Nis panairi “Prishtina 2016”, merr pjesë edhe Oda Ekonomike e Serbisë

Ekonomi

Nis panairi “Prishtina 2016”, merr pjesë edhe Oda Ekonomike e Serbisë

Më: 28 shtator 2016 Në ora: 15:05
Pamje nga panairi

Është hapur Panairi i produkteve bujqësore dhe Agroindustriale “Prishtina 2016”, në të cilin po marrin pjesë mbi 100 kompani nga Kosova dhe vendet e rajonit.

Pjesëmarrës në këtë panair, janë dhe përfaqësues nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, Shqipërisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Në hapje solemne sot i pranishëm është edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se Qeveria ka prioritet zhvillimin ekonomik, veçmas fushën e bujqësisë, me të cilën janë arritur rezultate të larta. Ai tha se për këtë fushë janë ndarë subvencione dhe grande të shumta. I pari i Qeverisë tha se Kosova ka nevojë që të rrisë prodhimtarinë e brendshme, në mënyrë që të rritet eksporti dhe cilësia e produkteve.

Mustafa: Po përgatitemi për tregun evropian

“Vlerësojmë se përkrahja e fushës së ekonomisë është me rëndësi themelore, sepse  kemi nevojë që të rrisim prodhimtarinë e brendshme. Sidomos tani kemi nevojë të kalojmë në përpunimin e produkteve bujqësore dhe finalizimin e këtyre produkteve. Dhe kemi nevojë të rrisim eksportin, cilësinë e produkteve tona në eksport. Në këtë aspekt unë jam i kënaqur me trendin e tanishëm, sepse kemi trend të rritjes së eksportit. Kemi trend të rritjes ekonomike mbi 4 për qind këtë vit dhe kemi trend të bashkëpunimit të mirë ndërkombëtar ekonomik dhe tregtar me vendet fqinje, në tregun në rajon. Dhe tani po përgatitemi që të jemi konkurrent edhe në tregun evropian, mbi bazën e aktivizimit të  MSA-së“, tha kryeministri Mustafa.

Pjesëmarrja në panair e përfaqësuesve nga vendet e rajonit, përfshirë Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë, sipas kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, duhet të jetë shembull për politikanët se si duhet ndërtuar urat e bashkëpunimit.

Veseli: Do ta përkrahim fuqishëm bujqësinë

“Kjo është një shembull për ne si politikanë, se si duhet të ndërtojmë urat e  komunikimit. Kjo është edhe detyra juaj veçanërisht ekonomia nuk duhet të njeh kufij. Ekonomia duhet të lëvizë në mënyrën që të ketë komunikim mes vete. Ne duhet të  ndërtojmë partneritete. Në të njëjtën kohë institucionet e Republikës së Kosovës janë shumë të vendosura se nuk ka rrugë tjetër pos rrugës së zhvillimit ekonomik. Nuk ka patriotizëm tjetër as patriot në këtë vend, më shumë se sa ata të cilët  do të krijojnë mundësi, të prodhojnë të mira materiale për qytetarët tanë, në të njëjtën kohë do të punësojnë rininë tonë që të kenë perspektivë në këtë vend. Ne duhet t’i japim përkrahje të fuqishme bizneseve, veçanërisht bizneseve të vogla”, tha ai.

Veseli ndër të tjera tha se bujqësia është ndër elementet kyçe që mund të ndikojë në përmirësimin e  bilancit tregtar dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Ndërsa pohoi se institucionet e vendit,  do të vazhdojnë përkrahjen për sektorin e bujqësisë, duke rritur grantet dhe subvencionet.

Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK)  Safet Gërxhaliu tha se edhe përkundër sfidave, sektori privat po ecën në hapa të sigurt.

Gërxhaliu: Sektori privat, po ec me hapa të sigurt

“Panairi po rritet me kohën, dhe sot, vet fakti që i kemi më tepër se 100 kompani, dëshmon rëndësinë e panairit në fjalë. Dhe besoj se kjo është dëshmi që sektori privat edhe përkundër sfidave të shumta është duke ecur me hapa të sigurt drejtë ardhmërisë“, tha ai.

Marko Cadez, kryetar i Odës Ekonomike të Serbisë në fjalën e tij të rastit tha se interesimi i kompanive serbe për të qenë pjesëmarrëse në këtë panair është mjaftë i madh, pasi që është një mundësi për  vënien e kontakteve me kompanitë tjera pjesëmarrëse.

 Cadez: Interesim i madh i kompanive serbe të jenë të pranishëm në panair

“Këtë vit të pranishme në panair janë 29 kompani nga Serbia. Na është caktuar hapësira për kaq kompani, sepse interesimi ka qenë dhe më i madh. Vitin e kaluar kanë qenë 22 kompani, por interesimi i kompanive për të marrë pjesë në këtë panair është edhe më i madh. Vitin e kaluar kemi qenë shumë të kënaqur dhe kanë pasur shumë kontakte me kompani këtu. Edhe këtë vit po shpresojmë të njëjtën gjë...Kompanitë janë të kënaqura me pjesëmarrjen dhe atë jo vetëm në panair. Ne kemi kontakte çdo muaj me Oden Ekonomike të Kosovës. Ka shumë interesim nga kompanitë për fidanë të farave, aronisë, mjedrës,  bio-plehrave, që janë të interesuar për të hyrë në tregun e Kosovës”, tha Cadez. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat