Resorti në Gjirin e Lalzit, investimi 180 milionë euro, KKT miraton lejen

Ekonomi

Resorti në Gjirin e Lalzit, investimi 180 milionë euro, KKT miraton lejen

Më: 30 korrik 2016 Në ora: 19:31
ilustrim

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e  ndërtimit për një resort turistik në Gjirin e Lalëzit. Ky është një prej investimeve më të mëdha të realizuara deri më sot në sektorin e turizmit dhe kap vlerën e 180 milionë eurove.Sipas qeverisë ky projekt do të ndikojë jo vetëm në aspektin e tërheqjes së turistëve por edhe në krijimin e vendeve të reja të punës.

Shumë shpejt në Shqipëri do të nisë ndërtimi i një tjetër resorti. Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e ndërtimit  duke i dhënë mundësi investitorit që të nisë punimet për realizimin e këtij  projekti.

Investimi i cilësuar si <Resort Turistik> është më i madhi i realizuar deri më tani në Shqipëri dhe kap vlerën e 180 milion eurove. Shoqëria që ka fituar të drejtën e ndërtimit të kompleksit turistik është shoqëria “OMNIX Albania” sh.p.k.

Ndërtimi i resortit pritet që t’i japë një hov turizmit në këtë zonë ku mungojnë njësi të tilla akomoduese por mbi të gjitha pritet që të hapë rreth 1350 vende të reja pune.Vendimi i KKT për këtë projet pritet që të zbardhet gjatë javës së ardhsme.

Vetëm pak ditë më parë qeveria miratoi dy vendime  për ndërtimin e dy resorteve turistike  një në Himarë dhe një në Gjirin e Lalzit. Këto projekte janë klasifikuar si investime strategjike çka nënkupton mbështetje të qeverisë në disa aspekte.Investitorët kanë marrë të drejtën e përdorimit të brigjeve detare për 20 vite ndërsa vlera totale e investimit është rreth 78 milion euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat