Hoti ka një lajm të mirë për ata që marrin paga

Ekonomi

Hoti ka një lajm të mirë për ata që marrin paga

Më: 19 janar 2017 Në ora: 10:54
Pamje nga konferenca e ministrit të Financave Avdullah Hoti

(E plotësuar) - Ligji për Pagat, i cili shumë shpejt do të sillet në Kuvendin e Kosovës do të harmonizojë pagat e shërbyesve civil.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka dal sot në një konferencë për media për të siguruar të gjithë ata që kanë shprehur shqetësime se do të ketë zbritje të pagave. 

Ai garanton se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Ky ligj sipas ministrit të Financave është ligji më i rëndësishëm për reformën në Administratën Publike.

Hoti: Me ligjin e ri , askujt nuk do t’i zvogëlohen pagat

“Ligji i Pagave, është ligji më i rëndësishëm i reformës së administratës publike që është duke e bërë kryeministri dhe Qeveria. Ne i kemi mbi 80 mijë veta që marrin pagë rregullisht nga buxheti i shtetit dhe ky ligj rregullon me detaje pagat, shtesat dhe gjitha përfitimet që kanë këta 80 mijë veta. Pjesëmarrja e pagave në buxhetin total është e konsiderueshme , është gati një e katërta e buxhetit total të buxhetit të Kosovës....Buxheti për paga nga viti në vit është duke u rritur. Nëse e krahasojmë buxhetin për paga të vitit 2017 , me atë të vitit 2014 të Qeverisë paraprake është rritur për 83 milion euro...Nuk asnjë kuptim, asnjë logjikë çfarë do supozime që pagat mund të zvogëlohen pagat”, tha Hoti.

Sipas tij të gjithë zyrtarët që e bëjnë punën e njëjtë kudo që punojnë do të paguhen njëjtë e jo siç ka ndodhë deri më tani.

Hoti: Pagat të njëjta për punën e njëjte

“Pagë të njëjtë për punë të njëjtë. Duhet t’i harmonizojmë pagat e në veçanti në mes të institucioneve të pavarura . Janë 32 institucione ose agjenci të pavarura, 46 organe shtetërore dhe trupa të ndryshëm , agjenci, borde , rregullatorë të ndryshëm të Qeverisë dhe të ministrive përkatëse që kanë diferencë të madhe në pagat e zyrtareve të tyre. Këtë tenton ta rregulloj ky  ligj”, tha Hoti.

Në konferencë Hoti ka marrë disa shembuj ku ka mos harmonizim të pagave në sektorin publik me atë të bordeve dhe agjencive.

Ai po ashtu ka marrë shembuj të rasteve ku ka mos harmonizim të pagave në sektorin publik me atë të bordeve apo agjencive.

Hoti: Nuk do të ketë tolerancë për kategorizim të pagave

“ Një zyrtar,  cilido zyrtar ligjor e dimë që ky zyrtar duhet të ketë  pagën e njëjtë, pavarësisht në cilin institucion punon. Ndërkaq për momentin ka diferenca shumë të mëdha. Një zyrtar i tillë merr një  pagë prej 520 euro në Ministrinë e Financave,  800 euro në institucion tjetër publik dhe shkon deri në 1 mijë e 200 euro nëpër agjenci dhe rregullator që janë të pavarur”, tha Hoti.

Hoti tregoi edhe numrin e atyre që paguhen nga buxheti i Kosovës e që në arsim janë   26 mijë veta, 11 mijë  në shëndetësi, 18 mijë shërbyes civil, 2 mijë e 700 në FSK,  7 mijë e 600 në Polici, pastaj në drejtësia, arsim të lartë e shkencë, kulturë, Dogana, etj. Por që askujt në këto sektorë sipas ministrit nuk do t’i zbritet paga.

Hoti: Në periudha të ardhshme pritet të ketë rritje të pagave

“Në veçanti dëshiroj të theksoj ,që pagat nuk do të ulen përkundrazi në veçanti në arsim, shëndetësi, në polici në doganë dhe tatime në shërbimin korrektues në forca të armatosura në organet  drejtësisë në këshillin gjyqësor në gjykata, prokurori në organe të tjera të drejtësisë, në  fakt ne po flasim për një rritje të mundshme të pagave në periudhën e ardhshme”, tha Hoti.

Ligji për pagat është miratuar në Qeveri në fund të vitit të kaluar i njëjti pritet  shpejt të shkojë në Kuvendin e Kosovës për miratim.

***

Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka dal sot në një konferencë për media për të sqaruar projektligjin për paga i cili shumë shpejt pritet që të shkojë në Kuvend.

Hoti tha se me ligjin për paga asnjë punonjësi që merr pagë nga buxheti i Kosovës nuk do t’i zbritet paga.

Hoti tha se me këtë ligj do të rregullohet dhe përcaktohet hierarkinë e pagave për secilën kategori duke përfshirë Policinë, arsimin, FSK-në dhe institucionet tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat