Dodiku mohon masakrën e Srebrenicës, reagon SHBA-ja

Evropë

Dodiku mohon masakrën e Srebrenicës, reagon SHBA-ja

Më: 8 prill 2023 Në ora: 22:21
Masakrën e Srebrenicës

Ambasada Amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë vlerësoi sot se presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, si gjithmonë, e ka gabim kur pretendon në Srebrenicë nuk ka ndodhur gjenocid në korrik të vitit 1995.

“Faktet e kësaj tragjedie mbështeten nga prova të patëmetë mjeko-ligjore dhe prova të tjera, dhe ato janë vërtetuar përtej çdo dyshimi nga gjykatat ndërkombëtare”, tha Ambasada e SHBA-së në BeH.

Ata theksuan se “komentet e vrazhda, plot paragjykime për Srebrenicën dhe tema të tjera të ndjeshme nuk i ndihmojnë qytetarët e Republikës Srpska”, raporton mediumi serb N1.

Presidenti i RS-së Milorad Dodik, duke reaguar ndaj deklaratës së Ambasadës Amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë, tha se vendimet e gjykatave ndërkombëtare për ngjarjet në Srebrenicë “nuk mund të merren si e vërteta përfundimtare”, sepse, siç tha ai “ekziston një listë shumë e gjatë e krimeve të kryera në botë që nuk janë ndjekur penalisht nga asnjë gjykatë, duke përfshirë krimet e kryera nga bashkëpunëtorët e (ambasadorit amerikan) Michael Murphy jashtë kufijve të SHBA-së”.

Dodiku tha gjithashtu se SHBA-ja nuk e njeh juridiksionin e gjykatës ndërkombëtare për qytetarët e saj, por se për të, të njëjtat gjykata janë relevante për vendet e tjera, njoftoi Radio-televizioni i Republikës Srpska (RTRS).

Ai vlerësoi edhe një herë se Bosnja dhe Hercegovina është një “vend thellësisht jofunksional dhe i dështuar dhe se në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës ekziston një mentalitet i nënshtruar ndaj tutorëve të huaj”.

Dodiku kundërshtoi edhe një herë legjitimitetin e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt.

“Ai (Schmidt) po kërcënon diçka, flet se çfarë duhet të bëjmë, flet për gjenocid dhe vjen nga një vend, bashkatdhetarët e të cilit më parë kanë kryer krimet më të tmerrshme në botë”, tha ai.

Sipas tij, Gjermania është një vend për t’u respektuar në aspektin ekonomik, por që “s’mund të predikojë”.

“Sidomos jo serbëve, popullit të cilin me ideologjinë e tyre vranë pothuajse gjysmën e popullsisë në dy luftëra”, tha Dodiku.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë – zonën e shpallur të sigurt nga Kombet e Bashkuara. Në ditët që kanë pasuar, forcat serbe kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.

Vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.

Masakra e Srebrenicës, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat