Çfarë ka ndodhur më 4 tetor?

Dokumentare

Çfarë ka ndodhur më 4 tetor?

Më: 4 tetor 2016 Në ora: 08:22
Napoleon Bonaparti

1795 - Napoleon Bonaparti del në skenën franceze si ushtarak, duke përdorur artilerinë për të shpërndarë turmat e armatosura që përpiqeshin të pengonin punimet e Konventës (legjislatura franceze) në Paris – ishte fillimi i fundit të epokës së Revolucionit. Pas 9 vjetësh, ai do të shpallej Napoleoni I, Perandor i Francës deri më 1814 kur u hoq nga froni, u burgos në Elba, u arratis, u përpoq për t’u kthyer, por humbi në betejën e Vaterlosë më 1815. Vdiq në ishullin Shën Helena, i izoluar, i sëmurë ose i helmuar.

1887 - Gazeta “International Herald Tribune” (IHT) del për herë të parë në Paris. Kjo gazetë në anglisht sot kombinon burimet e korrespondentëve të saj me ato të gazetës “New York Times” dhe shtypet në 38 vende të botës, për shitje në më shumë se 160 vende të rajonit. Me qendër në Paris, IHT – pjesë e kompanisë “New York Times” – ka njoftuar se brenda këtij viti do të fillojë të quhet “The New York Times International”.

1913 - Në Shqipëri, qeveria e Ismail Qemalit jep koncesione për dy grupe bankierësh austriakë dhe italianë për themelimin e Bankës Kombëtare Shqiptare. Marrëveshja e nënshkruar, e cila i dha kësaj Banke privilegjin e vetëm për t’u marrë me pasuritë e patundshme, shkaktoi mes shumë shqiptarëve humbjen e besimit për qeverinë e tyre. Frika ishte se duke shfrytëzuar varfërinë në vend, Banka Kombëtare do te ishte në gjendje të blinte me çmim tepër të lirë gjithë tokën e mundshme, e cila do të kalonte në pronësi të investitorëve austriakë dhe italianë, dhe Shqipëria do të bëhej e hapur për kolonizim të huaj.

1939 - Një berber 25-vjeçar nga Kanonsburg i Pensilvanisë, hoqi dorë nga profesioni i tij; Pierino Ronald “Perry” Como, i shtati mes 13 fëmijëve të një familje emigrantësh italianë, kishte zë të mirë – dhe klientët që u qethte flokët, e nxitën të bëhej këngëtar. Komo regjistroi këngën e tij të parë me një grup muzikantësh që kaloi rastësisht në qytetin e tij – kënga “That Old Gang of Mine” u transmetua në radio dhe brenda pak ditësh u përhap dhe shpejt u bë e famshme. Që nga ajo kohë, për vite me radhë Perry Komo do të shihej vetëm duke kënduar në klube, koncerte, opera, filma e televizion dhe këngët e tij do të zinin vend të veçantë në repertorin e radiove. Perry Komo vdiq në gjumë më 12 maj 2001, në shtëpinë e tij në Florida, një javë përpara se të mbushte 89 vjeç – u tha se vuante nga simptomat e sëmundjes Alzheimer.

1957 - Bashkimi Sovjetik hedh satelitin e parë artificial, Sputnik, në orbitë rreth tokës. Me këtë ngjarje fillon edhe epoka e garës hapësinore Lindje - Perëndim. Amerika do të përgjigjej pas pak muajsh me hedhjen në orbitë të raketës Explorer 1, më 31 janar 1958.

1993 - Në Moskë, tanket bombardojnë ndërtesën e parlamentit, ndërkohë që demonstruesit kundër presidentit Boris Jelcin mblidhen jashtë saj.

Rusia kishte hyrë në një krizës kushtetuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat