Marrëveshja e Kosovës me MCC-në, ekspertët tregojnë a do të ketë rezultate

Ekonomi

Marrëveshja e Kosovës me MCC-në, ekspertët tregojnë a do të ketë rezultate

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 shtator 2017 Në ora: 15:53
Ilustrim

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do ta nënshkruajë sot marrëveshen e investimeve me MCC-në nga e cila Kosova do t’i përfitojë 49 milionë dollarë.

Thaçi përmes një statusi në Facebook, ka treguar dje për këtë marrëveshje duke thënë se është fjala për investime të menjëhershme në fushat, si energjia efiçente dhe lufta kundër korrupsionit.

“Nesër do ta nënshkruajmë marrëveshjen e investimeve me MCC-në. Është hera e parë në histori të këtij agjencioni qeveritar amerikan që marrëveshja po nënshkruhet në ndërtesën e kongresit, në prani të liderëve demokratë e repulikanë.

Është fjala për investime të menjëhershme në fushat, si energjia efiçente dhe lufta kundër korrupsionit. Falënderoj lidershipin e MCC-së, kongresmenin Engel, stafin e USAID-it, si dhe ekipin kosovar të udhëhequr nga Petrit Selimi për punën e madhe që kanë bërë ashtu që këto investime të aprovohen në afat rekord”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndërsa, ish- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se kjo marrëveshe ishte incizuar në qeverisje të tij.

Mustafa, marrëveshjen në Washington e konsideron si lajm të mirë, gjersa ka shtuar se me gjitha vështirësitë e gjithanshme, LDK-ja ka arritur ta çkap shtetin.

“Është lajm i mirë që sot në Washington do të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe MCC-së, përmes të cilës Kosova do të përfitojë 49 milionë dollarë, që do të fokusohen në sundimin e ligjit dhe në efiçencën e energjisë.
Qeveria e kryesuar nga LDK-ja, arriti ta kualifikojë Kosovën për programe të MCC-së, falë përmbushjes së kritereve duke përfshirë luftën kundër korrupsionit të instaluar në të gjitha poret e institucioneve nga dy qeveritë paraprake. 
Me gjithë vështirësitë e gjithanshme, LDK arriti të nis çkapjen e shtetit, dha shembull se si qeveriset pa afera dhe korrupsion dhe se si drejtohet zhvillimi ekonomik i bazuar në iniciativën private. Përkrahja e Qeverisë së SHBA-së ka domethënie të veçantë për Kosovën. 
Prandaj, si Kryetar i LDK-së falënderoj qeverinë dhe popullin amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për vendin tim” ka shkruar Mustafa, sot në Facebook.

Duke folur rreth funksionimit të kësaj marrëveshje, ekspertët e ekonomisë kanë vlerësuar se varet nga menaxhimi i saj.

Ish- deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njohësi i ekonomisë, Muhamet Mustafa, ka thënë se është fakt që kjo marrëveshje është negociuar që nga viti i kaluar.

Sipas Mustafës, mbetet të shihet për rezultatet që do të arrihen gjatë zbatimit të saj.

“Kjo marrëveshje e cila është negociuar gjatë vitit të kaluar, tash është një fakt. Se sa do të përfitohet varet nga menaxhimi i saj dhe plotësimi i kritereve të caktura si dhe rezultatet që arrihen gjatë zbatimit të saj. E kjo mbetet për t’u parë në muaj të ardhshëm!” ka pohuar Mustafa për “Bota sot”.

Image
Muhamet Mustafa

Marrëveshja e investimeve me MCC-në do të fokusohet në dy fusha: në Sundimin e Ligjit dhe Efiçencë në Energji përmes projekteve të ndryshme që do të implementohen brenda katër vjetësh.

Kjo është ceremonia e parë në historinë e MCC-së, që nënshkruan një marrëveshje të tillë në Kongres.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat