E ardhmja pa qymyrguri në epiqendër të bisedimeve për klimën

Evropë

E ardhmja pa qymyrguri në epiqendër të bisedimeve për klimën

Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 19:01
Foto ilustrim

Një nga rezultatet e samitit për klimën që u zhvillua në Glasgou është se pjesa më e madhe e botës po planifikon tashmë një të ardhme pa karburant dhe pa qymyrguri. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Jessica Stone, disa prej vendeve më ndotëse të botës, do të vazhdojnë të kenë nevojë për burimet fosile të energjisë.

Efektet e mungesave globale në furnizmin me karburant po ndjehen në xhepat e konsumatorëve.

"Është problem i madh, pasi tani ka shkuar çmimi katër dollarë", thotë Armani, klient në një pikë karburanti.

Ndërkaq, vendi që gjeneron sasinë më të madhe të gazit karbonik, Kina, po rrit prodhimin e qymyrgurit për të siguruar ngrohje gjatë dimrit të këtij viti.

"Çmimet e larta të energjisë vetëm përforcojnë nevojën urgjente për të diversifikuar burimet, për të rritur zhvillimin e energjisë së pastër dhe për të përqafuar teknologji të reja të energjisë së pastër", tha Presidenti Biden.

Por, këndvështrimi optimist i Presidentit amerikan Joe Biden nuk është shoqëruar me shkurtime domethënëse të nivelit të ndotjes nga vendet kryesore.

Kina, India dhe Rusia nuk u bënë palë e angazhimit të ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian gjatë samitit të klimës në Glasgou për të zvogëluar me 30% çlirimin e metanit në atmosferë deri në vitin 2030.

"Mendoj se shumë njerëz, ndër ta edhe unë, nuk janë shumë të befasuar", thotë Ryna Yiyun Cui, nga Qendra për Qëndrueshmërinë Globale, në Universitetin e Merilendit.

Ajo thotë se Pekini nuk do të njoftojë angazhime të reja për ulje të nivelit të ndotjes me gazin karbonik, derisa të ketë arritur angazhimet aktuale. Kina po kërkon të arrijë një stad pavarësie me energjinë e rinovueshme që të ruajë stabilitetin politik, thotë zonja Cui, duke vënë në dukje se gati gjysma e energjisë së Kinës përftohet nga qymyrguri.

"Qymyrit i ka ardhur fundi në sistemin energjitik, por tërheqja e infrastrukturës së madhe ekzistuese është një tjetër sfidë, pasi për vendet në zhvillim si Kina dhe India, kjo është një infrastrukturë shumë më e re", thotë zonja Cui.

Ashtu si Kina, edhe India po i lejon vetes një tranzicion më të gjatë për t'iu larguar burimeve fosile të energjisë. Kryeministri i Indisë njoftoi në konferencën në Glasgou se Indisë do t'i duhen 50 vjet që të arrijë nivelin zero të ndotjes.

Kjo është pra dekada më gjatë se vendet e tjera. Por Nju Delhi argumenton se i duhet ende të nxjerrë nga varfëria miliona njerëz dhe se vendi nuk e ka ndotur planetin për aq gjatë sa Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.

"Në kontekstin historik, India nuk është një kontribuese domethënëse (e ndotjes). Ndotja e përgjithshme e saj është në nivelin 3%", thotë Neelima Jain, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Ajo është eksperte për sektorin energjitik të Indisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

"Është treguar e vendosur për të mos e hequr qymyrgurin dhe me të drejtë. Dy të tretat e prodhimit të energjisë në Indi është nga qymyri", thotë zonja Jain.

Ndërsa vendet në zhvillim vazhdojnë të jenë të lidhura me qymyrin, presioni për të përqafuar burime të qëndrueshme të energjisë së rinovueshme duket se do të shtohet në të ardhmen për të gjitha vendet./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat