Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e zbuluar ditën e djeshme në Durrës, ku tre fëmijë janë përfshirë në vrasjen e babait të tyre. Hysen Meta, djali 24-vjeçar, i viktimës Pëllumb Meta, ka dëshmuar para policisë se ka qenë ai personi që ka kryer qitjen.
Ai tha se gjithçka ishte e planifikuar. Sipas dëshmisë së tij ata kishin vendosur ta vrisin babain e këtë zgjodhën ta bëjnë ditën e shtunë që të tre do të ishin në shtëpi.
Ndërkohë që babai ishte i shtrirë në divan, Hysen Meta dëshmon se i ka thënë të ngrihet në këmbë e më pas e ka qëlluar katër herë. Sipas tij motra ishte në dhomë kur ndodhi ngjarja, ndërsa vëllai tjetër hyri në momentin që dëgjoi të shtënat. Ai shprehet se nëna nuk ka dijeni për krimin.
Gazetarja Sara Demushi tha në Euronews Albania, se tre fëmijët janë treguar amatorë në mbulimin e vrasjes.
“Ata ishin amator në krimin që kanë bërë. Që nga dita e parë e krimit, ata janë munduar të mbulojnë gjurmët. Por ka qenë aparati celular ai që i ka “nxjerrë zbuluar”. Ai ishte harruar, e prej tij policia arriti të zbulojë krimin”,-tha gazetarja.