Kosova kryesuese e CEFTA-s në 2018 - Bota Sot
Kosova kryesuese e CEFTA-s në 2018

Ekonomi

E hënë, 18 dhjetor 2017

Kosova kryesuese e CEFTA-s në 2018

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 22:20
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka marrë pjesë në takimin e ministrave të CEFTA-s, që u mbajt sot në Beograd.

Siç njofton MTI, në këtë takim ministri Hasani ka paraqitur para të pranishmëve zotimin dhe përkushtimin gjatë kryesimit të Kosovës me marrëveshjen e CEFTA-s gjatë vitit 2018. Hasani ka thënë se kryesimi i CEFTA-së në vitin 2018 ka rëndësi të veçantë për shkak se në esencë aktivitetet e saj do të përfshihen në prioritetet që janë pjesë e agjendës shumëvjeçare dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në implementimin e masave si pjesë e zonës ekonomike rajonale, siç edhe është konkluduar në takimin e përbashkët të CEFTA-s në vitin 2016 dhe konfirmuar nga kryeministrat në Samitin e Triestes.

Ministri Hasani  ka komentuar edhe deklaratat e tij të fundit për pozitën e Kosovës në CEFTA dhe cili është roli i UNMIK-ut.

"Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar ndaj marrëveshjes dypalëshe të lidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2012 rreth përfaqësimit të Kosovës në forume rajonale.  Megjithatë, ende ekzistojnë vështirësi për përfshirjen rajonale dhe veçanërisht për Kosovën pasi që emërtimi i drejtë nuk përdoret në CEFTA për shkak të insistimit të palës serbe ndaj UNMIK-ut. Si shembull konkret janë Protokolli Shtesë 6 dhe Tregtia Transit në mallra që shkojnë në Kosovë përmes Serbisë", ka shtuar ministri Hasani.

I pari i ministrisë së Tregtisë ka vlerësuar se do të ishte e gabuar nëse BE dhe palët e tjera të interesit e shohin deklaratën e tij dhe pozitën e Kosovës vetëm nga këndvështrimi politik.

"Ka më shumë për të marrë në ndikimin ekonomik dhe tregtar dhe përjashtimin e Kosovës në thellimin e përpjekjeve të CEFTA-s. Kosova i është bashkuar Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe Traktatit të Transportit në emër të saj. Vetëm pse është nënshkruar CEFTA më herët nuk duhet të përdoret për të penalizuar Kosovën përgjithmonë, përderisa marrëveshjet e reja përfshijnë Kosovën si Kosovë. Kujtojmë se  BE është lehtësues dhe monitorues për implementimin e marrëveshjes dypalëshe të lidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2012 rreth përfaqësimit të Kosovës në forume rajonale, prandaj presim angazhim dhe presion edhe më të shtuar të BE-së ndaj Serbisë në respektimin e plotë të kësaj marrëveshje", ka thënë ministri Hasani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test