“Ore Mehmet, gruaja e djalit tënd bën k*rvëri, me të huajt”- Zbardhet biseda e Enver Hoxhës me ish-kryeministrin Shehu: I kam thënë tim biri, por…

Dokumentare

“Ore Mehmet, gruaja e djalit tënd bën k*rvëri, me të huajt”- Zbardhet biseda e Enver Hoxhës me ish-kryeministrin Shehu: I kam thënë tim biri, por…

Nga: Maksim Boriçi Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 13:46
Familjet Hoxha dhe Shehu në fejesën e Silva Turdit me djalin e Mehmetit

Plenumi i V i Komitetit Qëndror të Partisë i mbajtur në tetor të vitit 1982, njihet ndryshe dhe si plenumi që kryqëzoi Kadri Hazbiun, asokohe anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Mbrojtjes. I vënë në syrin e ciklonit nga kupola e Partisë dhe Enver Hoxha, si një nga bashkëpunëtorët e afërt të Mehmet Shehut, të shpallur pas vetvrasjes së mistershme poliagjent, Kadri Hazbiu u përjashtua nga Partia dhe u shkarkua nga detyra e minstrit të Mbrojtjes për t’u arrestuar pak ditë më vonë.

Në vijim të punimeve, forumi i lartë i Partisë u fokusua për orë të tëra në aktivitetin e disa prej shtamadhorëve të lartë të ushrisë, të akuzuar tashmë si pinjollë të ish-kryeministrit të vetvrarë, me të cilin kishin pasur raporte të fshehta përtej atyre që ua diktonte detyra. I pari që është bërë objekt goditje ka qënë Veli Llaka deri në atë kohë shef i Shtabit të Përgjithshëm, i cili akuzohej se bashkë me Nazar Berberin, zëvëndësministër i Mbrojtjes, i kishin çuar në shtëpi iventarin e municioneve luftarake që posedonte ushtria.

E ndërsa Veli Llaka mohon çdo kontakt të fshehtë me Mehmet Shehun, Nazar Berberi pranon se para ngjarjes së dhjetorit ’81, është ftuar nga Mehmet Shehu në shtëpi dhe ka shkuar aty ku ka konsumuar vetëm një bisedë që kishte të bënte me nusen e djalit të kryemministrit, e cila përflitej se kishte raporte intime me një të huaj. Enver Hoxha po dhe të tjerët nuk e pranojnë temën e bisedës dhe këmbëngulin se në atë vizitë në shtëpi zëvëndësministri i Mrojtjes i ka çuar tabelën me inventarët e municioneve luftarake. Për çaste të tëra, Berberi përgjërohet se ka qënë mysafir te Mehemt Shehu vetëm për prapsitë e nuses së djalit të tij.

Aty për aty, Enver Hoxha e quan të pavend interesimin e Mehmetit te Berberi dhe argumenton sakaq se me Mehmetin ka folur vet sy më sy për çështjen e nuses së djalit që kurvëron me të huajt. E ka përforcuar mandej këtë Hekuran Isai, ministri i Brendshëm që ka pohuar para kolegëve se Mehmet Shehu ia krijonte vet këto raporte nuses së djalit në funksion të misionit të tij agjenturor. Po si kanë vazhduar më tej debatet mes drejtuesëve të lartë të partisë për çështjen në fjalë…

DOKUMENTI

PROCESVERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982

ENVER HOXHA: Drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes kanë mbajtur raporte të fshehta me Mehmet Shehun në kohën kur atë e kritikuam rëndë në Byro. Bile, ka informacione se i dërgonin edhe dokumete sekrete në shtëpi. Po, po. I kanë dërguar dhe këtë dokumentin e fundit..

VELI LLAKAJ: Kë?

RAMIZ ALIA: Atë dokumentin e municioneve.

VELI LLAKAJ: Jo, nuk e ka.

ENVER HOXHA: E kam vetëm unë dhe ministri i Mbrojtjes Popullore.

VELI LLAKAJ: Ju dhe ministri i Mbrojtjes.

ENVER HOXHA: Atëherë pse ia çove ti Mehmet Shehut?

VELI LLAKAJ: Jo, nuk ia kam çuar unë.

ENVER HOXHA: Nuk të them ty, i them Nazarit.

VELI LLAKAJ: Nuk ia ka çuar, ai më tha mua në fillim se i çova tabelën pastaj më tha që jo, “ia raportova me gojë, se i mbaja mend”.

RAMIZ ALIA: Po njësoj nuk është?!

ENVER HOXHA: Njësoj është. Ali Hoxha, Hoxhë Aliu. Ngrehu ti Nazar e na fol.

NAZAR BERBERI: Shoku Enver, për tabela municioni, për gjëra të tilla nuk kemi bërë fjalë. Nuk kam folur asnjë fjalë për tabela.

ENVER HOXHA: Po pse shpif Veliu?!

NAZAR BERBERI: Për tabela municioni, nuk është bërë fjalë fare dhe as më ka pyetur njeri për tabelën e skalionimit të municionit. Le që unë mund t’i mbaj mend, në qoftë se më kërkohej, unë do kërkoja t’i merrja nga Shtabi i Përgjithshëm, po nuk u bë fjalë për tabela municioni.

MUHO ASLLANI: Po pse ia thatë Veliut?

NAZAR BERBERI: Jo, për tabelë skalionimi të municioneve nuk i kam thënë.

ENVER HOXHA: Po ç’i ke thënë?

NAZAR BERBERI: Atë ditë para se të vija te Mehmet She hu i kam thënë Veliut që nuk e di përse më do Mehmet Shehu, se vija nga Gjadri, mos më do për ndonjë tabelë a për gjë për municionin? E kam shprehur kot, po nuk kam thënë gjë.

ENVER HOXHA: A nuk e dije?!

SIMON STEFANI: Si “kot” e ke shprehur?

NAZAR BERBERI: Jo, nuk është bërë fjalë fare për tabelë municioni dhe as më ka kërkuar një gjë të tillë.

HARILLA PAPAJORGJI: Po pse the tabelë municioni?

NAZAR BERBERI: Jo, nuk kam thënë, s’është bërë fjalë fare për tabelë dhe as më ka kërkuar njeri. Po të më kërkohej unë do kërkoja patjetër të merrja në Ministri se nuk mund t’i mbaj mend ato të dhëna.

ENVER HOXHA: Po pse vajte te Mehmet Shehu?

NAZAR BERBERI: Ai më ka pyetur, shoku Enver, për atë që thashë, nëse kisha qenë në hotel “Tirana”, në kafe. I thashë: Kam qenë. Me kë ishe? – më pyeti. I thashë që isha bashkë me gruan. Vetëm këtë më pyeti, shoku Enver.

ENVER HOXHA: Po për këtë gjë ti na ke thënë se të mori në telefon.

RAMIZ ALIA: Kështu ke thënë: “më mori në telefon”.

NAZAR BERBERI: Po. Kadri Hazbiut kështu i kam thënë: më mori Mehmet Shehu në telefon.

RAMIZ ALIA: Po.

NAZAR BERBERI: Ai më ka marrë e më ka pyetur për këtë që thashë.

ENVER HOXHA: Të ka pyetur në telefon? Nuk të ka thirrur në shtëpi?

NAZAR BERBERI: Po, më ka thirrur, shoku Enver. Hajde këtu, më tha ta sqarojmë se është një problem familjar.

ENVER HOXHA: Po ti e sqarove në telefon, i the që ti nuk dije gjë.

NAZAR BERBERI: Jo, nuk e sqarova dot në telefon, nuk e zgjati bisedën në telefon.

ENVER HOXHA: Po sikur ishim atje ne dhe të dëgjuam ty!

NAZAR BERBERI: Unë isha në zyrë dhe atje kisha dhe njerëz të tjerë në atë kohë.

ENVER HOXHA: Ti na the që të pyeti “në telefon” dhe pastaj na thua: vajte në shtëpi.

NAZAR BERBERI: Vetëm kaq, shoku Enver.

ENVER HOXHA: Ti i the me gojë Veliut që Mehmet Shehu të pyeti për tabelën e skalionimit të municioneve.

NAZAR BERBERI: Jo, shoku Enver, për municione nuk më pyeti.

ENVER HOXHA: Mirë.

HEKURAN ISAI: Mehmet Shehu ishte ai që udhëzonte vetë nusen e djalit të vinte të takonte jo vetëm atë francezin po t’i takonte edhe të tjerë gjetkë, e gjetkë e gjetkë. Nuk kishte ai nevojë të vërtetonte, (se u shqetësua shumë ai nëse u takua nusja me francezët apo nuk u takua!).

NAZAR BERBERI: Dakord.

HEKURAN ISAI: Ky ishte preteksti që ti të vije në shtëpi. Tani çfarë muhabeti është bërë atje, këtë kërkon plenumi. Nuk ishte çështja për nusen e djalit, se ti e ke marrë vesh tani si e përdorte ai nusen e djalit, pra, nuk kish pse të shqetësohej, se u takua nusja e djalit me francezët?!

NAZAR BERBERI: Shoku Hekuran, ai më tha kështu: Më thanë se kam informacion se ke qenë ti në kafen e hotel “Tiranës”. Kam qenë, – i thashë. Ke pirë kafe? – më pyeti. Po, kam pirë, – i thashë. Ke parë gjë nusen e djalit tim atje? – më pyeti. Unë nuk e njoh, – i thashë dhe nuk kam parë njeri. Vetëm kaq dhe e kemi mbyllur bisedën. Lidhur me detyrën për tanket, unë nuk i kam pasur në vartësi tanket. Për armët e tjera si për aviacionin, flotën, mbrojtjen kundërajrore, ato i di, i njoh, po për tanket nuk më ka dhënë ndonjë porosi.

RAMIZ ALIA: Po për ato që ke pasur ti në varësi, të ka thënë gjë? HAKI TOSKA: Po për këto armët në formë bastuni, di gjë ti?

NAZAR BERBERI: Nuk e di atë.

HAKI TOSKA: Ti i ke në varësi uzinat që kanë prodhuar këto armë?

NAZAR BERBERI: Unë nuk di gjë për përgatitjen e armës bastun.

HAKI TOSKA: Ti e mbulon drejtorinë që i ka uzinat ushtarake?

NAZAR BERBERI: Drejtoria e armatimit i ka ato, po unë pothuaj nuk e di problemin e prodhimit të këtyre armëve.

RAMIZ ALIA: Si “pothuaj” nuk e di?!

NAZAR BERBERI: Jo, jo.

ALI VUKATANA: Drejtoria e Armatimit nuk bën asnjë veprim pa lejen e zëvendësministrit që e mbulon këtë drejtori.

RAMIZ ALIA: Po, ashtu është.

ALI VUKATANA: Prandaj, Nazari duhet të dijë për këtë

ENVER HOXHA: Domethënë, nuk mund të vejë kush të dojë në uzinë dhe të porosisë armë.

NAZAR BERBERI: Për prodhimin e armës bastun, unë po e them që nuk di gjë fare. Këtë çështje e kam marrë vesh tani vonë, kur më tha shoku Ali.

XHEMAL DYMYLJA: Këta askurrkund “nuk kanë qenë”, po në shtëpi të Mehmet Shehut kanë qenë dhe për Mehmet Shehun gjithkund kanë qenë. Dhe logjika më e thjeshtë, e thotë se tërë këto janë përralla me mbret! Një çikë më ashtu, mor Nazar, thuaj që këto i bëra!

ENVER HALILI: Atë që tha shoku Hekuran, të na e thotë shqip. Shoku Hekuran i tha: ne të tërë e dimë çfarë bënte Mehmet Shehu me nusen e me djemtë, tani të tërë e morëm vesh zyrtarisht pra, dhe ti e di që nuk të thirri për atë.

ENVER HOXHA: Po pse të vinte të kërkonte nga Nazar Berberi, nëse e kishte parë nusen e djalit të tij me francezët, kur unë, Mehmet Shehut, që ishte bashkë me Fiqreten, i thashë: more Mehmet, e di çfarë të bën ajo nusja e djalit tënd? Ajo po të bën kurvëri. Si?! – tha ai. Me të huajt, me francezët, – i thashë. Dhe ai djali yt, – i thashë unë, duhet të rrijë urtë. Ai mu përgjigj: I kam thënë djalit, po ai më thotë: ç’do ti baba, unë kam të drejtën time, vete ku të dua. Edhe këtë ta tha?! – i thashë unë Mehmetit. Po ti ç’bëre? – e pyeta. Të them të drejtën ika, – tha. Pas kësaj bisede, pse u dashkej të vinte te Nazari, ai e ta pyeste për këtë çështje?!

NAZAR BERBERI: Shoku Enver, ai donte të vërtetonte informacionin. Unë me të shkëmbeva vetëm dy fjalë, shoku Enver, ato fjalë që i thashë pak më lart. E

NVER HOXHA: E dinte atë me kohë Mehmet Shehu.

NAZAR BERBERI: Në informacion i thoshin që në kafen e hotel “Tiranës”, kisha qenë dhe unë.

ENVER HOXHA: Po pse e zgjat këtë punë. Nuk kishte nevojë Mehmet Shehu të të pyeste ty, se ai e dinte, ia kishim thënë ne atë çështje, ia kishte thënë, më duket, dhe Kadriu. Pse të të pyeste ty?

NAZAR BERBERI: Nuk e di, ai atë pyetje më bëri.

ENVER HOXHA: Po ai e dërgonte vetë nusen e djalit me “detyra”.

RAMIZ ALIA: Informacioni që përmendët ju, na erdhi neve dhe ne ia dërguam atij, ia çoi shoku Simon. Ai e pa të shkruar dhe e lexoi.

SIMON STEFANI: Po, ia çova unë.

NAZAR BERBERI: Po dhe mua për atë çështje më pyeti.

EMINE GURI: Tani është e qartë. Unë mendoj ta përjashtojmë nga Partia edhe Nazar Berberin. Këta të tërë një gjuhë po mbajnë dhe duket qartë që këta fshihen. ENVER HOXHA: Bukur. E vëmë në votë. Kush është dakord që Nazar Berberi të përjashtohet nga Partia? (Të gjithë shokët u shprehën dakord).

ENVER HOXHA: Kundërshtime?… Nuk ka. (Veli Llakaj dhe Nazar Berberi ikin). HARILLA PAPAJORGJI: Me leje, shoku Enver?

ENVER HOXHA: Urdhëro, fol. (Në periudhën që presin sa të largohen ata që u përjashtuan nga Partia, shoku Enver thotë: Më mirë mollët të jenë të kuqe e të forta, sesa të jenë të krimbura. Këta na kanë luajtur qindin).

HARILLA PAPAJORGJI: Organizata bazë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, analizoi gabimet dhe fajet shumë të rënda të anëtarit të saj, Ndreçi Plasari, i cili me punën e tij studimore dhe botuese është përpjekur të mbulojë të vërtetën historike në lidhje me personin e Mehmet Shehut dhe të fryjë kultin e tij.

Image
Foto nga arkiva

Prandaj, të gjithë komunistët, të pakënaqur nga autokritika me shkrim që e dorëzoi me dhjetë muaj vonesë dhe jo me iniciativën e tij si dhe nga autokritika me gojë në përgjigje të pyetjeve të shumta që iu bënë, njëzëri e kritikuan rreptë dhe e dënuan atë për mungesë të theksuar të sinqeritetit dhe autokritikë shumë të dobët, lidhur me marrëdhëniet e tij me kryeagjentin Mehmet Shehu.

Gjithashtu, organizata e kritikoi atë për oportunizëm dhe mungesë vigjilence, për lëshime në parime, që u kanë shërbyer synimeve të egra të armikut Mehmet Shehu, në dëm të interesave të popullit dhe të Partisë, për shkelje në mënyrën më flagrante të objektivitetit shkencor të dokumenteve në studime, po dhe në botime e në materiale të ndryshme për Mehmet Shehun, duke rënë kështu në subjektivizëm dhe në shtrembërime të së vërtetës historike.

Organizata e Partisë e Institutit të Studimeve MarksisteLeniniste mësoi fakte të tjera për mos informimin, nga ana e Ndreçi Plasarit në asnjë instancë të Partisë, për dokumente shumë komprometuese të Mehmet Shehut, të cilët i kanë kaluar nëpër duar shokut Ndreçi Plasari, sidomos një dokument zyrtar i zbulimit anglez, tërhequr si mikrofilm nga arkivi i Londrës, ku, ndër të tjera, për agjentin Mehmet Shehu thuhet: “Ambicia e tij ia kalon besnikërisë ndaj Partisë” dhe kjo lidhej me një opozitë që ata mendonin të krijonin në gjirin e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare Shqiptare. Ndreçi Plasari këtë e dinte prej dy vjetësh e ca përpara dhe nuk e kishte thënë gjëkundi.

Gjithashtu për mosinformim të disa bisedave të Mehmet Shehut me të, të bëra jo pa qëllim si për shembull, për programin demokratik-borgjez të shkruar nga ai më 1942, që përmendet edhe në fjalimin tuaj, shoku Enver “Tablo sinoptike e veprimtarisë agjenturore të armikut Mehmet Shehu”, pa i thënë përmbajtjen e vërtetë, por që Ndreçi Plasari “nuk u kujtua” t’ia thotë Partisë edhe pse kaluan dhjetë muaj pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut.

Ndreçi Plasari ka pasur frikë (siç deklaroi ai) se mos armiku Mehmet Shehu si ministër i Brendshëm, mund të hakmerrej me ndonjë “shpifje”. Kjo si dhe pyetja që ka bërë në Konferencën e Partisë të Tiranës të vitit 1956 për dy udhëheqës të Partisë: “Pse nuk kanë marrë takime me popullin” e vunë organizatën e Partisë në dyshime. Kjo pyetje ishte në vorbullën e tërë atyre pyetjeve që drejtoheshin në këtë konferencë nga elementët e këqij.

Për të gjitha këto, organizata bazë vendosi njëzëri t’i propozojë Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë që Ndreçi Plasari të përjashtohet nga plenumi i Komitetit Qendror dhe nga radhët e Partisë. E dyta, të largohet nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, të shkarkohet nga të gjitha funksionet e tjera drejtuese të tij dhe organi përkatës i nomenklaturës të vendosë për punën me të cilën do të merret në të ardhmen.

Ky është vendimi i organizatës bazë të Partisë të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste që unë kam porosi t’ia paraqes plenumit të Komitetit Qendror të Partisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat