Iniciativa EYE, inkurajim për ndërmarrësit e rinj

Ekonomi

Iniciativa EYE, inkurajim për ndërmarrësit e rinj

Më: 7 shkurt 2013 Në ora: 19:16

Të enjten në Prishtinë u mbajt ngjarja EYE Venture’13, e organizuar nga EYE (Encouraging Young Entrepreneurs), iniciativë që synon të mbështesë ndërmarrësit e rinj në rrugëtimin e tyre drejt themelimit të një biznesi të suksesshëm.

Vllaznim Xhiha, themelues dhe kryetar bordi i iniciativës EYE, foli për sfidat dhe eksperiencën e tij, duke vënë theks te veçantë në proceset dhe ciklin që do të ndiqet gjatë garës EYE Venture’13. Gara do të jetë e ndarë në tri faza. Në fazën e parë do të aplikojnë kandidatët me ide të biznesit, pastaj ata do të kalojnë më tutje në ciklin e dytë, ku do të punohet me mentor për të ndërtuar biznesplanin e idesë së tyre dhe, në fund, cikli i tretë që nënkupton qasjen në investime të ofruara nga EYE. “Ne synojmë të krijojmë biznese të suksesshme dhe të qëndrueshme që janë në gjendje të gjenerojnë punësim në sektorë të ndryshëm në vend dhe këtë do ta bëjmë duke punuar me partnerë dhe duke mësuar gjatë veprimit”, u shpreh Xhiha.

Ambasadori i Norvegjisë për Kosovë, Jan Braathu, i cili njihet për punën e tij të madhe në mbështetje të sektorit të ndërmarrësisë në Kosovë, foli për atë se si në vitet e 70-ta Norvegjia me punë, përkushtim dhe me një politikë të veçantë shtetërore arriti të bindë kompanitë e huaja që të investojnë në kuadro në këtë vend, në mënyrë që ajo sot të ketë teknologji dhe zhvillim. “Kosova ka potencial dhe mund të arrijë aty ku dëshiron nëse ka punë dhe bashkëpunime nga iniciativat sikur kjo e sotmja. Kjo është e mundur për shkak se ndërmarrësit nga Kosova kur veprojnë në vende të ndryshme të botës, krijojnë kompani shumë të suksesshme, si Zvicër, Gjermani apo Norvegji, por kur kthehen në Kosovë shpesh fokusohen më shumë në ankesa sesa në punë, prandaj duhet të gjendet gjuha e përbashkët”, u shpreh Braathu, i cili shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Gëzim Pula, bashkë-themelues dhe bashkë-pronar në 3CIS, kompani e përzgjedhur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë gjatë vitit të kaluar si eksportuesja më e mirë e shërbimeve, tregoi se si arriti që ekspertizën e inxhinierëve lokalë ta shfrytëzojë për themelimin e një kompanie që sot ka klientë kompanitë si AT&T, Cisco, Verizon, T-Mobile, etj. “Me punë është e mundur dhe jemi në gjendje që të arrijmë rezultate që nënkuptojnë shërbime për klientë ndërkombëtarë”, tha ai.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat