Gjermania miraton dërgimin e armëve dhe raketave në Ukrainë

Evropë

Gjermania miraton dërgimin e armëve dhe raketave në Ukrainë

Më: 27 shkurt 2022 Në ora: 06:36
Kancelari gjerman Olaf Scholz

Në një kthesë të rëndësishme, qeveria gjermane konfirmoi të shtunën se ka miratuar dërgimin e armëve antitank në Ukrainë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se Gjermania do t’i japë Ukrainës 1000 armë antitank dhe 500 raketa Stinger tokë-ajër nga rezervat e ushtrisë gjermane, në mënyrë që ajo të mund të mbrohet kundër Rusisë.

"Pushtimi rus i Ukrainës shënon një pikë kthese. Është detyra jonë të bëjmë maksimumin për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen kundër ushtrisë pushtuese të Putinit," tha zoti Scholz në Twitter.

Ministria gjermane e ekonomisë dhe klimës tha më herët në një deklaratë se Gjermania po lejon Holandën të dërgojë 400 armë antitank të prodhimit gjerman në Ukrainë.

Gjermania kishte ndjekur prej kohësh një politikë të moseksportimit të armëve vdekjeprurëse në zonat e konfliktit, duke përfshirë Ukrainën. Deri të premten, zyrtarët qeveritarë kishin thënë se do t'i binden asaj politike.

Berlini është përballur me kritika nga zyrtarët ukrainas dhe aleatët e tjerë se nuk ka treguar vendosmëri të mjaftueshme për të ndihmuar Ukrainën që të shmangte agresionin rus. Më parë, Gjermania i kishte dërguar 5000 helmeta Ukrainës.

Gjermania tha se do të dërgojë edhe 14 automjete të blinduara dhe deri në 10,000 tonë karburant në Ukrainë.

"Pas sulmit të paturpshëm të Rusisë, Ukraina duhet të jetë në gjendje të mbrohet," thanë Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock dhe Ministri i Ekonomisë Robert Habeck. "Prandaj qeveria federale po mbështet Ukrainën në sigurimin e materialit të nevojshëm urgjent."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat