Bajrami: Mustafa u keqkuptua për opozitën, bizneseve nuk u merret haraç

Ekonomi

Bajrami: Mustafa u keqkuptua për opozitën, bizneseve nuk u merret haraç

Më: 19 korrik 2016 Në ora: 23:51
Hykmete Bajrami

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka thënë se Kosova ka përmirësuar dukshëm klimën e të bërit biznes për dallim nga viti i kaluar dhe vitet paraprake.

“Në Këshill janë të gjitha ministritë që në dikasteret e veta kanë kompetenca që rregullojnë sektorë të ekonomisë, si edhe të gjitha odat e biznesit. Ftojmë edhe palët që nuk janë anëtarë të përhershëm të Këshillit që të bashkëpunojnë”.

“Gjatë kësaj periudhe kemi raportuar përmirësimin e shtatë indikatorëve të të bërit bines. Është punuar në përmirësim të legjislacionit dhe eliminim të barrierave. Mbledhja e TVSH-së në kufi është barrierë për bizneset. Po punohet edhe në Udhëzimin Administrativ për Pushimet Tatimore dhe për Humbjet Teknike, në mënyrë që të përafrohet legjislacioni me atë të BE-së”.

Ajo ka deklaruar se ngritja në listën e indikatorëve të të bërit biznes është shumë e vërejtshme dhe se në ranglistë Kosova qëndron shumë më mirë se disa vende të rajonit, njofton Klan Kosova.

“Ajo që thonë matjet është se ka pasur përmirësim të vërejtshëm të indikatorëve të të bërit biznes. Do të dëshironim shumë që të kishim vendim e parë në këto matje, por një ngritje qind për qind nga viti i kaluar është e mjaftueshme.  Mund të them që në këtë rangim jemi më mirë në krahasim me shumë vende të rajonit”.

Sa i përket deklaratës të kryeministrit Isa Mustafa, se opozita e ka penguar punën e qeverisë, Bajrami ka thënë se Mustafa është keqinterepretuar.

“Besoj se kryeministri u keqinterpretua sepse ai tha se përkundër sfidave dhe problemeve si qeveri, indikatorët ekonomikë po tregojnë se kemi arritur sukses. Rritja e investimeve pothuajse qind për qind, rritja e bizneseve me pronarë të huaj, lirimi i aseteve, asnjë aferë korruptive dhe investimet konkrete tregojnë për atë që kemi bërë”, tha ajo në Ballë për Ballë të Klan Kosovës.

Dështimin e privatizmit të Brezovicës ajo e ka cilësuar faj të konzorciumit që është dashur ta bëjë këtë gjë dhe asesi të qeverisë apo institucioneve tjera të shtetit, njofton Klan Kosova.

“Dështimi i privatizimit të Brezovicës hyn në këto raporte, ku tregohet qartë pse ka ndodhur kjo gjë. Nuk ka pasur as edhe një shkas të vetëm, as edhe një kusht që Qeveria e Kosovës nuk ka plotësuar. Sikur të kishte në ndonjë pikë të kontratës ndonjë kusht që ne si institucione nuk kemi përmbushur atëherë do të mbanim përgjegjësi. Nuk mund të them që Kosova ka humbur buxhet. Por ne kemi humbur shumë në kohë. Mirëpo besoj se i është bërë një reklamë pozitive. Ne për herë të parë si institucione kemi vënë ligjshmërinë duke kërkuar garancionin bankar”.

“Nuk mund të them që Kosova e Re është në këtë rrugë. Të gjitha informatat që kemi janë shumë pozitive. Jam shumë optimiste që projekti Kosova e Re do të realizohet”.

Bajrami ka deklaruar se gjatë kësaj qeverisje është eliminuar barra e haracit për bizneset dhe se Ligji për Investime Strategjike ka rënëdsi për prurjen e investitorëve të huaj, njofton Klan Kosova.

“Absolutisht jo. Në takimet me bizneset u kam thënë që në emër të qeverisë nuk guxon askush t’u kërkojë dicka të tillë dhe se nëse eventualisht ndodh, ata duhet ta lajmërojnë këtë gjë”.

“Ligji për Investimet Strategjike nuk është celësi i gjithkaje, por e vë Kosovën në pozitë të barabartë kur bizneset e huaja duan të investojnë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat