Mustafa: Rruga më e mirë drejt BE-së, është fuqizimi i sektorit privat

Ekonomi

Mustafa: Rruga më e mirë drejt BE-së, është fuqizimi i sektorit privat

Më: 11 shkurt 2017 Në ora: 07:22
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa gjatë konferencës “Ambienti i Biznesit 2017”

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se gjatë këtij viti do të krijohen 25 mijë vende pune, duke e ulur papunësisë nën normën 20 përqind.

Ai këto komente i bëri në konferencën ‘Ambienti i Biznesit 2017’, ku tha se tha se nuk pajtohet me të gjithë ata ndjejnë kënaqësi kur potencojnë se Kosova është shteti më i pazhvilluar.

Sipas Mustafës, së shpejti Kosova nuk do të konsiderohet si vend i varfër por si një vend me të ardhura mesatare sipas parametrave të institucioneve ndërkombëtare financiare, sikurse FMN, Banka Botërore, etj.

Mustafa: Disproporcion në mes të tregut të punës dhe asaj çka ofrojmë në arsim

“Mund të presim që në vitin 2017 të kemi 25 mijë vende të punës dhe po ashtu jam i bindur që në vitin 2017 ta ulim normën e papunësisë nën normën 20 përqind. Tani ne po punojmë në agjendën e reformave evropiane, kemi mjaft shumë punë për të bërë, por këtë punë do ta bëjmë bashkërisht. Kjo reformë ka të bëj me rritjen e konkurrencës,  përkatësisht konkurueshmërisë së bizneseve tona. Ka të bëj me forcimin  e shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit dhe ka të bëj me shtimin e punësimit dhe lidhjes së drejtpërdrejt në .., e cila lidhje akoma po na mungon sepse ne kemi një disproporcion me tregun e punës dhe asaj çfarë ne prodhojmë përmes arsimit publik ose privat. Kjo agjendë neve na ofron drejt Bashkimit Evropian dhe jam i bindur se rruga më e mirë drejt BE-së, është fuqizimi i sektorit privat”, deklaroi Mustafa.

Kurse, për shifrat e korrupsionit që janë prezente në vendin tonë, ai kërkoi nga të gjithë qytetarët, mediet, biznesmenët dhe shoqëritë civile ta paraqesin çdo pengesë ose kërkesë korruptive që i paraqitet nga ndonjë zyrtarë shtetëror.

Mustafa: I ftoj të gjithë ta paraqesin  çdo kërkesë korruptive që vjen nga çdo zyrtar shtetëror

 “Kemi ngecur me liberalizimin e vizave, jam i vetëdijshëm që kjo e dëmton biznesin tek ne dhe qytetarët e Kosovës. Po ashtu, jam i bindur që deputet që po e kundërshtojnë këtë nuk i kanë bërë mirë llogaritë e tyre e as të vendit të cilën ata e përfaqësojnë. Një çështje tjetër është problemi i ekonomive në trazicion dhe pengesat e tyre prej korrupsionit. Me këtë dukuri ballafaqohemi edhe ne, dhe jemi të shqetësuar me raportet e korrupsionit tek ne...Ju bëj ftesë të gjithë juve biznesmenëve, mediave, shoqërisë civile, qytetarëve që të paraqitni çdo pengesë dhe kërkesë korruptive që zyrtarisht iu paraqitet nga zyrtarët shtetëror. Ne korrupsionin duhet ta luftojmë për atë sa ekziston dhe nuk guxojmë ta lejojmë të jetë pengesë e zhvillimit ekonomik”, deklaroi Mustafa.

Në anën tjetër, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami deklaroi se nuk janë të kënaqur për aktivitetet që kanë bërë qeveria dhe ministritë e vendit për ambientin e bizneseve.

Bajrami: Nuk jemi të kënaqur, shpresojmë tek agjendat intensive për përmirësim të kushteve

“Deri sa ka pas bllokadë në parlament, protestë në rrugë, dialog në Bruksel, mur dhe rrëzim të tij, tren dhe ndalim të tij. Qeveria e Republikës së Kosovës, ministritë të cilat kanë në mandat përmirësimin e ambientit të biznesit, së bashku me përfaqësues të biznesit. Në mbështetjen e kryeministrit Mustafa, kanë punuar vazhdimisht dhe po punojnë në përmirësimin e ambientit të biznesit. Andaj, si rezultat i këtyre aktiviteteve jemi këtu ku jemi, nuk jemi të kënaqur por kemi agjenda shumë intensive në mënyrë që siç tha kryeministri të ju mbështesim në çdo hap që iu jeni të suksesshëm”, deklaroi Bajrami.

Biznesmeni Ismet Rukiqi kërkojë nga Ministria e Bujqësisë, që 70% i subvencionimi të iu dërgohet drejtpërdrejt fermerëve, siç tha ai pa hy direkt në kredi bankare.

Rukiqi: Fermerët po hyn në kredi bankare për të përfituar subvencion

“Pse nuk ia keni mundësuar fermerëve që të thithin fondin drejtpërdrejtë nga Ministria e Bujqësisë dhe të mos shkojnë përmes kredive. I keni futur të gjithë në kredia për të marrë 70%, kurse Ministria e Bujqësisë ka mujt drejtpërdrejtë t’ia paguajë pa hy drejtpërdrejtë në kredi, që është shumë në disfavor”, tha Rukiqi.

Kurse, ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi iu përgjigj kërkesës së tij, duke deklaruar se ajo shkakton monopol.

Sipas tij, ajo praktik është tendencë e keqpërdorimit.

Krasniqi:Programet e Bujqësisë janë të hartuara me ekspertët e BE-së

“Është keq me fol për tema pa qenë i mirinformuar, është kreative propozimi yt. Ju po propozoni me ia dhanë 15 milionë euro importuesve e jo fermerëve. Se thatë pse po ia jepni 70% fermerëve se ata duhet me marrë kredi, e më mirë me ia dhënë direkt atyre që shesin makineri dhe shesin fidane. Kjo shkakton monopol dhe tendencë të keqpërdorimit dhe kërkund në botë nuk funksionon ashtu. Programet e bujqësisë nuk i kemi zbuluar na, janë programe të hartuar me ekspertë e BE para 4-5 viteve, dhe janë të harmonizuar me legjislacionin e BE...Duhet të vlerësohet para 5 viteve kemi qenë më keq, në vitin 2015 për masat mbështetëse për fermerët është rritë për 120%, është rritë dyfish, nuk është në nivelin ku unë mendoj që duhet me qenë” deklaroi Krasniqi.

Kryeministri dhe ministrat gjatë kësaj konference potencuan se krahasuar me vitet e kaluara kemi pasur një rritje të ekonomisë së vendit për 4 përqind. Kure, për këtë vit pritet të jetë rreth 5 përqind.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, foli për ndryshimet pozitive që janë bërë deri tani si dhe për planet e projektet që janë paraparë të realizohen gjatë vitit 2017 të cilat do ta avancojnë më tej mjedisin e të bërit biznes dhe do të sigurojnë rritje të konsiderueshme ekonomike në vendin tonë.

Rreth 25 mijë vende të reja pune për vitin 2017

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në konferencën Ambienti i Biznesit 2017 ka thënë se pret që brenda vitit të hapen 25 mijë vende të reja pune, duke ulur kështu normën e papunësisë në normën nën 20 për qind.

Ai ka deklaruar se korrupsioni në Kosovë është perceptim, duke shtuar se do të vazhdojë lufta ndaj kësaj dukurie.

“Perceptimi dhe realiteti sa i përket korrupsionit nuk janë në përputhje njëra me tjetrën. Ne korrupsionin do ta luftojmë sado që të është e mundshme”.

“Brenda dy viteve norma e papunësisë ka rënë nga rreth 35 për qind në 26 për qind. Për dy vjet kemi krijuar mbi 20 mijë vende pune. Po ashtu jam i bindur se papunësia është edhe më e ulët se këto shifra”.

“Këtë vit do të hapim rreth 25 mijë vende të reja të punës. Po ashtu presim që norma e papunësisë të ulet nën 20 për qind”.

Image

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa.

 
Ndoshta po e filloj fjalën time në mënyrë pak të pazakontë, por dëshiroj të shpreh mospajtimin tim dhe irritimin tim me të gjithë ata që për arsye të ndryshme ndjejnë kënaqësi duke konstatuar se Kosova është shteti më i pazhvilluar, duke thënë se jemi shtet me papunësinë dhe me varfërinë më të madhe, se jemi shteti me korrupsionin më të madh dhe me arsimin më të keq. Nuk shohin asgjë të bardhë në këtë vend, por nëse i shohim ata veç e veç, gjithë i kanë punët mirë.
Dëshiroj po ashtu të theksoj se ne kemi përqafuar ekonominë e tregut, të bazuar në iniciativën private, por se akoma kemi probleme me pak mendësi socialiste, sidomos në sektorin e punësimit.

Shumica nuk e trajtojnë veten tamam të punësuar, nëse nuk janë të punësuar në sektorin publik, ku pagat janë më të larta, siguria në punë është më e madhe, mundësitë për të mos punësuar janë shumë më të mëdha, edhe mundësitë për të abuzuar janë më të mëdha, ndryshe nga sektori privat ku efektet dhe angazhimi në punë është më i madh, ku të ardhurat nuk rriten jashtë rezultateve të arritura në treg, ku kemi ballafaqime me riskun dhe ballafaqime me konkurrencën, dhe se dallimet në paga në sektorin publik dhe sektorin privat kanë ndikuar negativisht në tregun e punës.

Kur jemi te varfëria, mund të konstatoj se Kosova shumë shpejt do ta kalon pragun ndërkombëtar të varfërisë, dhe do të konsiderohemi si shtet me të ardhura të mesme. Prandaj, qysh në këtë pjesë të parë të vitit, ne presim që sipas kritereve të Bankës Botërore, nuk do të kemi më argumente që ta quajmë veten vend të varfër, por nuk do të kemi po ashtu mundësi që të shfrytëzojmë fondet nga institucionet  ndërkombëtare të cilat ndahen për vendet e varfëra. Ambienti në të cilin zhvillohet jeta ekonomike në Kosovë, po ashtu nuk varet vetëm nga masat e politikave makroekonomike të cilat ne i ndërmarrim, por varet edhe nga segmentet e tregut, nga politikat e Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Fillimi i implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit paraqet hap të parë të daljes nga lëvozhga e ekonomisë lokale në një ekonomi e cila operon karshi ekonomive tjera të tregut të Bashkimit Evropian, dhe po ashtu ballafaqohemi me risqe dhe të mirat e kësaj rruge të cilën ne po e ndjekim.

Duhet nënvizuar po ashtu që jemi vendi i fundit i tranzicionit, pra vendi që 10 vite më vonë ka hyrë në tranzicion për shkak të luftës dhe për shkak të okupimit, se akoma nuk kemi përfunduar procesin e privatizimit dhe se shumë prona janë jashtë përdorimit ekonomik, se thënë kështu në gjuhën popullore "për kaçikun tonë", kemi një shumë të madhe të parave, rreth 1.9 miliardë euro të Fondit të Privatizimit dhe të Trustit të Kursimeve Pensionale, përkatësisht 31 % të GDP-së të cilat qëndrojnë jashtë funksionit ekonomik, ndryshe për masën e këtyre mjeteve zvogëlohet kërkesa agrekate në treg dhe mundësitë që ne ta nxisim prodhimtarinë edhe ekonominë e brendshme, se investimet kapitale dominojnë në fushën e infrastrukturës ku kthimi nga investimet është shumë i ngadalshëm me efekte shumë indirekte, se kemi një bilanc tregtar shumë negativ me pjesëmarrje të madhe të importit sidomos të produkteve të cilat ne mund t’i prodhojmë brenda dhe mund t’i zëvendësojmë, por po ashtu duhet të konstatojmë se të gjitha këto procese janë ato të cilat ne duhet t’i tejkalojmë dhe duhet t’i marrim si objektive.

Po ashtu të konstatoj që ne jemi këtu dhe jemi të gatshëm që t’i bëjmë këto ndryshime. Themi se mund të shënojmë procese shumë të suksesshme, sepse çdo ditë e më tepër bizneset po tregohen të suksesshme dhe ndërmarrësit tanë po tregohen të suksesshëm. Për më tepër mua më gëzon fakti që kemi arritur të krijojmë një koalicion të përbashkët të ndërtimit të politikave ekonomike me biznese që është për tu vlerësuar në mënyrë të veçantë. Prandaj, sot edhe ne bashkërisht mund të krenohemi për rritje të qëndrueshme ekonomike, jo për rritje të cilën e kemi synuar dhe e synojmë, por për një rritje e cila në pikëpamje progresive po tregon rritje, pra edhe në pikëpamje matematikore është një rritje mbi rritje ekonomike.

Duhet të theksojmë se në vitin 2015 dhe 2016 rritja reale ekonomike ka rritur 4 %, duhet po ashtu të nënvizojmë se kjo rritje bazohet në ekonominë private, në bizneset private, pra gjeneron nga biznesi dhe jo nga investimet në sektorin publik, që është hera e parë që kemi këtë ndryshim, dhe se për dallim prej nesh që kemi një rritje mesatare prej 4 %, në vendet në regjion për këto dy vite ka qenë 2.9 %.

Dhe po ashtu më lejoni të vlerësoj se në bazë të trendëve që ne i kemi tani, mund të presim që rritja ekonomike në vitin 2017 të jetë rreth 5 %.
Produktet tona shikuar nga dizajni, nga cilësia, nga mënyra e prezantimit, nuk mbesin fare prapa produkteve të vendeve të BE-së, edhe pse ne nganjëherë dimë të nënçmojmë vetveten dhe prodhimtarinë vendore. Shërbimet tregtare, duke filluar nga infrastruktura, nga objektet tregtare, nga ofrimet e këtyre shërbimeve po ashtu janë konkurruese dhe të krahasueshme me vendet tjera. Infrastruktura rrugore  tejkalon atë të disa vendeve fqinje. Roli i autostradës “Ibrahim Rugova” që na lidh me Durrësin dhe me Shqipërinë po rritet dita-ditës, kurse hapja e kësaj autostrade me Serbinë do të krijoj korridore dalëse me vendet e Evropës qendrore dhe të Evropës perëndimore.
Autostrada tjetër për në Shkup po bëhet arterie tepër e rëndësishme e cila do të lidh me Maqedoninë, me Greqinë, me Turqinë dhe vendet tjera aziatike, rekonstruimi i hekurudhës për të cilën kemi siguruar fondet e nevojshme, do të jetë po ashtu një resurs shumë i rëndësishëm i transportit edhe për mallra edhe për udhëtarë.

Të nderuar pjesëmarrës

Gjatë kësaj periudhe ne kemi lidhur shumë marrëveshje për financim për projekte të ndryshme me shumë vende perëndimore, kemi lidhur me Gjermaninë, me Austrinë, me Francën, Zvicrën, Luksemburgun, me Suedinë, kemi përgatitur marrëveshjen me Hungarinë, janë në vijim marrëveshjet me Italinë, kemi arritur të plotësojmë kushtet për të qëndruar në programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe të përfitojmë nga financimi i projekteve nga ky fond, nga Banka Botërore, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nga Banka Evropiane për Investime dhe nga Banka Gjermane për Zhvillim.

Me Shtetet e Bashkuara  të Amerikës do të ndërtojmë Termocentralin Kosova e Re, një investim prej mbi 1 miliard euro, po realizojmë projektin e veçantë me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe përfundimisht, gjitha këto marrëveshje dhe gjithë ky bashkëpunim flet se ne jemi të orientuar për zhvillim ekonomik që na lidh me botën perëndimore, pra orientimi ynë ekonomik është evropian dhe amerikan, politikat tona ekonomike, politika që vlerësojnë tregun dhe kushtet e tregut, por edhe në efekte sociale të tyre.

Për herë të parë kjo qeveri e koalicionit ka një buxhet zhvillimor me një rritje për investime kapitale prej rreth 50 %, në krahasim me vitin që e lam pas. Këto investime në mënyrë direkte apo indirekte do të kenë efekte në angazhimin e bizneseve dhe efekte në punësim. Kritikuesit do të thonë çfarë buxheti është ky, i cili bazohet në huazime, por logjika ekonomike thotë se për sa më tepër investojmë në infrastrukturë publike, në arsim e shëndetësi, si investime produktive, për aq më shpejt do të kemi kthim nga këto investime, do të kemi kushte për rritje më të hershme ekonomike të vendit.

Po ashtu ju keni sprovuar se investimet përmes kreditimit në rrethana stabile ekonomike krijojnë kushte që fitimi në asetet vetanake të jetë më i lartë.
Jemi të interesuar po ashtu që të shpejtojmë procesin e privatizimit dhe unë me këtë rast dëshiroj që të përgëzoj për punën e mirë që po e bënë Bordi i Agjencionit Kosovar të Privatizimit, prandaj ne bashkërisht do të identifikojmë projektet dhe pasuritë për të cilat do të kërkojmë investitorë strategjik, sipas Ligjit mbi Investimet Strategjike i cili tash ka hyrë në fuqi.

Dua të them po ashtu se sektori bankar gjithnjë më tepër po përshtatet për nevoja e kreditimit të bizneseve, veçmas të prodhimit, si në pikëpamje të zbutjes të normave të interesit, në pikëpamje të afateve të kreditimit, dhe në pikëpamje të kushteve të kolateralit.

Edhe risku i moskthimit të kredive tek ne është gjithnjë e në rënie në krahasim me vendet në regjion dhe më gjerë. Ne kemi intensifikuar agjendën e reformave tani po punojmë në pakon e dytë fiskale e cila ka për qëllim që ne të barazojmë kushtet e të bërit biznes për të gjitha bizneset, jo vetëm brenda por edhe me bizneset tjera në pikëpamje të konkurrencës. Rezultatet e këtyre reformave janë të njohura dhe në Raportin e të Bërit Biznes të Bankës Botërore. Ky raport e rendit Kosovën në disa vende më lartë në krahasim me atë që kemi qenë më parë, dhe ne do të vazhdojmë për të lehtësuar kushtet e të bërit biznes.

Mendoj se këto reforma kanë reflektuar edhe numrin e bizneseve që janë hapur gjatë këtyre dy viteve. Janë 10 mijë e 549 biznese të cilat janë regjistruar në vitin 2016. Një numër i rëndësishëm i këtyre bizneseve janë të fushës së bujqësisë, janë të sektorit të prodhimit dhe janë të sektorit të teknologjisë informatike.

Sipas të dhënave të Agjencionit të Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë dhe sipas të dhënave krahasuese të vendeve tjera, shihet qartë se rritja e vazhdueshme e numrit të regjistrimit të biznesve duke arritur numrin më të madh në vitin që e lam pas, është më e madhe sesa në vendet në regjion, ndërsa shuarja vullnetare e bizneseve është bindshëm më e vogla. Do të thotë në vitin 2016 janë shuar 2 mijë 379 bizneseve prej 10 mijë e 549, prandaj kemi një rritje neto të bizneseve prej 8 mijë biznese të reja, dhe në qoftë se këtë e shndërrojmë në efekte të punësimit, e shohim që është me rëndësi shumë të madhe.

Mund të konstatoj po ashtu se duke përjetuar një trend normal të krijimit dhe të zhvillimit të biznesve, dhe të shuarjes së tyre, ky trend është pozitiv në raport me vendet fqinje. Gjatë vitit 2016 në Serbi janë shuar 84 % e bizneseve në krahasim me ato që janë regjistruar, në Maqedoni 72 % e bizneseve, në Mal të Zi 63 %, në Kroaci kemi rënie negative, sepse janë shuar 26 për qind më shumë biznese sesa ato që janë regjistruar gjatë vitit, kurse edhe në Slloveni kemi një trend negativ sepse më shumë janë shuar sesa që janë regjistruar për një vit.

Në qoftë se e marrim Gjermaninë si një vend të zhvilluar, kemi shuarjen prej 67 për qind të bizneseve në raport me ato që regjistrohen gjatë vitit.
Investimet e huaja direkte gjatë dy viteve të fundit kanë pas po ashtu performancë relativisht të mirë. Në vitin 2015 investimet e huaja direkte kanë arrit në 360 milionë euro, në vitin 2016 në 220 milionë, që përbëjnë 4.5 % të GDP-së ose pjesëmarrjen në GDP.

Kjo e bënë Kosovën një vend me performancë mesatare për investime të jashtme, jemi më mirë se disa vende, do të thotë më mirë se Bosnja, se Maqedonia, por jemi më keq se Mali i Zi, se Shqipëria dhe ne duhet të bëjmë përpjekje që të përmirësojmë performancën në këtë fushë.

Kemi ngec me liberalizimin e vizave. Unë jam i vetëdijshëm që kjo e dëmton shumë biznesin tek ne, i dëmton shumë qytetarët  e Republikës së Kosovës, por po ashtu jam i bindur që deputetët të cilët po kundërshtojnë ta bëjnë këtë, nuk i kanë bërë mirë llogaritë e tyre as llogaritë e vendit të cilin ata e përfaqësojnë.

Është një çështje tjetër të cilën desha ta hap para jush, është problemi i ekonomive në trancizion dhe ballafaqime të tyre me korrupsionin. Me këtë dukur ballafaqohemi edhe ne jemi të shqetësuar për raportet që flasin për korrupsionin tek ne. Në raportin e  fundit të Transperency International, raportohet se 65 % e qytetarëve tanë e shohin korrupsionin si problemin kryesor në vend, në anën tjetër qytetarët e Kosovës shprehën se 10 për qind e tyre janë ballafaquar me kërkesa të drejtpërdrejta për mito në shërbime të ndryshme. Në këtë rast shohim se perceptimit realiteti sa i përket korrupsionit nuk janë në harmoni me njëra-tjetrën.  Por pa marrë parasysh këtë, si kryeministër i vendit, unë edhe sot ju bëjë ftesë juve, biznesmenëve, mediave, shoqërisë civile, qytetarëve, që të paraqitni çdo kërkesë korruptive e cila eventualisht ju paraqitet nga zyrtarët shtetërore.

Ne korrupsionin duhet ta luftojmë për aq sa ekziston, nuk guxojmë të lejojmë që korrupsioni të jetë pengesë e zhvillimit ekonomik, pengesë e investimeve të huaja dhe pengesë e qytetarëve në institucionet e vendit.

Punësimi si objektiv i yni tjetër mbetet i prioritetit të lartë. Por në punësim po ashtu kemi rezultate të cilat janë të pamohueshme. Brenda dy viteve norma e papunësisë sipas të dhënave statistikore ka rënë prej rreth 35 % në vitin 2014, në rreth 26 % në vitin 2016.  Për dy vite ne llogarisim se kemi krijuar 40 mijë vende pune, shumica prej tyre janë vende të reja të punës, megjithatë bindja ime është që papunësia është edhe më e ulët, sesa që figuron, sepse sidomos në sektorin e bujqësisë, sipas anketës të fuqisë punëtore dhe ATK-së, ka vështirësi të identifikohet papunësia reale.

Statistikat zyrtare flasin se ne kemi 10 mijë të punësuar në bujqësi, por vlerësimet e specializuara vlerësojnë se kemi rreth 0 mijë vende të punës në bujqësi por të cilat nuk janë të formalizuara. Në anën tjetër shprehet edhe mungesa e punëtorëve në disa regjione të cilët nevojiten për bujqësi. Aktualisht janë 110 mijë persona që janë të regjistruar si punëkërkues, në zyret e punësimit, dhe ky numër është edhe rezultat i masave të cilat janë marrë nga investimet e jashtme nga bashkatdhetarët tanë dhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në ndërmjetësime në punësim.

Mund të presim që në vitin 2017 të kemi rreth 25 mijë vende të reja të punës, dhe po ashtu jam i bindur që në vitin 2017 ta ulim normën e papunësisë nën shifrën prej 20 për qind.
Të nderuar pjesëmarrës
Tani ne po punojmë në reformën e agjendës evropiane. Kemi mjaft shumë punë për të bërë punë, por këtë punë duhet ta bëjmë bashkërisht.
Kjo reformë ka të bëjë me rritjen e konkurrencës, përkatësisht me rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve tona, ka të bëjë me forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit dhe ka të bëjë me punësimin dhe lidhjen e drejtpërdrejt të punësimit me arsimin, e cila lidhje akoma po na mungon, sepse ne kemi disproporcion mes tregut të punës dhe asaj që ne prodhojmë përmes arsimit, qoftë publik apo provat.

Unë jam i bindur se kjo agjendë neve na ofron me vendet e Bashkimit Evropian dhe po ashtu jam  i bindur se rruga më e mirë drejt Bashkimit Evropian është fuqizimi i sektorit privat, dhe me këtë dëshiroj t’ju uroj sukses në këtë punë dhe t’ju shpreh përkrahjen e plotë të Qeverisë.
Faleminderit.
 

Konferenca “Ambienti i Biznesit 2017”

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Biznesit të Vogël 2017”, ka organizuar konferencën “Ambienti i Biznesit 2017”, ku do të prezantohen planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës drejt zhvillimit të sektorit privat.

Organizohet konferenca “Ambienti i Biznesit 2017”

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Biznesit të Vogël 2017”, sot organizon konferencën “Ambienti i Biznesit 2017”, ku do të prezantohen planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës drejt zhvillimit të sektorit privat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat