​Ish-ambasadori boshnjak në Rusi, Haliloviq: Rusia nuk kupton komunikim tjetër përveç forcës

Evropë

​Ish-ambasadori boshnjak në Rusi, Haliloviq: Rusia nuk kupton komunikim tjetër përveç forcës

Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 16:42
Haliloviq

Ish-ambasadori i Bosnjës dhe Hercegovinës në Rusi, Enver Haliloviq, duke komentuar ndërhyrjen ushtarake ruse në Ukrainë, ka thënë se Rusia nuk kupton formë tjetër të komunikimit përveç forcës dhe Perëndimi duhet sa më parë ta gjejë një përgjigje përkatëse. Ai ka tërhequr vërejtjen se tentimi i organizimit të zgjedhjeve të Serbisë brenda shtetit të Kosovës, vë në pikëpyetje integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Ai, gjatë një intervistë për kp, luftën atje e ka quajtur agresion të theksuar ushtarak, politik, demografik e civilizues, ndaj një shteti sovran, nga ana e Rusisë.

“Në fakt Rusia nuk kupton formë tjetër të komunikimit, përveç asaj të forcës. A është forca ushtarake apo ekonomike, kjo është çështje tjetër. Mirëpo një përgjigje përkatëse Perëndimi duhet ta gjejë. Sepse ne tashmë kemi një konflikt të një regjimi demokratik dhe jodemokratik… Është e tepërt të përsëritet diçka që është absolutisht evidente dhe e konfirmuar në tërë botën civilizuese se ka ndodhur një agresion i theksuar ndaj një shteti sovran, se me këtë është prishur rendi shoqëror ndërkombëtar i bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në subjektin kryesor, që është shteti, pra ndaj integritetit dhe sovranitetit shtetëror. Këtu nuk bëhet fjalë për agresion të karakterit ushtarak, por edhe politik, demografik, civilizues etj., dhe ky është një presedan që pa ndonjë arsye serioze të sulmohet një shtet sovran dhe atë në një mënyrë brutale”, ka thënë Haliloviq.

Ai shprehet skeptik sa i përket ndërprerjes së agresionit në atë pjesë, pa mbështetjen serioze të Ukrainës nga ana e shteteve perëndimore, ndërkaq, ideologjinë politike dhe doktrinën serbe e ka quajtur kopje të asaj ruse.

“Nuk besoj se mundet me u ndal kjo, nëse vërtetë ka vullnet, liria e vërtetë e Ukrainës, nëse nuk i jepet ndonjë lloj ndihme serioze Ukrainës, në mënyrë që ajo të çlirohet ushtarakisht… Bota serbe nuk është asgjë tjetër përveç se kopje e botës ruse. Krejtësisht është e ngjashme ideologjia dhe doktrina e botës serbe dhe asaj ruse. Të dyja këto doktrina bazohen në etnocentrizëm”, sqaroi Haliloviq.

Haliloviq tha se kërcënimet për destabilizim të Kosovës nga ana e komunitetit serb, janë të ngjashme edhe në Bosnjë.

Në lidhje me mos pozicionimin akoma të Serbisë rreth situatës në Ukrainë, Haliloviq ka potencuar se Serbia ndodhet në situatë shumë të vështirë.

Sipas tij, raportet në mes të Serbisë dhe Rusisë janë historikisht të shkëlqyeshme, si raporte politike ashtu edhe ushtarake.

“Rezistenca që po i bëhet botës serbe në Kosovë, është diçka që është prezente edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, si një lloj i rezistencës ndaj presionit dhe destabilizimit për kërcënimin e territorit dhe sovranitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës… Serbia ndodhet para një dileme të madhe, nuk mundet përgjithmonë të qëndrojë në dy karrige. Duhet të orientohet, nëse i takon këtij apo atij koncepti të jetës, botës demokratike, liberale, perëndimore apo totalitar, mbretëror etj. Kjo peshë e barrës qëndron para Serbisë. Serbia nuk ka raporte të afërta me Rusinë vetëm kohët e fundit, gjatë dy kryetarëve të fundit, por gjatë gjithë historisë këto raporte kanë qenë të forta, nga ato familjare deri tek ato politike e ushtarake”, theksoi Haliloviq.

Ish-ambasadori ka tërhequr vërejtjen se tentimi i organizimit të zgjedhjeve të Serbisë brenda shtetit të Kosovës, vë në pikëpyetje integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Një prej momenteve kritike kur flasim për Kosovën, mund të jenë pikërisht zgjedhjet e Serbisë dhe tentimi i organizimit të tyre edhe në Kosovë. Sepse faktikisht vihet në pyetje integriteti dhe sovraniteti i Kosovës”, potencoi ish-ambasadori Haliloviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat