoren mes kaosit moldav

Dokumentare

“Bajko bëri një gjetje me Banon”, rrëfimi i gazetarit sportiv Lirim Zalla: Si e filmuam fitoren mes kaosit moldav

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 10:18
Foto ilustrim

Më 7 qershor 1995, në Kishinau të Moldavisë, Kombëtarja shqiptare e drejtuar nga Neptun Bajko, merrte fitoren e parë jashtë fushe në historinë e saj gjatë një edicion eliminator të vlefshëm për kualifikueset e Europianit 1996, që u zhvillua në Angli dhe në fund u fitua nga Gjermania. Kuqezinjtë triumfuan 2-3 në “Republican Stadium” të kryeqytetit moldav, ndërsa ishin pjesë e grupit 7, ku e mbyllën të fundit në renditje me kundërshtarë si Gjermania, Bullgaria, Gjeorgjia, Moldavia dhe Uellsi.

28 vite më parë ishte shumë i vështirë transmetimi i ndeshjeve në Televizionin Publik Shqiptar, kur Kombëtarja luante në transfertë. Megjithatë, gazetarët dhe operatorët e kohës në TVSH, gjenin mënyra për të filmuar ndeshjen dhe për të përcjellë më pas te tifozët, emocionet që të jep ekipi kuqezi.

Si për ironi të fatit, Moldavi-Shqipëri 2-3, është nga ato ndeshje që tifozët shqiptarë nuk e kanë ndjekur dot në ditën që është zhvilluar, por kanë pritur 24 orë për të parë pamjet filmike të triumfit historik.

Dje, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, gazetari i njohur sportiv, Lirim Zalla, tregon detaje të pathëna nga ndeshja në Moldavi, si dëshmitar i asaj që ndodhi në stadium, në një kohë që sot, 28 vite më pas, kuqezinjtë luajnë në Kishinau për një “biletë” kualifikimi. Kohët kanë ndryshuar shumë, por Zalla kujton vuajtjet e asaj periudhe, ku kuqezinjtë e kishin të vështirë edhe për të udhëtuar, e jo më të mendohej që të jepej ndeshja direkt në “TVSH” nga Moldavia.

Si e transmetuat më pas për tifozët shqiptarë?

Në ditën e ndeshjes nuk ka pasur pamje filmike që televizioni të kishte mundësi të bënte një kronikë për atë fitore. U luajt në një orar pasditeje, ku u errësua vetëm pas përfundimit të ndeshjes. Për fat të mirë, ne u kthyem shpejt në Tiranë, sepse ishim me çarter dhe më pas ndeshja u transmetua e plotë të nesërmen në TVSH.

Ishte një kënaqësi më vete, sepse të mendosh morëm fitoren e parë jashtë fushe. Festa në dhomat e zhveshjes ka qenë e çmendur dhe operatori Agovi ka filmuar gjithçka.

Normalisht, si gazetar sportiv dhe pranë ekipit, për një gjë isha i kënaqur më tepër, që nga këto vendet lindore, Moldavia, në atë kohë ishte poshtë nesh në kuptimin e nivelit të jetesës apo infrastrukturës. Presidenti Spaho qëndroi pak muaj në krye të FSHF-së, por pas ndeshjes në Moldavi, mori një vendim unik për kohën.

Cili ishte vendimi?

Për herë të parë FSHF vendosi që t’u jepte një premio speciale lojtarëve për këtë fitore, pasi natyrisht ishte historike. Merita më e madhe për ndërtimin e asaj skuadre ishte e Neptun Bajkos.

Ishte një trajner inteligjent dhe shumë komunikues me lojtarët. Dinte si t’i përgatiste ata për të shkuar te suksesi. Gjëja më fantastike në këtë ekip ishte që luajti Artan Bano si mbrojtës i majtë, duke bërë një ndeshje shumë dinjitoze.

Risi ishte fakti sepse ai vinte nga Kategoria e Dytë, sepse në atë sezon Lushnja nuk ishte pjesë e elitës. Bano e përjetoi më shumë nga të gjithë, pasi u bë protagonist në fitoren e Kombëtares i ardhur nga Kategoria e Dytë, që ishte diçka e rrallë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat