Çfarë po ndodhë me 63 milionët për autostradën “Arbën Xhaferi”? Tregon ministri Lekaj

Ekonomi

Çfarë po ndodhë me 63 milionët për autostradën “Arbën Xhaferi”? Tregon ministri Lekaj

Më: 27 janar 2018 Në ora: 13:15
Autostrada “Arbën Xhaferi”

Ende po vazhdojë përpjekjet për kontratën 63 milionëshe të përmendur nga kompania Bechtel-Enka, për autostradën për Shkup, “Arbën Xhaferi”.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj po vazhdon të këmbëngulë se do të arrijë marrëveshje me kompaninë Bechtel-Enka për autostradën “Arbën Xhaferi”.

Telashet rreth kësaj autostrade, ministri Lekaj i ka adresuar në qeverisjen e kaluar të Isa Mustafës dhe ish-ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku. Sipas tij, është neglizhenca e tyre në marrjen e vendimeve me kohë që mund t’i kushtojë sot Kosovës miliona euro.

“Jemi në negocimi me Bechtel-Enka-n, shpresoj në pretendimet e Bechtel-Enka-s. Sa i përket 63 milionëshit ne do ta analizojmë kontratën dhe të gjitha ato pretendime me pozicione do t’i analizojmë dhe pastaj shumë shpejt do të dalim me një deklaratë, nëse pajtohemi ose nuk pajtohemi”, ka thënë Lekaj.

Ai tha se marrëveshja ka kaluar prej një vendi në vendin tjetër, por asnjëherë nuk është marrë një vendim, veçse ka mbetur pezull.

“Prandaj është obligim i imi që të ulemi të bisedojmë dhe të shikojmë a kanë bazë pretendimet e Bechtel-Enka-s. Kjo nuk është për periudhën tonë qeverise dhe ne nuk po i pretendojmë këto gjëra, po pretendon Bechtel-Enka për periudhën 2014-2016. Kjo i takon asaj periudhe që nuk janë marr vendime përfundimtare ani pse janë bërë disa takime, por nuk është marr asnjë përfundim. Tani është quajt topi prej ish-ministrit (të Infrastrukturës Lutfi Zharku) në komunitetin ndërministror; komiteti ndërministror-Qeverisë; Qeveria e ka thirr prapë në komunitetin ndërministrorë; komunitetit ndërministror-ministrit dhe kështu ka mbetur pezull. Janë dakordu për shtyrje të afatit dhe për shumën 14.8 milionëve, por që deri më tani për atë periudhë nuk kanë marr vendime. Prandaj kjo ka ardh si mos shtyrjen e obligimeve për vitin 2014, duke u bazuar në planin dinamik të Bechtel-Enka-s dhe edhe për 2015 e 2016”, deklaroi ministri i Infrastrukturës.

Ai tha se bazuar në punën e Bechtel-Eknak, në vitin 2014 pagesat janë bërë për 21 për qind më pak, në 2015, 59 për qind dhe në 2016, 41 për qind më pak.

“Vitin e parë diku 21 për qind janë bërë pagesat më pak, vitin e dytë 59 për qind dhe në të tretin është diku 41 për qind më pak duke u bazuar në punën që e ka bërë Bechtel-Enka. Kur e kanë parë që nuk po munden me i shly obligimet kanë kërkuar shtyrje të afatit prej 11 muajve, por edhe ata nuk e kanë nënshkruar me kohë dhe ka ardhur deri të pretendimet e Bechtel-Enka-s”, tha ai.

Ministri Lekaj thotë se “Ne nuk jemi pajtuar dhe nuk do të pajtohemi me këtë shumë”.

Nëse nuk arrihet marrëveshja mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë Bechtel-Enka atëherë kontrata parasheh Arbitrazhin, mirëpo Lekaj thotë se shkuarja në Arbitrazh do t’i kushtojë Kosovës miliona euro.

“Arbitrazhi është i paraparë në kontratë, por dhashtë Zoti të mos shkojë në Arbitrazh sepse do t’i kushtojë miliona buxhetit të Kosovës. Kjo është faji i mos marrjes së vendimeve me kohë prej viti 2014 deri në vitin 2016”, tha mes tjerash ai.

Ministri pretendon që brenda 10 ditëve të dalin me një përfundim rreth kësaj marrëveshje tejet të diskutuar kohen e fundit.

“Shpresoj që brenda 10 ditësh do të dalim me një konkluzion”, ka si përfundim ministri i Infrastrukturës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat