Limaj: Qeveria do të jetë gjithnjë në krah të prodhuesve

Ekonomi

Limaj: Qeveria do të jetë gjithnjë në krah të prodhuesve

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 16:09
Pamje nga vizita e Limajt, Hasanit dhe Asllanajt

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe kryetari i komunës së Suharekës Sali Asllanaj. kanë vizituar Parkun e Biznesit në Suharekë, ku vizituan Fabrikën e Mobileve ” Te Naseri”, Fabrikën e Stiroporit “Graniti” dhe Fabrikën e prodhimit të elementeve te Betonit ”I Seferi”.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj tha se Parku i Biznesit në Suharekë, është model dhe udhërrëfyes, për të gjithë prodhuesit, biznesmenët, ndërmarrësit në Kosovë, për të ecur dhe për ta drejtuar vendin, drejt zhvillimit ekonomik. Limaj tha se ky park duhet të jetë shembull i një parku industrial në rajon.  Ndërsa i siguroi prodhuesit se tash e tutje, nuk do të mbesin pa mbështetjen  e Qeverisë dhe institucioneve të vendit.

Limaj: Qeveria e re, do të jetë në krah të prodhuesve

“Ne sot përmes Suharekës, duam të përcjellim mesazhin, për të gjithë prodhuesit e Kosovës që Qeveria e re përfundimisht do të jetë në krah dhe në mbështetje të tyre. Gjithë prodhuesit e Kosovës duhet ta kenë të qartë që ne do të jemi në krah të tyre, në mbështetje të tyre. Në krah të atyre që kanë marrë peshën e zhvillimit të vendit tonë. Në krah të tyre që janë si rezultat i punës së tyre, iniciativave të tyre angazhimit të tyre, kanë hapur qindra,-mijëra vende të punës, mbushin buxhetin e Kosovës dhe japin shpresë për zhvillimin e vendit. Sot i thash dhe kryetarit në këtë vizitë se pavarësisht këtyre zhvillimeve politike, se kushdo që do ta drejtojë nesër Suharekën, do ta ketë mbështetjen e plotë të Qeverisë sonë”, tha Limaj.

E ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, tha se do t’i ndërmarrin të gjitha masat, me qëllim që të fuqizohet prodhimi vendor.

Hasani: Do ta fuqizojmë prodhimin vendor

“Jo rastësisht kemi zgjedh zonën ekonomike të Suharekës. Nga këto do të japim një mesazh të qartë se të gjitha zonat ekonomike në nivel të vendit që janë kryer të gjitha procedurat si në Drenas, Lipjan, Shtime, në Viti do t’i përkrahim dhe do t’i shtyjmë përpara. Ne sot këtu vizituam disa prodhime ku u fasciounuam se kemi njerëz, kemi punëtor që  dojnë punën. Ne do t’i qëndrojmë fuqishëm të gjithë prodhuesve dhe do të marrim të gjitha masat mbrojtëse, që ta fuqizojmë prodhimin vendor”, tha Hasani.

Ndërkaq kryetari i komunës së Suharekës Sali Asllanaj, tha se përfaqësuesit institucional gjatë kësaj vizite, i dhanë mbështetje dhe premtime se do t’i mbështesin bizneset e kësaj komune.

Asllanaj: Na premtuan se do t’i mbështesin bizneset e komunës sonë

“ Erdhën për të na dhënë mbështetje, për të na dhënë premtime që do të vazhdojnë mbështetjen e bizneseve në komunën tonë dhe ta bëjmë Parkun Industrial, zonën ekonomike këtu në Therandë, vërtetë një qendër të mirëfilltë ekonomike, e cila kishte me rrezatu pozitivisht ndoshta jo vetëm në komunën  tonë por dhe në regjion dhe tërë Kosovën”, tha Asllanaj.

Ndërkaq pronari i fabrikës për prodhimin e mobileve “ Te Naseri”, Naser Gashi tha se  prodhimet e   tyre tashmë gjenden dhe në Tregun e Zvicrës dhe së shpejti pritet të jenë prezent dhe në tregun gjerman. Ndërsa tha se mbështetja institucionale nuk u ka munguar asnjëherë.

Gashi: Kemi mbështetje të madhe nga komuna dhe shteti

“Mbështetjen komunale e kemi të madhe. Mbështetjen e shtetit e kemi shumë të madhe. Kemi punëtorë që e paguan një pjesë UNDP ja, një pjesë MPMS, me një përqindje na pak ata një pjesë. Do të thotë ka prej socialeve që i punësojnë këtu tek ne. Ka shumë kategori të njerëzve që vijnë edhe i punësojmë dhe ne i mirëpresim.”, tha ai.

Kjo është vizita e parë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë që u bën bizneseve prej se kanë marrë postin e ministrit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat