Interkonjeksioni me Shqipërinë nuk mund të jetë në funksion pa anëtarësimin e KOSTT në ENTSO

Ekonomi

Interkonjeksioni me Shqipërinë nuk mund të jetë në funksion pa anëtarësimin e KOSTT në ENTSO

Më: 7 shkurt 2017 Në ora: 16:12
Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik

Edhe pse Kosova dhe Shqipëria kanë investuar shumë për ndërtimin e autostradës energjetike, ky interkonjeksion për 400 KW mbetet jo funksional derisa KOSTT të mos anëtarësohet në ENTSO.

Mirëpo, këtë anëtarësim, sipas drejtuesve të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik është duke e penguar Serbia.

Për këtë çështje në mbledhjen e Komisionit  u shqyrtua dhe u përkrah fuqishëm Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për shkëmbimin ose ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit OST dhe Operatorit të Sistemit, të Transmisionit dhe Tregut – KOSTT.

Kryetari i komisionit, Muhamet Mustafa tha se sot duke e mbështetur fuqishëm këtë marrëveshje, ku është kërkuar, sipas tij, që dy Qeveritë të bëjnë një protokol të aktiviteteve të nevojshme për zbatimin e kësaj marrëveshje.

Mustafa tha se një nga aktivitetet e rëndësishme e zbatimit të kësaj marrëveshje është anëtarësimi i KOSTT-it në rrjetet e organizatave të ngjashme rajonale, evropiane, për çka sipas tij, po bënë pengesë Serbia. 

Mustafa: Derisa KOSTT-i nuk anëtarësohet në ENTSO  edhe interkonjeksioni me Shqipërinë nuk mund të jetë në funksion të plotë

 “Derisa KOSTT-i nuk anëtarësohet në këto Asociacione, edhe larg përçuese, interkonjeksioni nuk mund të vihet në funksion të plotë dhe kjo marrëveshje nuk do t’i ketë efektet e plota. Mu për këtë ne kemi konkuduar që të marrim një informatë ku janë pengesat dhe kemi kërkuar nga dy qeveritë, edhe Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që të ndërmarrin aktivitetet në mënyrë që të përfundojnë obstruksionet e Serbisë lidhur me anëtarësimin e KOSTT në këto asociacione”, tha Mustafa.

Deputeti Mustafa ka kërkuar sqarime me shkrim nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe nga ekipi negociues me palën serbe në Bruksel për pengesat që po i bëhen Kosovës për anëtarësimin e KOSTT në ENTSO.

Po ashtu edhe deputeti Blerim Grainca tha se me arritjen e kësaj marrëveshje me Shqipërinë mund të këtë furnizim të rregullt të energjisë dhe ulje të çmimit të energjisë elektrike.

Grainca: Interkonjeksioni rregullon furnizimin dhe çmimin e energjisë

“Mendoj, se kjo si marrëveshje i kontribuon fillimisht furnizimit të energjisë në të dy tregjet, sepse të dy vendet kanë problem gjatë sezonit të caktuar në furnizim me energji, ne kemi verës, ata dimrit. Pastaj, mendoj se kjo do të ketë ndikim direkt edhe në çmimin e energjisë që do të dalë në treg dhe po ashtu do të rregullohet dhe çështja e importit”, tha deputeti Grainca.

Ndërsa, Visar Hoxha, nga KOSTT, i cili foli për rëndësinë e kësaj marrëveshje, tha se përveç stabilizimit të energjisë në dy vendet Kosovë-Shqipëri, kjo marrëveshje për energji është edhe parakusht i direktivave të BE-së për KOSTT-n.

Hoxha: Ky shërbim është i domosdoshëm dhe parakusht teknik për një operim normal të KOSTT-it

“Ky shërbim është i domosdoshëm dhe parakusht teknik për një operim normal të KOSTT-it dhe të përmbushjeve të funksioneve ligjore sipas ligjeve në fuqi në Kosovë. Gjithashtu është obligim dhe kërkesë teknike e direktivave të Bashkimit Evropian si dhe Asociacionit të Evropës. Në kuadër kësaj marrëveshje parashihet që KOSTT dhe OST-I të bëjnë dimension imin e përbashkët të kapaciteteve për shërbime ndihmëse, ku do të krijohen mundësi për optimizmin e të dyja anëve, gjithnjë duke pasur parasysh karakteristikat e dy sistemeve, të Kosovës dhe Shqipërisë. Qëllimi primar është se mund të ofrohet edhe nga njësitë gjeneruese në Kosovë, por me kapacitet me të kufizuar”, tha Hoxha.

Kurse, deputeti Besim Beqaj, ka reaguar jashtë rendit të ditës për pagat e deputetëve, temë kjo e cila sipas tij, është hapur në medie dhe është spekuluar për ngritje të pagave.

Beqaj: Deputetët marrin 240 euro mëditje për të gjitha seancat brenda një muaj

“Ligji në Kuvend për pagat nuk ka ardhur, kështu që do të ishte krejtësisht e pa përgjegjshme profesionalisht ne me fol për Ligjin e Pagave, përderisa ai nuk ka ardhur në Kuvend asnjëherë. Dhe sa herë që është raportuar është raportuar gabimisht prej të gjitha mediave, sepse është thënë se deputetët marrin për një seancë nga 240 euro, rritet me Ligjin e ri për 260 e sa euro. Do të informoj se është informatë e gabuar. Deputetët nga të gjitha pranitë e seancave në maksimum brenda muajt mund të marrin 240 euro mëditje”, tha Beqaj. 

Ndërsa, deputeti i Nisma-s, Enver Hoti, ka arsyetuar mediat se kanë të drejtë të trajtojnë këso lloj temash për pagat, duke kërkuar nga institucionet të jenë më transparente.  

Hoti: Nuk duhet me u shqetësuar ne si deputet nga trajtimi i pagave tona në media

“Çështja e pagave që ka filluar të trajtohet në opinion nga mediat nuk duhet me na shqetësuar shumë, mendojë që ne duhet me qenë transparent dhe ta qytetarët duhet ta dinë. Bile, unë I kisha inkurajuar mediat që me I trajtuar edhe pagat në ndërmarrjet e  ndryshme, bordeve agjencive, sepse ka një mos transparencë në këtë drejtim”, tha Hoti.

Deputeti Fatmir Rexhepi  tha se nuk po ndihet mirë para qytetarëve me informacionet të cilat kanë buruar nga mediat për rritje të pagave, sepse ende zyrtarisht nuk ka asgjë para deputetëve lidhur me këtë çështje. 

Ndërkaq, deputetët kanë kërkuar informacione  nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik për ecurinë e projektit  “Kosova e Re”, ngase sipas tyre, është zvarritur mjaft për këtë projekt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat