Kishat: Kompensimi shtetëror para fundit?

Evropë

Kishat: Kompensimi shtetëror para fundit?

Më: 14 qershor 2023 Në ora: 09:05
Foto ilustrim

Vetëm vitin e kaluar kishave u janë paguar mbi 600 milionë euro si kompensim për shpronësimet e bëra shekuj më parë. Por kjo duhet të kishte përfunduar prej më shumë se 100 vjetësh.

Çdo vit, shuma të mëdha parash u jepen dy kishave kryesore të krishtera në Gjermani. Vitin e kaluar, ata morën më shumë se gjysmë miliardë euro nga shteti - nga taksat e njerëzve fetarë dhe jofetarë. Këtu nuk bëhet fjalë për taksën kishtare, që mbledh shteti për kishat dhe që ua përcjell atyre.

Për të kuptuar pse dhurohen për kishat më shumë se 600 milionë euro, duhet të ktheheni më shumë se dy shekuj në histori. Gjatë pushtimit të Gjermanisë prej Napoleon Bonapartit në fillim të shekullit të 19-të, u vendos për një ndarje të gjerë të shtetit nga kisha.

Gjatë likuidimit të "Perandorisë së Shenjtë Romake të Kombit gjerman", kishat u shpronësuan gjerësisht, manastiret dhe institucionet e tjera kishtare u mbyllën ose u bënë pronë e shteteve gjermane. Kjo u parashikua në marrëveshjen "Reichsdeputationshauptschluss" në vitin 1803.

Duke qenë se kishat duhej t'u dorëzonin para dhe toka princave të Landeve, këta të fundit morën përsipër të përballonin pagesën e priftërinjve dhe shpenzimet e tjera të kishave. Edhe sot, janë landet, si pasardhës ligjorë të princave, që i paguajnë këto dëmshpërblime.

Fundi i kompensimeve është vendosur - para më shumë se 100 vjetësh

Megjithatë, prej kohësh është vendosur që këto pagesa të përfundojnë. Që në vitin 1919, Kushtetuta e Rajhut e Weimar-it përcaktonte që pagesat e përhershme duhet të ndërpriten duke paguar një pagesë njëherëshe. Tridhjetë vjet më vonë, Kushtetuta e RFGJ, ligji themelor e përfshiu gjithashtu këtë vendim. Pavarësisht kësaj, kompensimet vazhdojnë të kryhen çdo vit dhe mbi të gjitha janë në rritje të vazhdueshme, duke shkuar nga pak më shumë se 23 milionë euro në vitin 1949 në më shumë se 602 milionë euro këtë vit.

Landet kanë qenë në fakt të kënaqura me situatën, thotë juristi Hans Michael Heinig. Ata kështu nuk kanë qenë të detyruara të paguajnë një tarifë transferimi. "Kishat ishin të kënaqura, sepse kishin debitorë të falimentuar dhe përfitimet shtetërore ishin të rregullta". Kjo praktikë natyrisht nuk ishte e qëndrueshme nga pikëpamja financiare, "sepse ne mund ta kishim paguar dëmshpërblimin shumë kohë më parë", shpjegon Heinig, ekspert për të drejtën kishtare dhe profesor i së drejtës publike në Universitetin e Göttingenit.

Qeveria aktuale gjermane, megjithatë, dëshiron t'u japë fund pagesave shtetërore, të cilat i ka përfshirë edhe në marrëveshjen e koalicionit. Kështu, në fillim të legjislaturës, pranë Ministrisë Federale të Brendshme u krijua një grup pune, në kuadër të të cilit federata, landet dhe kishat diskutojnë së bashku. Edhe këtë vit, thuhet se ato kanë rënë dakord për pikat thelbësore të një rregulloreje themelore. Është mbi të gjitha çështja nëse do të paguhet një kompensim i vetëm dhe cila do të jetë shuma. Dhe për sa kohë do të vazhdojnë të paguhen pagesat vjetore shtetërore në vazhdim.

Miliarda për t'u dhënë fund kompensimeve shtetërore?

Bëhet fjalë për shumë para, siç sugjeron projektligji i paraqitur në Bundestag në vitin 2020 nga partitë e atëhershme opozitare, FDP, të Gjelbrit dhe Partia e Majtë. Në këtë ligj bazë për zëvendësimin e kompensimeve shtetërore, u propozua një rimbursim i njëhershëm në masën 18.6 herë më shumë se përfitimet vjetore aktuale, që do të ishin të barabarata afërsisht me 11 miliardë euro. Landet federale duhet t'ua kishin paguar këtë shumë kishave gjatë 20 viteve.

Bodo Pieroth, specialist për të drejtën publike në Münster, mendoi se kjo ishte shumë e madhe. Ai vlerëson se dëmshpërblimet e bëra për kishat ndër shekuj e kalojnë shumë vlerën e pasurisë kishtare të konfiskuar dhe citon një ekspertizë. Sipas kësaj ekspertize, kishat do të kishin marrë 194 herë vlerën e konfiskuar fillimisht gjatë 100 viteve të fundit, duke supozuar një interes vjetor bankar prej 3%. Me një normë interesi prej pesë për qind, ata do të kishin marrë 603 herë më shumë.

Heinig kundërshton: "Kishave u është hequr një trashëgimi që mund t'u mundësonte atyre të bënin fitime. Kompensimet shtetërore i zëvendësojnë këto fitime". Natyrisht që duhet pasur parasysh edhe inflacioni progresiv. "Kur banoj në një shtëpi për një kohë të gjatë si qiramarrës dhe më pas dua ta blej, as pagesa e qirasë nuk merret parasysh”, shpjegon Henig.

A bëjnë dot kishat pa kompensimin?

Për kishat në Gjermani, kompensimet shtetërore përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të të ardhurave të tyre. Vetëm taksa e kishave u solli dy kishave gati 13 miliardë euro vitin e kaluar. Përveç kësaj, ata nxjerrin të ardhura nga pasuritë e tyre, por nuk flasin për shumën e këtyre të ardhurave. Si pronarë të pyjeve, tokave, pasurive të paluajtshme dhe bizneseve si shtëpitë botuese, fabrikat e birrës, bankat, kompanitë e sigurimit dhe aksionet, ato janë sipërmarrje të mëdha ekonomike.

"Vlerësohet se të dy kishat kanë një qarkullim prej 150 miliardë eurosh, nëse mblidhen gjithçka”, thotë gazetari Carsten Frerk, i cili ka vite që interesohet për këtë temë. Por sipas tij, gjendja financiare është mjaft jo transparente, veçanërisht për shkak se qarkullimi është i shpërndarë në rreth 50 mijë persona juridikë. Sipas vlerësimeve, trashëgimia totale e dy kishave kap vlerën e 300 miliardë eurove.

Shërbimet e kishës si çerdhet, shtëpitë e kujdesit apo spitalet nuk do të kërcënoheshin nëse do të zhdukeshin kompensimet shtetërore, beson Frerk. "Nuk ka asnjë lidhje midis përfitimeve shtetërore dhe Caritas-it, Diakonie-s apo detyrave të tjera shoqërore të Kishës. Vetëm maksimumi dy përqind e këtyre institucioneve financohen nga kishat," shpjegon Frerk. Shteti mban barrën kryesore të kostove që rezultojnë. Kjo bëhet me parimin e subsidiaritetit, sipas të cilit shteti ua delegon detyrat institucioneve të shoqërisë civile.

A do të marrin fund tani kompensimet?

Problemi ishte që në fillim shteti federal nuk vendosi një afat të rreptë zbatimi, deri kur duhet të bëhet ky dëmshpërblim, thotë Heinig, specialist i së drejtës kishtare. Kështu, edhe Gjykata Kushtetuese Federale nuk mund të ndërhyjë dhe t'i detyrojë ligjvënësit të veprojë. Për më tepër, federata nuk fiton politikisht asgjë. Ajo ose irriton kishat ose irriton landet.

Sot, vetëm gjysma e popullsisë gjermane është anëtare e njërës prej dy kishave. Vlerësohet se kishat do të humbasin gjysmën e anëtarëve që kanë deri në vitin 2060. Duke pasur parasysh mungesën e mirëkuptimit të popullsisë për pagesat historike që duhet të kishin marrë fund 100 vjet më parë, është koha për një zgjidhje, thotë Heinig. Aq më tepër që p.sh. Republika Çeke, ka prirë tashmë me një shembull duke u dhënë fund kompensimeve shtetërore ndaj kishës duke paguar kompensim./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat