Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar pas ndalimit të djeshëm të qytetarëve nga Kosova në kufirin mes Serbisë e Kroacisë, nga ana e autoriteteve të Serbisë, duke e vlerësuar si veprim i papranueshëm, i dëmshëm dhe në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit e integrimit që promovon Kosova por edhe në kundërshtim me vlerat dhe parimet e BE-së që e synon tërë rajoni.
OEK thekson se qytetarët e Kosovës, bizneset e Kosovës, kanë treguar se janë të hapur për bashkëpunim me të gjithë pa dallim, por të njëjtën e presin edhe nga popujt dhe shtetet e tjera të rajonit.
“U apelojmë të gjithëve që të marrin masa që të mos pengohet lëvizja e lirë mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe që qytetarët dhe bizneset e Kosovës të trajtohen të barabartë me të gjithë të tjerët.
Deri sa e mirëpresim reagimin e instancave vendore e ndërkombëtare, u bëjmë apel, veçanërisht institucioneve të BE-së, që të marrin hapa konkret që hapat e integrimit të rajonit si parime të Procesit të Berlinit dhe parakusht për anëtarësimin në BE të respektohen nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në reagim.