AKB: Marrja e kompetencave Gjykatës Komerciale, kërcënim për bizneset

Ekonomi

AKB: Marrja e kompetencave Gjykatës Komerciale, kërcënim për bizneset

Më: 22 dhjetor 2023 Në ora: 13:49
AKB

Aleanca Kosovare Bizneseve ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për transferimin e kompetencave nga Gjykata Komerciale në Gjykatën Administrative, për trajtimin e çështjeve, është i gabuar dhe i dëmshëm për komunitetit e Biznesit në Kosovë.

AKB-ja, thotë se shpreh kundërshtimin e saj të fortë ndaj vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për transferimin e kompetencave nga Gjykata Komerciale në Gjykatën Administrative për trajtimin e çështjeve ku palë janë bizneset.

“Ky vendim shfaq një mungesë të rëndë të ndjeshmërisë dhe kuptimit të nevojave të komunitetit të biznesit dhe rrezikon të dëmtojë rëndë mjedisin e biznesit në Kosovë. Gjykata Komerciale është rezultat i një angazhimi  të zgjatur maratonik i AKB-ës  dhe i përbashkët me  bizneset dhe partnerët vendor dhe ndërkombëtarë”, thuhet në reagimin e AKB-ës  .

Gjykata Komerciale, sipas AKB-së, është një institucion kyç në ofrimin e një mjedisi më të drejtë dhe efikas për zgjidhjen e çështjeve të biznesore. Propozimi për t’i hequr këto kompetenca është një akt i pashpjegueshëm i qeverisë, i cili nënkupton një mospërfillje të hapur të vlerave dhe parimeve që kanë ndihmuar në ngritjen e Gjykatës Komerciale si një institucion vital.

“Transferimi i kompetencave nuk është thjesht një çështje administrative; ai është një kërcënim i drejtpërdrejtë për zhvillimin ekonomik dhe për mundësitë e investimeve të huaja në Kosovë. Ky ndryshim do të sjellë një mosunifikim të praktikës gjyqësore për zgjidhjen e lëndëve komerciale, duke krijuar një labirint të ri të burokracisë dhe të vonesave të panevojshme”, thuhet tutje në këtë reagim.

Njëherësh, AKB i bën thirrje  Këshilli Gjyqësor të Kosovës dhe institucionet përgjegjëse që të rishikojnë me urgjencë këtë vendim, sipas saj, jo adekuat dhe i gabuar.

“Aleanca Kosovare e Bizneseve-AKB  kërkon që të ruhet mandati dhe kompetencat e Gjykatës Komerciale për trajtimin e lëndëve administrative të bizneseve, për të garantuar një trajtim të drejtë dhe efikas të çështjeve të tyre. AKB i  bënë thirrje udhëheqësve tanë të veproni me mençuri dhe të merrni vendime që mbështesin rritjen ekonomike besimin dhe stabilitetin e mjedisit të biznesit në Kosovë”, thuhet në reagim.

Kthimi mbrapa i këtyre vendimeve, sipas AKB-së, jo vetëm që do të ishte një zhgënjim, por edhe një dështim strategjik i qartë për të ardhmen e vendit tonë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat