Shqipëri - Kosovë, nënshkruhet kontrata për ndërtimin e “autostradës energjetike”

Ekonomi

Shqipëri - Kosovë, nënshkruhet kontrata për ndërtimin e “autostradës energjetike”

Më: 21 dhjetor 2013 Në ora: 20:10

Sot në hapësirat e Lidhjes së Prizrenit, në Prizren u nënshkrua kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri. Kontratën e nënshkruan kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT Naim Bejtullahu me përfaqësuesit e kompanisë kroate Dalekovod e cila do të realizojë ndërtimin e linjës në pjesën e Kosovës, ndërkaq Engjëll Zeqo, Administrator i Përgjithshëm i OST Shqipëri, nënshkroi kontratën me përfaqësuesit e kompanisë Energoinvest nga Bosna dhe Hercegovina e cila do të realizojë ndërtimin e linjës në pjesën e Republikës së Shqipërisë. Të pranishëm ishin edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Fadil Ismajli, ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë Damjan Gjiknuri, dhe Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë Peter Blomeyer.
Projekti i ndërtimit të linjës së tensionit të lartë 400 kV Kosovë-Shqipëri, është i ndarë në dy LOT-e. LOT1 përfshin ndërtimin e linjës interkonektive e cila lidhë nënstacionet NS Kosova B (Kosovë) dhe NS Tirana 2 (Shqipëri) më një gjatësi totale prej 241.5 km. Ndërsa LOT2 përfshin ndërtimin dhe instalimin e pajisjeve të tensionit të lartë në këto nënstacione, si dhe infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e shërbimeve të rregullimit sekondar (frekuencë – fuqi), në mes të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Shqipërisë (OST).
Financimi i projektit për pjesën e Kosovës do të bëhet nga Qeveria Gjermane bazuar në Marrëveshjen e Financimit që është nënshkruar në mes të KfW, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (Qeveria e Kosovës) dhe KOSTT, për hua dhe kontribut financiar në vlerën e përgjithshme prej 33.5 milion Euro, nga e cila €16.5 milion grant + €17 milion kredi. Ngjashëm, Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW gjithashtu do të financojë pjesën e linjës në anën e Republikës së Shqipërisë.
Ndërtimi i linjës interkonektive të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në optimizimin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese, si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe po ashtu do të ndikojë në zhvillimin e tregut të të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike.
Me implementimin e projektit të Autostradës Energjetike Kosovë-Shqipëri, do të mundësohet shkëmbimi më i madh i energjisë elektrike në mes të dy vendeve sidomos pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese të planifikuara në Kosovë të bazuara kryesisht në linjit si dhe të kapaciteteve gjeneruese hidro të Republikës së Shqipërisë. Derisa Kosova dhe Shqipëria aktualisht janë të lidhura me një linjë interkonektive 220 kV, kapaciteti i transferit të interkoneksionit me Shqipëri nga aktualisht rreth 200MW, me vënjen në operim të këtij projekti së bashku me linjën 400kV Tirana –Podgoricë do të ngritet në rreth 900MW.
Nga momenti i fillimit të punimeve, ndërtimi i linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri parashihet që të përfundojë në afat prej 24 muajsh derisa kontraktuesit do të jenë tërësisht të koordinuar gjatë procesit të implementimit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat