Klubi i Bizneseve Frankofone mundëson investimet në Kosovë

Ekonomi

Klubi i Bizneseve Frankofone mundëson investimet në Kosovë

Më: 23 mars 2017 Në ora: 15:36
Promovimi i Klubit të Bizneseve Frankofone

Sot është promovuar Klubi i Bizneseve Frankofone, i cili do të mundësojë që Kosova të promovojë vlerat ekonomike të vendit dhe mundësitë për investime.

Krerët institucional  në këtë eveniment siguruan se këto vite është investuar shumë në infrastrukturën teknike dhe ligjore, duke krijuar lehtësira për investitorët potencialë dhe duke ndikuar në përmirësimin e ambientit të përgjithshëm të të bërit biznes.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi se hapja e këtij klubi e bën Kosovën pjesë të Frankofonisë dhe i gëzohet mundësive që të thellojnë bashkëpunimin në të gjithë sektorët me vendet anëtare të këtij forumi të rëndësishëm botëror.

Sipas tij, Kosova është shtet i ri me mundësi të mëdha për investime.

Thaçi: Është nevojshme që bota të mësojë për potencialet e Kosovës

“Është nevojshme që bota të mësojë për potencialet e Kosovës, por edhe që afaristët kosovarë të përfitojnë nga përvojat dhe mundësitë që ofron bota sot. Klubi që po themeloni sot, përbën një forum të tillë në të cilin shkëmbehen përvoja, shkëmbehen informata, por edhe lidhen partneritete dhe marrëdhënie bashkëpunimi”, theksoi Thaçi.

Ai ka folur edhe për Ligjin për Investime Strategjike, i cili do t’i mundësojë Qeverisë së Kosovës që të hyjë në diskutime të drejtpërdrejta me investitorët potencialë në resurset dhe projektet me rëndësi strategjike kombëtare për Kosovën.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli,  ka siguruar për mbështetje të plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, përmes këtij mekanizmi që po lansohet sot, do të hulumtohen mundësitë e bashkëpunimit ekonomik të Kosovës me vendet anëtare të frankofonisë.  Ai tha se Republika e Kosovës, shteti më i ri në Evropë, me burime të shumta natyrore, me një popullatë shumë vitale, e një rini që aspiron vlerat perëndimore, ofron një perspektivë të sigurt investive për kompanitë e huaja.

Veseli: Jemi të vendosur të mos tolerojmë asnjë faktor që pengon zhvillimin ekonomik

 “Jemi të vendosur të mos tolerojmë asnjë faktor që pengon zhvillimin ekonomik të vendit tonë, ngase prej këtij zhvillimi varet çdo proces tjetër që ka të bëjë me fuqizimin e shtetit ligjor, finalizimin e demokratizimit të shoqërisë, dhe ecjen përpara në integrimet euro-atlantike. Jam I bindur që me punën e tij, ky Klub afarist frankofon, jo vetëm që do të sjell investues të huaj që i nevojiten aq shumë Kosovës, por njëkohësisht do të mundësojë që edhe kompanitë kosovare të depërtojnë në tregjet e punës të vendeve anëtare të frankofonisë”, deklaroi Veseli.

Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi lartë formimin e klubit të ri të bizneseve. Tha se asociacionet e bizneseve në Kosovë luajnë një rol të rëndësishëm për rritje ekonomike dhe për një zhvillim të qëndrueshëm, dhe i siguroi të pranishmit se të gjitha politikat ekonomike dhe politikat fiskale janë ndërtuar me një partneritet të plotë me këto asociacione të bizneseve.

Mustafa: Asociacionet e bizneseve luajnë një rol tejet të rëndësishëm në sigurimin e rritjes ekonomike

“Asociacionet e bizneseve luajnë një rol tejet të rëndësishëm në sigurimin e rritjes ekonomike, në zhvillimin e qëndrueshëm në prosperitetin tonë të përbashkët edhe ekonomik dhe social. Dhe kjo përkrahje është një përkrahje tepër domethënëse e jona, sepse lidhjet e deritanishme politike të cilat I kemi pasur me vendet frankofone tani po i forcojnë edhe me lidhje të fuqishme ekonomike”, theksoi kryeministri Mustafa.

Ai shtoi se i gëzohet fuqizimin të këtij sektori dhe këtij bashkëpunimi me bizneset franksofone.

E bashkëdrejtuesi i Klubit Afarist Frankofon në Kosovë, Roger Fornereis, tha se do të angazhohen që të promovojnë dhe lehtësojmë në vepra bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe shteteve të Frankofonisë. Sipas tij, perspektivat e zhvillimit të Kosovës janë të shkëlqyera, është mundësi e shkëlqyer për të gjitha kompanitë e Kosovës dhe kompanitë ndërkombëtare.

Fornereis shtoi se sektorët prioritar mes Kosovës që do të merren parasysh nga Klubi afarist janë këto: Industria, zhvillimi i transporteve ajrore dhe tokësore, numerika, financat, kimia, aeronautika, agrikultura, agronomia, transformimi i pemëve dhe perimeve e eksportimi i tyre, menaxhimi i resurseve natyrore do të mundësojë produkte cilësore, gastronomia do të rritet, shëndetësia, turizmi.

Në këtë promovim folën edhe ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami dhe ministri i MZHE, Blerand Stavileci.

Në kuadër të Klubit të Bizneseve Frankofone bëjnë pjesë Franca, Zvicra, Belgjika, Luksemburgu dhe vende tjera.

President i këtij Klubi në Kosovë është zgjedhur Rrahim Pacolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat