Dëmtimi i buxhetit përmes aneks kontratave

Ekonomi

Dëmtimi i buxhetit përmes aneks kontratave

Më: 1 nëntor 2017 Në ora: 23:43
Palestra në Rahovec

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur shkelje të shumta që bëhen gjatë realizimit të projekteve infrastrukturore nga institucionet e Kosovës.

Këto shkelje të evidentuara nga Auditori kanë rezultuar me zvarritje të punimeve dhe kosto shtesë për buxhetin e Kosovës.

Vlerësimi i dobët i nevojave për një projekt, ekzaminimi i dobët i kushteve fizike, mungesa e mjaftueshme e fondeve, verifikimi i lokacioneve për ndonjë kontest pronësor, vonesa në punime dhe një sërë problemesh tjera që e përcjellin këtë fushë krijon vonesa në përdorimin e objekteve dhe krijon kosto shtesë nga buxheti.

Në raportin e performancës mbi planifikimin e kontratave ndërtimore të publikuar në korrik të vitit 2017 si mostër janë marrë 28 objekte të ndërtuara nga Ministria e Administratës Publike (MAP) dhe 13 objekte nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për periudhën 3-vjeçare nga viti 2013 deri në vitin 2016, me ç’rast janë shpenzuar 58 milionë euro.

Gjatë auditimeve financiare të këtyre ministrive Auditori ka evidentuar se projektet kanë pësuar ndryshime në sasi: një objekt nuk është ndërtuar sipas projektit të kontraktuar, disa ndërtime kanë pasur vonesë në punime me muaj apo vite të tëra.

Auditori ka gjetur se janë paguar punët pa u kryer projekti dhe kjo shkakton kosto shtesë.

Me një ilustrim Auditori përshkruan se një vonesë e projektit prej katër muajsh për 58 milionë euro krijon një normë interesi prej 6% , apo për kosto kapitale humben 3 milionë e 500 mijë euro.

Te projektet e MAP-it janë 3 objekte që kanë kushtuar për 550 mijë euro më shtrenjtë se sa janë kontraktuar.

Qendra e Paraburgimit në Prishtinë është kontraktuar me 5 milionë e 900 mijë euro (5.900.000) e ka kushtuar për 520 mijë euro më shtrenjtë.

Për këtë projekt janë paguar 6 milionë e 400 mijë euro (6.400.000).

Për 10 mijë euro më shtrenjtë ka kushtuar edhe objekti i Prokurorisë së Gjilanit. Ky objekt është kontraktuar për 820 mijë euro, ndërsa janë paguar 830 mijë euro.

Rritje të kostos kishte edhe në ndërtimin e aneksit në një shkollë në Gjilan, e cila është paguar 20 mijë euro më shumë. Ishte kontraktuar për 210 mijë euro ndërsa në fund të punimeve janë paguar 230 mijë euro.

Auditori ka bërë vlerësimin e disa projekteve në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Kjo Ministri në total i ka paguar 280 mijë euro më shumë sesa vlera e kontraktuar fillimisht.

Palestra në Deçan ishte kontraktuar për 1 milion e 530 mijë euro (1.530.000), por ishte paguar 1 milion e 660 mijë euro (1.660.000). Për ndërtimin e saj janë paguar 129 mijë euro më shumë.

Palestra Sportive në Drenas është kontraktuar me 650 mijë euro, përderisa për këtë projekt janë paguar 700 mijë euro. Për të janë shpenzuar 50 mijë euro më shumë.

Edhe ndërtimi i Palestrës në Klinë ishte paguar për 56 mijë euro më shumë, pasi kontrata fillestare ishte kontraktuar me 1 milion e 270 mijë euro (1.270.000), përderisa për këtë projekt janë paguar 1 milion e 330 mijë euro (1.330.000).

Edhe stadiumi ndihmës në Prizren i ka kushtuar buxhetit 45 mijë euro më shumë. Është kontraktuar me 390 mijë euro ndërsa për këtë projekt janë paguar 435 mijë euro.

Sipas Auditorit, MKRS-ja që nga fillimi kishte pasur probleme me caktimin e prioriteteve për ndërtimin e këtyre palestrave.

Kjo Ministri, sipas Auditorit, kishte kontraktuar disa projekte njëkohësisht pa i siguruar fondet për implementimin e plotë të tyre.

Auditori ka gjetur shumë shkelje në projektet e kësaj Ministrie për ndërtimin e palestrave sportive në tri qytete: Deçan, Drenas dhe Klinë.

Palestra në Deçan ishte zvarritur për shkak të ndryshimeve të shpeshta në specifikim teknik, punëve shtesë.

Sipas Auditorit, fondet e ndara për projekt ishin harxhuar pa u kryer plotësisht të gjitha punët në palestër.

Sipas Auditorit nevojiten edhe 670 mijë euro për të përfunduar plotësisht projektin në të cilin punimet kishin filluar në vitin 2009.

Auditori ka konstatuar se shumë nga objektet që ishin ndërtuar janë bërë pa një analizë paraprake nëse i njëjti është i nevojshëm për komunitetin.

“Ndërtimi i palestrave sipas Auditorit është bërë vetëm nga dokumentet e nevojshme të marra nga Bashkimi Europian pa ndonjë vlerësim nga terreni, nga njëmbëdhjetë projektet e marra si mostër për auditim. 2/3 e rasteve apo 8 projekte nuk kishin pasur kurrfarë vlerësimi të nevojave. Shumica e projekteve ishin iniciuar pa pasur një pasqyrë të qartë të nevojave”, thuhet në raportin e Auditorit.

Kushtet fizike po ashtu janë të nevojshme të kontrollohen se mbi çfarë lloj terreni do të bëhet ndërtimi. Sipas Auditorit para fillimit të ndërtimeve duhet të inspektohet infrastruktura përreth, a është lokacioni lehtësisht i qasshëm, a ka infrastrukturën e nevojshme, a ka ndonjë pengesë që duhet të merret parasysh para fillimit të ndërtimit.

Mungesa e një inspektimi të tillë, sipas Auditorit, krijon kosto shtesë dhe vonesa në punime.

Auditori po ashtu ka vlerësuar se lidhja e kontratave në mungesë të fondeve paraqet vonesa në punime duke specifikuar dy kontrata të MAP-it.

Buxheti i përgjithshëm për të dy kontratat ishte 4 milionë e 600 mijë euro (4.600.000) ndërsa vlera e kontraktuar e të dy projekteve ishte 11 milionë e 600 mijë euro (11.600.000).

“Nga kjo ka rrjedhur se njëri projekt ishte përfunduar 95% dhe ishte paguar vetëm 60% e projektit, kështu që detyrimi i MAP-it ndaj kontraktorit ishte 1 milion e 600 mijë euro (1.600.000) për shkak të fondeve të pamjaftueshme”, thuhet në raportin e Auditorit.

Problemi tjetër që ka konstatuar Auditori është moskontrolli i çështjes së pronësisë.

Si rast në raport përmendet ndërtimi i Qendrës Korrektuese nga Ministria e Administratës Publike, i cili pas fillimit të ndërtimeve ka hasur në pengesa me pronarin e njërës pjesë të parcelës ku është dashtë të ndërtohet ajo qendër.

Pas procedurave gjyqësore është vendosur në favor të MAP-it, mirëpo janë shkaktuar vonesa në punime.

Një rast të tillë e ka hulumtuar edhe “Jeta në Kosovë” në emisionin e publikuar në maj të vitit 2017, ku për shkak të një kontesti pronësor ka mbetur pa u përfunduar ndërtimi i impiantit dhe trajtimit të ujërave të zeza në Parkun e Biznesit në Drenas, i cili u ka shkaktuar ndotje të ujit dhe ambientit qytetarëve që jetojnë në afërsi të këtij Parku.

Nga të gjitha konstatimet ZKA e sheh të arsyeshme supozimet se problemet e lartcekura nuk përkojnë vetëm me projektet që ata i kanë shqyrtuar. Problemi aktual i menaxhimit të projekteve ndërtimore sipas Auditorit shkakton pasoja të kostos për shoqërinë dhe për buxhetin e shtetit./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat