Hamza tregon për sa do të rriten pagat

Ekonomi

Hamza tregon për sa do të rriten pagat

Më: 12 nëntor 2017 Në ora: 11:43
Bedri Hamza

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka deklaruar se nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të rriten pagat e punonjësve në sektorin publik për 4 përqind, 20 përqind rritje për skemat sociale, ndërsa për pensionet nuk do të ketë rritje, ngase sipas tij, për këtë kategori ka pasur rritje para një kohe.

Ministri i Financave në një intervistë për Kp ka përsëritur se projekt-buxheti i planifikuar për 2018 është 2 miliardë e 82 milionë euro. Ndërsa, pjesa më e madhe e shpenzimeve shkon për investimet kapitale me gjithsejtë 687 milionë euro ose 33 përqind e buxhetit.

 Hamza: Pagat do të rriten 4 përqind

“Në buxhet janë trajtuar edhe çështjet sociale, do të ketë rritje të pagave për të gjithë të punësuarit që realizojnë paga përmes buxhetit të Kosovës në përputhje me rritjen ekonomike dhe legjislacionin në fuqi... do të jetë diku rreth 4 përqind...Pensionet janë rritur para një kohe, sidomos pensionet kontribut-dhënës, ndërsa kategoritë e skemave sociale nuk është rritur qe një kohë të gjatë. Të gjitha analizat e FMN dhe BB qojnë në përfundim që skema e cila ka pasur nevojë urgjente për përkrahje, është skema për familjet në asistencë sociale”, potencoi ministri Hamza.

Ai po ashtu ka thënë se për investimeve kapitale janë të përfshira projekte të konsiderueshme të infrastrukturës, duke përfshirë infrastrukturën rrugore, objekte shkollore, sportive dhe të ngjashme.

Ministri Hamza po ashtu theksoi se përveç Ministrisë së Shëndetësisë, është planifikuar të trajtohet me prioritet të lartë edhe sektori i rendit dhe ligjit.

Me buxhetin për vitin 2018, ai tha se rëndësi e veçantë me prioritet i është kushtuar edhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili ka një rritje buxhetore 12 përqind në krahasim me vitin paraprak, si dhe Këshilli Prokurorial të Kosovës me një rritje 27 përqind për rritjen e stafit për 690 pozita.

Hamza: Kemi ndarë buxhet për 700 vende të reja të punës në sistemin e drejtësisë

“Janë krijuar mundësi me buxhetin  e vitit të ardhshme të plotësohen edhe 690 pozita të reja. Kjo me qellim që ne të kontribuojmë në ngritjen e kapaciteteve, për rritjen e stafit me gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe bashkëpunëtorë profesional, në mënyrë që të kemi një zvogëlim dhe një përshpejtim të trajtimit të lëndëve nëpër gjykata. Është trajtuar si prioritet edhe shëndetësia, ku buxheti për shëndetësi në nivel qendrorë dhe lokal është mbi 200 milionë euro ose një rritje prej 21 përqind, rritja ka përfshirë edhe rritjen e numrit për të punësuarit në sektorin e shëndetësisë, duke përfshirë specializantët, specialistët dhe një numër për infermier. Po ashtu, edhe për barnat esenciale janë planifikuar të rriten për 36 përqind, si dhe investimet kapitale në raport me buxhetin rriten për 126 përqind. Po ashtu, arsimi është një sektor, ku do të ketë rritje mbi 260 milionë euro ose 22 përqind”, th eksoi ministri Hamza.

Ai ka shtuar se me buxhetin për vitin 2018 është trajtuar mirë edhe sektori i bujqësisë, si dhe dy ministritë e reja, të cilat merren me zhvillimin ekonomik për përkrahjen e sektorit privat.

Hamza tha se është duke u punuar që të krijohen vende të reja të punës, të ngritët përqindja e rritjes ekonomike, e cila mundëson punësim të qëndrueshëm dhe adresim të sfidave të ekonomisë së Kosovës

Ai tha janë të përcaktuar që bartës të rritjes ekonomike të jetë sektori privat, ku kanë vlerësuar që rritja ekonomike për vitin e ardhshëm do të jetë 4.6 përqind.

Hamza: Rritja ekonomike për vitin e ardhshëm parashihet të jetë 4.6 përqind

“Vlerësimet tona për këtë vit kanë qenë se rritja ekonomike do të jetë rreth 4 përqind, për vitin e ardhshëm ne kemi dalë me një vlerësim që të jetë rreth 4.6 përqind dhe për vitet vijuese kjo rritje do të vije duke u ngritë si përqindje, mirëpo, është mirë që trendi i rritjes ekonomike është pozitiv dhe pritet të jetë pozitiv edhe për periudhën e ardhshme afatmesme”, theksoi ministri Hamza.

Sipas tij, të hyrat e rregullta buxhetore janë raportuar që të jenë në një nivel prej 1 miliardë e 829 milionë euro, deficit primar i cili është i paraparë që të jetë brenda rregullit fiskal.

Hamza ka thënë se buxheti i vitit të ardhshëm nuk është ndërtuar, duke planifikuar ngritje të normave tatimore apo vendosje të tatimeve të reja. Ai ka shtuar se do t’i stimulojnë bizneset dhe agrobizneset me subvencione, si dhe do të krijohen kushte për investitorë të huaj dhe vendor.

Hamza: Buxheti i vitit 2018 nuk është ndërtuar mbi normat e rritjes së TVSH-së

“Buxheti i vitit të ardhshëm nuk është ndërtuar duke planifikuar ngritje të normave tatimore apo vendosje të tatimeve të reja. Do të jenë normat e njëjta edhe sa i përket TVSH-së, dhe sa i për këtë tatimit në fitim të korporatave, kjo me qëllim që të kemi një ambient sa më të mirë për tërheqjen e investitorëve të jashtëm, por edhe për bizneset vendore. Ndërsa, ne kemi paraparë edhe politika stimuluese përmes fondit për garantimin e kredive, edhe për mes fondeve tjera që janë të vendosura në Ministrinë e Tregtisë dhe në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ku janë ndarë dhjetëra miliona euro për këtë qëllim, por vazhdon që niveli i subvencioneve të jetë mjaft i lartë edhe në Ministrinë e Bujqësisë me qëllim të përkrahjes së sektorit të agro-biznesit”, tha ai.

Ai beson se të gjitha organizatat buxhetore të nivelit qendror dhe lokal do të jenë të kujdesshëm për shpenzimet e parasë.

Të hyrat për vitin e ardhshëm që do të administrohen dhe do të mblidhen nga Doganat, ku paraparë 1 miliardë e 175 milionë, ndërsa të hyrat nga ATK-ja do të jenë 446 milionë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat