Militantët, përfitues të granteve dhe subvencioneve në bujqësi?

Ekonomi

Militantët, përfitues të granteve dhe subvencioneve në bujqësi?

Më: 20 gusht 2016 Në ora: 10:48
Ilustrim

Për ndarjen e granteve dhe subvencioneve për fermerët në bujqësi dyshohet se ka keqpërdorime të mëdha nga ana e Ministrisë së Bujqësisë. Ka dyshime se një pjesë e madhe e fondit ndahet për militantët e partive në pushtet dhe për ata që japin ryshfet.

Pagesat direkte dhe mbështetja e projekteve zhvillimore në bujqësi kap shifrën e 46 milionë euro, kurse, fondi i granteve është 23 milionë euro që ndahet për çdo vit nga MBZHR. Përfaqësues të fermerëve nuk hezitojnë të përmendin edhe emrat e atyre përfituesve të cilët nuk janë meritorë dhe nuk merren fare me bujqësi, por që në këtë mënyrë po dëmtohen ata fermerë që meritojnë në sektorin e bujqësisë.

Përfitues i një traktori në vlerë prej 30-40 mijë euro nga kjo kategori është edhe Naser Imeri, vëllai i ish-komandantit të UÇK-së, Gani Imeri nga Vushtrria, i cili është i afërt me PDK-në. Ky i fundit nuk merret me bujqësi, përveç se ka biznese për mekanizëm bujqësor (Për shitjen e traktorëve) në Fushë-Kosovë.

Ndër përfituesit tjerë është edhe Burhan Hashani nga Obiliqi, i cili ka përfituar 8 sera nga 10 ari. Kjo thuhet se është bërë falë intervenimit nga ish-ministri i Ambientit, Ferid Agani, ndaj të cilit prokuroria e shtetit ka ngritur aktakuzë nën dyshimin se është i përfshirë në keqpërdorim të pozitës zyrtare, dhënie e marrje të ryshfetit, si dhe shmangie taksash.

Hashani prej këtyre 8 serave ka në funksion vetëm një, të tjerat janë boshe. Ky i fundit njëkohësisht është edhe zyrtarë i Bashkësisë Islame në Kosovë.

Keqpërdorime në këtë ministri për ndarjen e granteve ka evidentuar edhe auditori i përgjithshëm.

Mirëpo, për keqpërdorimet e mundshme në ndarjen e granteve i ka hedhur poshtë ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi. Megjithatë, ai as nuk ka pohuar dhe as mohuar se për një traktor është përfitues, Gani Imeri në emër të Naser Imerit.

Krasniqi: 550 përfitues vijnë nga të gjitha komunat e Kosovës

“Vet fakti nëse dikush thotë se duhet të jesh i afërt me këtë ose atë, ose duhesh të kesh një të kaluar kështu ose ashtu dhe po flasim për një numër prej 550 përfituesve që vijnë nga të gjitha komunat e Kosovës, është i pa qëndrueshëm. Nëse po u dashka me qenë komandantë për me fituar grant ose po u dashka me qenë i afërt me Partinë Demokratike të Kosovës dhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kjo i bie që Rahoveci të gjithë e paskan një të kaluar të tillë, sepse normalisht është që dalin me një numër më të madh të përfituesve, ose komunat tjera si Istogu, Ferizaj, Skenderaj dhe të tjera. Ne po flasim për një proces 100 përqind të hapur dhe transparent”, thotë Krasniqi.

Ka dyshime të bazuara që ndër ata të cilët vendosin për këto ndarje të granteve që janë pjesë e buxhetit të shtetit dhe që nuk pyetet as ministri Krasniqi, është kryeshefiekzekutiv i Agjencisë së Zhvillimit Bujqësisë, Elhami Hajdari, por një gjë të tillë e ka mohuar vet ministri Krasniqi.

Krasniqi: Kjo nuk qëndron, është e pa mundshme?

“Grantet ndahen me një proces shumë transparent, unë mendojë se është absolutisht absurd dhe është një nivel krejt i ulët i thashethemeve ordinere që të flitet se një njeri, një person, një grup mund të vendosë për paranë publike, kjo nuk mundet me qëndru. Procesi i granteve, është proces goxha i koklavitur. Prej momentit të aplikimit e deri në momentin e autorizimit të pagesës, secilin projekt duhet të kaloj së paku në duart e 12 zyrtarëve, nuk mund të ketë një konspiracion të tillë për të vendosur për këtë ose atë grant”, thotë ministri i MBZHR-së.

Ndërkohë, kryetari i federatës sindikale të bujqve, Tahir Tahiri thotë për KosovaPress se qëllimi i granteve dhe subvencioneve është për zhvillimin bujqësisë, për të krijuar vende të punës dhe për ta zhvilluar shtetin ekonomikisht. Mirëpo, sipas tij, këto fatkeqësisht nuk po ndodhin. Ai thotë se grantet dhe subvencionet po keqpërdoren.  Tahiri thotë se kanë drejtuar ankesat e tyre nëpër institucionet përkatëse dhe në prokurori.

Sipas tij, grandet iu jepen njerëzve të fuqishëm, dhe në vend se ato t’i jepen atyre që kanë nevojë dhe që mbajnë bagëtitë e tyre në stalla dhe kushte mjeruese, ministria iu jep grante atyre që kanë para dhe janë milionerë.

Tahiri: Një njeri i fuqishëm ka marrë një traktor për mekanizëm bujqësor në Vushtrri

“Kemi një rast në komunën e Vushtrrisë, një njeri i fuqishëm ka marrë një traktor për mekanizëm bujqësor dhe nuk e ka plotësuar kushtin kryesor elementar. Ky është njeri i fort në aspektin material, sepse ka tri biznese dhe është i afërt me partinë, përkatësisht i partisë së PDK-së, të cilës i përket ministri i Bujqësisë. Po ashtu, e kemi një biznesmen tjetër që ai nuk është kush e disa sa militantë, mirëpo, është njeri i fuqishëm, është në gjendje me dhënë mito. Dhe në pjesën e njerëzve të mëdhenj që bëjnë pjesë, janë disa të afërm të ish-komandantëve të UÇK-së, kemi disa raste në komunën e Skenderajt, po ashtu edhe në komunën e Vushtrrisë kemi njerëz të cilët e kanë biznesin e regjistruar, veprimtarinë e tyre që shesin traktorë dhe ai ka marrë traktor grant prej Ministrisë së Bujqësisë. Kurse, vet ai ka parkun ku shet mekanizmin bujqësor dhe traktorë për të njëjtën kual fuqi, pra, në k omunën e Vushtrrisë e kemi këtë rast”, thotë Tahiri.

Për rastin tjetër i cili është i afërt me Partinë e Drejtësisë të ish-ministrit, Ferid Agani, Tahiri thotë se ka përfituar sera edhe pse ai nuk është marrë më herët me veprimtari bujqësore.

Tahiri: Edhe Ferid Agani i ndihmoj një aktivisti të tij të marrë 8 sera

“Kemi raste kur njerëzit marrin me të njohshëm, p.sh një rast në komunën e Obiliqit, përmes ish-ministrit, Ferid Agani ka marrë grante prej 8 serave nga dhjetë ari... Dhe kush i ka marrë? I ka marrë një njeri që nuk ka lidhje me bujqësi, i cili punon në Bashkësi Islame dhe është zyrtarë i lartë... Tetë fermerë të tjerë janë refuzuar për sera... dhe çka është më interesant se ai nuk di çka me bo tash me to. Në vitin e kaluar me një serë ka filluar punën, kurse, shtatë serat tjera ishin të thata”, thotë ai.

Tahiri mendon se kjo formë e dhënies së granteve është një keqpërdorim jashtëzakonisht i madh, dhe është një padrejtësi e madhe.

Ai po ashtu ka akuzuar edhe drejtues të Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë për këto parregullsi që po bëhen në vazhdimësi ndaj fermerëve të bujqësisë.

Tahiri ka evidentuar keqpërdorime edhe tek subvencionet, ku bujqit nuk mbjellin fare kulturat bujqësore. Sipas tij, është një rast në fshatin Dyz të Podujevës, i cili ka marrë subvencione për 13 hektarë se gjoja ka mbjellë tri kultura bujqësore me grurë, misër dhe patate, por që në fakt nuk e ka mbjell as një ari.

Ai tha se për këto informata janë të verifikuara me dokumente nga anëtarët e kësaj sindikate. Rasti tjetër që ka marr grant dhe nuk ishte fermer është Musli Haziri, i cili ka ndërtuar stallën përmes lidhjeve.

Tahiri ka përmendur edhe fermerët që janë të përbuzur dhe të ndëshkuar, të cilëve me të vërtet kanë merituar grant dhe nuk kanë mundur të marrin duke aplikuar dy apo tri herë.

Ndër të gjeturat janë evidentuar edhe nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, ku nga procedurat e pagesave për kulturat në bujqësi, rreth 350 përfitues janë paguar nga Ministria e Bujqësisë nga dy herë. Vlera totale e mbi paguar ishte rreth 250 mijë euro.

Ndër të gjeturat e raportit të auditorit të përgjithshëm, nga testimi i vlerësimit të aplikacionit dhe dëshmive për përfitimin e grantit “Ujitja e tokave bujqësore” në vlerë 160 mijë euro, auditori ka vërejtur parregullsi në poentimin e përfituesit.

“Në fakt, në pikën e parë të vlerësimit përfituesi është poentuar me 5 pikë edhe pse sipas kritereve përzgjedhëse nuk i ka takuar asnjë pike. Pastaj te pika tjetër lidhur me dëshmitë për “numrin e fermerëve tjerë që do të përfitojnë nga ky projekt” është bërë llogaritja me pikë maksimale 20 pikë, ndërsa nuk kishte dëshmi se nga ky investim do të përfitojnë edhe të tjerët. Poentimi në këto dy aspekte të vlerësimit ka qenë kritik për përzgjedhjen e fituesit. Në një rast tjetër është vërejtur vlerësim dhe refuzim i paqartë i një aplikacioni për masën 103.1(Trashja e viqave). Aplikacioni është vlerësuar negativ (refuzuar) me arsyetimin se fermeri nuk e plotësonte kriterin e përvojës në bujqësi. Po ashtu, fermeri për refuzim nuk ishte informuar. Fermeri ishte i regjistruar në sistemin e Agjencinë për Zhvillim në Bujqësi si përfitues para tre viteve, gjë që dëshmon plotësimin e kriterit të përvojës në bujqësi dhe nuk ishte i obligueshëm të sjell dëshmi tjetër. Megjithatë, jo drejtë ankesa e fermerit është refuzuar nga AZHB. Për këtë miratimi i projektit i cili nuk i plotëson kushtet administrative dhe kriteret e vlerësimit mund të ketë për pasoj humbje financiare, eliminimin e përfitueseve dhe projekteve tjera që ndikojnë në zhvillimin e sektorit bujqësor. Në anën tjetër, dobësitë në sistemin vlerësues dhe mos informim me kohë i fermerëve të refuzuar tregon jo transparencë në marrjen e vendimeve dhe ndikon në dëmtimin e fermerëve aplikues”, thuhet në raport të auditorit.

Edhe profesori në fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinoci ka kritikuar mënyrën e dhënies apo mbështetjen e fermerëve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.

Ai tha për KosovaPress se sektori i bujqësisë nuk mund të përfitojë, por as vendi ynë me keqpërdorin e fondit të granteve dhe subvencioneve.

Rusinovci thotë se mbështetja e militantëve partiak dhe atyre që nuk janë fermerë të vërtet, po i dëmton fermerët serioz të cilët po kontribuojnë në shtimin e prodhimeve vendore dhe shtimin e numrit të punëtorëve. Kurse, sipas tij përfituesit e këtyre granteve me dallavere ndërrojnë edhe destinimin e projekteve bujqësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat