Gjermania do të vazhdojë mbështetjen për BQK-në

Ekonomi

Gjermania do të vazhdojë mbështetjen për BQK-në

Më: 9 gusht 2017 Në ora: 13:52
Ambasadorja e Gjermanisë Angelika Viets gjate takimit me guvernatorin e BQK-së, Bedri Hamza

Ambasadorja e Gjermanisë Angelika Viets në Prishtinë tha sot se Qeveria gjermane do të vazhdojë bashkëpunimin dhe do të mbështesë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme të cilat ndihmojnë në avancimin e funksioneve të saj.

Ajo gjatë një takimi lamtumirës me guvernatorin e BQK-së, Bedri Hamza, u shpreh e kënaqur që ishte përkrahëse e zhvillimeve pozitive të arritura në sektorin financiar sidomos gjatë viteve të fundit në Kosovë.

Ndërsa, guvernatori Hamza ka falënderuar ambasadoren Viets, për mbështetjen e vazhdueshme që BQK-ja ka marrë nga Qeveria gjermane, dhe ka shprehur bindjen që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ai ka theksuar bashkëpunimin e vazhdueshëm që BQK-ja ka me institucionet gjermane, si Ministrinë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ), Autoritetin Federal të Mbikëqyrjes Financiare (Bafin), Institutin Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe me Bankën Qendrore Evropiane (ECB).

Sektori financiar në Kosovë është një ndër sektorët më stabil dhe funksional, falë përkrahjes dhe mbështetjes së vendeve evropiane, të cilat janë pjesë e ndërtimit dhe avancimit të këtij sektori.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat