Përfundon vlerësimi i aplikimeve, fillojnë disbursimet e para nga Fondi për Efiçiencë

Ekonomi

Përfundon vlerësimi i aplikimeve, fillojnë disbursimet e para nga Fondi për Efiçiencë

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 15:18
Foto ilustrim

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) njofton për përmbylljen e procesit të vlerësimit të aplikimeve të pranuara në thirrjen publike “Zbatimi i Masave të Efiçiencës të Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”.

Sipas njoftimit për medie nga data 8 deri më 20 gusht 2023, përmes platformës e-Kosova, FKEE ka pranuar 3 mijë e 321 aplikime, dhe pas shqyrtimit nga komisioni vlerësues, 2 mijë e 150 aplikantë kanë marrë para-aprovimin për fillimin e implementimit të masave të efiçiencës së energjisë.

“Këta aplikantë kanë pranuar "Letrën e Para-Aprovimit" dhe vërtetimin për lirim nga TVSH për blerjen e materialeve dhe kryerjen e punimeve në shtëpitë e tyre. Komunat me numrin më të lartë të përfituesve janë: Prishtina, Podujeva, Peja, Ferizaj dhe Vushtrria”, thuhet në njoftim.

Në komunikatë thuhet po ashtu se nga numri total i aplikimeve, janë anuluar 161 aplikime, prej të cilave 142 për arsye se nuk i kanë plotësuar kriteret e thirrjes publike dhe 19 aplikantë kanë tërhequr aplikimin e tyre.

Ndërkaq, 1 mijë e 10 aplikime pa raport të auditorit do të shqyrtohen në rast se mbetet buxhet në dispozicion, pas përfundimit të tërë procesit me aplikimet me raport të auditorit. Aplikantët janë njoftuar në emailin automatik të pranuar nga e-Kosova.

“Aktualisht, FKEE ka pranuar rreth 700 aplikime për disbursim të shumës së subvencionuar, nga qytetarët që kanë përfunduar punimet. Këto aplikime janë në proces të verifikimit nga 8 kompani të angazhuara nga FKEE, dhe marrëveshjet e para të disbursimit janë nënshkruar nga përfituesit e parë që kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë dhe kanë kaluar verifikimin”, thuhet në njoftim.

Fondi si donacion prej 10 milionë eurove, i destinuar për këtë projekt, është mundësuar nga Bashkimi Evropian si pjesë e pakos mbështetëse të energjisë, përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës. Përfituesit do të subvencionohen me deri në 45% të shumës së investimit dhe deri në 50% për pronaret gra ose për shtëpitë në bashkëpronësi të bashkëshortëve, pa kaluar shuma maksimale prej 5500 euro, për implementimin e masave të efiçiencës së energjisë, duke përfshirë termoizolimin e mureve të jashtme, termoizolimin e kulmit dhe ndërrimin e dritareve dhe dyerve të jashtme.

Sipas FKEE përfituesit janë zgjedhur duke u bazuar në kriteret e përcaktuara nga thirrja publike, duke përfshirë nevojën për shtëpi të banueshme, konsum të energjisë elektrike prej së paku 250kËh për muaj në 21 nga 24 muajt e fundit, si dhe përmbushjen e kritereve teknike dhe izolimit termik.

Në fund thuhet se FKEE është e përkushtuar në vazhdimësi që të mundësojë realizimin e projekteve të tilla, duke kontribuar në mirëqenien e qytetarëve, kursimin e energjisë dhe ruajtjen e ambientit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat