Hoxhaj fton bizneset e huaja të investojnë në Kosovë, thotë se hyrja në BE varet më shumë nga ekonomia - Bota Sot
Hoxhaj fton bizneset e huaja të investojnë në Kosovë, thotë se hyrja në BE varet më shumë nga ekonomia

Ekonomi

E premte, 21 shtator 2018

Hoxhaj fton bizneset e huaja të investojnë në Kosovë, thotë se hyrja në BE varet më shumë nga ekonomia

Më: 18 prill 2018 Në ora: 13:52
Enver Hoxhaj

Në hapjen solemne të Panairit Ndërkombëtar “Prishtina 2018” ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.

Ai tha se përmbyllja e shtetësisë së Kosovës dhe ndërtimi i një shoqërie të fortë e demokratike nuk mund të bëhet pa ekonominë.

Hoxhaj shtoi se nga ajo që kanë parë nga mediat nga raporti i progresit nëse ka përmirësime, kjo është për shkak të përmirësimit në të bërët biznes, raporton Ekonomia Online.

“Është e vërtetë që në 10 vitet e fundit prioritet ka qenë ndërtimi i një shteti nga themelet. Kur e shënojmë dekadën e dytë të shtetësisë, duhet ta dërgojmë Kosovën në përmbylljen e shtetësisë në ndërtimin e një shoqërie të fortë dhe demokratike dhe kjo s’mund të bëhet pa ekonomi. Integrimi në Evropë është edhe pasojë e zhvillimit ekonomik. Ky panair përkon me datë të rëndësishme, prezantimin e raportit të progresit. Ajo që kemi parë nga media, nëse ka progres të matshëm është përmirësimi i të bërit biznes”.

“Zhvillimi ekonomik është shndërruar në prioritet të qeverisë, dhe kjo është betejë që duhet ta fitojmë së bashku. Ky panair dëshirojmë që në të ardhmen të ketë pjesëmarrës edhe më shumë nga vendet evropiane. Njëra prej prioriteteve është që Kosova të jetë vend i hapur që gjithkush të vijë dhe të investojë. Dua ta ftoj secilin prej jush që të investoni në Kosovë. Ne do të bëhemi pjesë e BE-së, na mbetet ta caktojmë shpejtësinë e re drejt Evropës dhe kjo shpejtësi varet nga ekonomia më shumë sesa nga politika”.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se ky panair shërben për krijimin e bashkëpunimit mes kompanive kosovare dhe atyre të huaja.

Ai shtoi se janë duke punuar për ta rritur potencialin e prodhimtarisë vendore, raporton EO.

“Ky panair do të shërbejë për krijimin e urave të bashkëpunimit mes kompanive. Zhvillimi ekonomik mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit mes sektorit privat dhe kompanive. Kemi nisur reforma që Kosovën ta bëjmë një vend të mirë për të bërë biznes. Jemi duke punuar për ta zhvilluar potecialin e prodhimtarisë vendore.

Po punojmë maksimalisht që t’i adresojme aneksat e prodhuesve kosovarë. Ne adresojmë çdo shqetësim. Jemi duke konsideruar të marrim masa mbrojtëse edhe në sektoret tjerë që sfidohen nga konkurrenca… jemi përqendruar në grante për rritjen e kapaciteteve prodhuese. Këto janë vetëm disa nga hapat që kemi ndërmarrë”.

Ambasadori italian në Kosovë, tha se pjesëmarrja e numrit të madh të kompanive dëshmon se zhvillimi ekonomik duhet të ketë fokus më të madh.

“Numri i madh i pjesëmarrësve nga kompanitë e thekson prioritetin që duhet të fokusoheni në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e raporteve. Sot dua të theksoj bashkëpunimin rajonal për bashkëpunimin ekonomik. Është esenciale për ta rritur punën në Ballkanin Perëndimor”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test