Haradinaj: Po punojmë për rritjen e pagave për punëtorët e KEK-ut, Sindikalistët presin realizimin e premtimit - Bota Sot
Haradinaj: Po punojmë për rritjen e pagave për punëtorët e KEK-ut, Sindikalistët presin realizimin e premtimit

Ekonomi

E shtunë, 18 gusht 2018

Haradinaj: Po punojmë për rritjen e pagave për punëtorët e KEK-ut, Sindikalistët presin realizimin e premtimit

Më: 22 janar 2018 Në ora: 17:12
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se janë duke punuar dhe janë duke e trajtuar seriozisht premtimin e dhënë punëtorëve të KEK-ut, se që nga janari do të marrin pagën nga 100 euro më shumë.

Haradinaj gjatë një vizite në KEK, ka thënë sot se janë afruar shumë, por që nuk ka pohuar apo mohuar, nëse punëtorët e KEK-ut pagën e janarit do ta marrin me rritje.

Haradinaj: Jemi duke e trajtuar këtë temë seriozisht

“Jemi afruar shumë, e diskutuam edhe këtë temë, pra me gjet një zgjidhje edhe për këtë. Ta shohim njëherë, nuk po them ose po ose jo, por jemi duke punuar që me trajtuar këtë temë seriozisht. Mund të ndodh edhe ta mbërrijmë në kohë”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Rafet Osmani tha për KosovaPress se beson shumë që kryeministri do ta mbajë premtimin e dhënë dhe se të gjithë punëtorët e KEK-ut pagën e janarit do ta marrin me 100 euro më shumë.

Osmani: Shpresoj shumë që ka me ndodh me pagë të janarit

“Shpresoj shumë, që ka me ndodh me pagë të janarit, se ju tha ne duhet të përgatitemi edhe të zotohemi, që premtimin që ju kemi dhënë punëtorëve, se është motiv shtesë për punëmarrësit që punojnë në Korporatën Energjetike të Kosovës. Si dhe është premtim i ndërsjellët, sepse tani këtë dinamikë të punës çfarë është dhënë nga menaxhmenti për shkak që e kanë humbur hapin në prodhim, është problem për me përballua punëtorët në prodhim. Mirëpo, nëse rritja e pagave do të ndodh, qysh ka thënë kryeministri, atëherë edhe punëtorët do të jenë të motivuar dhe me siguri që deri kah marsi do ta nxajnë hapin, apo prodhimi i cili ka humbur për shkak të ndalesës së ekskavatorëve në djerrinë do ta zëjnë dhe do të ketë punë normale prej marsit e andej”, tha ai.

Madje, ai tha se edhe gjatë takimit, kryeministri ka thënë se duhet të përgatiten që premtimin që ju kanë dhënë punëtorëve të mbahet.

Osmani: Puna e punëtorëve të KEK-është shumë e rëndë

“Ndër të tjera gjatë vizitës së kryeministrit Ramush Haradinaj, në këtë takim me menaxhmentin e KEK-ut, është biseduar edhe rreth premtimit për rritjen e pagave të punëmarrësve të Korporatës Energjetike të Kosovës, e cila u është premtuar sindikatës së re të KEK-ut që nga 2 qershori i vitit të kaluar. Edhe kryeministri u zotua edhe në bisedë me menaxhmentin ju tha që duhet me bë çmos për me arrit premtimin që ‘ju kemi dhënë punëtorëve të KEK-ut, se është një motiv shtesë për punë’. Edhe duke e ditur që puna e punëtorëve të KEK-ut është shumë e rëndë, ata ju ekspozohen kushteve atmosferike, pastaj gazrave helmuese, pluhurit, zhurmës, dridhjes dhe rrezikut permanent nga pajisja që punojnë aty”, tha ai.

Osmani tha se nëse ky premtim për rritje të pagës së punëtorëve të KEK-ut nuk realizohet, ata do të protestojnë, si dhe nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë që të futen në grevë

Haradinaj: Kosova ka mjaftueshëm energji, gjendja është e qëndrueshme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se nga prodhimi në KEK plotësohen 86 përqind e nevojave për energji në vend dhe sipas kësaj gjendja në Kosovë është e qëndrueshme.

Ai gjatë një vizite që i ka bërë KEK-ut, ka thënë se do të përballohet gjendja gjatë dimrit.    

Haradinaj: Gjendja konsiderohet e qëndrueshme

“Sot nga prodhimi plotësohen diku 86 përqind ashtu siç tha edhe drejtori të nevojave për energji në vend, gjatë natës kuptohet ka në raste të caktuara tepricë, pra, gjendja konsiderohet e qëndrueshme. Dëshiroj edhe unë të shpreh falënderim për të gjithë kolegët në të gjitha nivelet e KEK-ut, por jo vetëm në KEK prej drejtorit e të gjithë të tjerëve për një angazhim maksimal që të kemi një gjendje të tillë të qëndrueshme. Kuptohet ka në raste të caktuara ndërprerje të energjisë dhe ne po e mbajmë vëmendjen atje, jemi në komunikim të vazhdueshëm me operatorin me KEDS-in, në disa raste shpjegimet janë se janë prishje teknike, në raste të tjera janë arsye të tjera. Por, do ta përcjellim gjendjen në vazhdimësi, edhe një herë mund të themi se do të përballohet gjendja gjatë dimrit me mundësi përmirësimi”, tha Haradinaj.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka thënë se ka energji të mjaftueshme, por që sipas tij në disa raste kapaciteti, rrjeti shpërndarës dhe probleme të tjera po bëjnë që të ketë reduktime.

Haradinaj: Kur është mbrëmja që po ka reduktime

“Energjia ekziston, ka energji për me u ofrua, në disa raste edhe kapaciteti, rrjeti shpërndarës dhe problemet e tjera po e krijojnë këtë. Ka një plan dinamik të investimeve në rrjet i cili parashihet për KEDS-in, jam i bindur se këto dinamika të investimeve janë disa milionë, dhjetëra milionë janë tre vjet që vijnë, po e përfshij edhe këtë vit pra duhet të punojmë menjëherë me përmirësimin e kohës që të paktën ta nxajmë momentin të paktën për dimrin tjetër, pra të mos na përsëriten çdo dimër e njëjta gjendje. Në këtë dimër e kemi mbajtur vigjilencën e kemi mbajtur në komunikim nonstop edhe KEDS-in, të gjithë të involvuarit që të mos ketë reduktime dhe jemi të vetëdijshëm që në atë kohën e pikut, pra kur është mbrëmja që po ka reduktime dhe po jemi duke i përcjellë këto”, tha ai.

Ndërsa, Haradinaj ka folur edhe lidhur me atë që është raportuar se disa shtëpi në fshatrat Hade dhe Shipitullë që janë ndërtuar pas vitit 2015 nuk do të kompensohen, ku kryeministri tha se çdo shtëpi do të kompensohet.

Kurse, drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka, tha se momentalisht janë duke furnizuar mbi 87 përqind të konsumit vendor.

Gjuka: Jemi duke furnizuar mbi 87 përqind të konsumit vendor

“Gjatë gjithë kësaj kohe kemi qenë në koordinim pa ndërprerë, kur them pa ndërprerë gjatë 24 orëve dhe mbi të gjitha e njoftova kryeministrin e vendit lidhur me hapat në vazhdimësi të përfundimit të përmbylljes së këtij procesi. E njoftova se momentalisht jemi duke furnizuar mbi 87 përqind të konsumit vendor, kemi stabilizuar heqjen e djerrinës dhe me qymyr, kemi siguruar një stabilitet sa i përket operimeve konform standardeve dhe licencës që e kemi për minierën”, tha ai.

Gjatë ditës kryeministri Haradinaj ka vizituar edhe komunën e Obiliqit.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test