LIVE: Rusia përballet me një skenar të ri në rajonin e Baltikut – Biden ‘merret’ me Rusinë: Krejtësisht e papërgjegjshme

Evropë

LIVE: Rusia përballet me një skenar të ri në rajonin e Baltikut – Biden ‘merret’ me Rusinë: Krejtësisht e papërgjegjshme

Nga: Bota sot Më: 17 qershor 2023 Në ora: 06:45 Përditësuar në ora: 19:57 më 17.06.2023
Joe Biden

Rusia përballet me një skenar të ri në rajonin e Baltikut

Pranimi i Finlandës në NATO dhe kërkesa e Suedisë për anëtarësim në aleancën veri-atlantike, e kanë kthyer rajonin e Baltikut në një bastion të forcave perëndimore, një skenar i ri politik dhe ushtarak, shumë ndryshe nga ai që ekzistonte para sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës.

Aeroplanët luftarakë gjermanë dhe britanikë po përgatiten për kontroll rutinë mbi hapësirën e Estonisë, në kuadër të një misioni të NATO-s për kontrollin ajror, i nisur më 2004.

Por, këtë vit, misioni ka një risi: avionët finlandezë.

Anëtarësimi i Finlandës në aleancën veri-atlantike solli një skenar të ri në rajon. Kështu thotë Vesa Vasara, ambasador i Finlandës në Estoni.

“Anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë është i rëndësishëm për mbrojtjen e NATO-s në rajonin e Detit Baltik dhe Arktikut”, thotë ai.

Vëzghuesit thonë se siguria e Estonisë dhe vendeve tjera baltike, varet nga mbështetja e drejtpëdrejtë e partnerëve të saj perëndimorë.

“Kapacitetet tona ushtarake janë shumë të kufizuara. Ne kemi 24 automjete të artlierisë howitzer, por nuk kemi tanke, aeroplanë, luftanije, helikopterë luftarakë”, thotë Viljar Veebel, studiues në Kolegjin baltik të Mbrojtjes.

Prandaj, për marinën e vogël estoneze, anëtarësimi i Finlandës, fqinjit të saj baltik, është një garanci që kufizon aftësitë e Rusisë për të operuar lirshëm në këto ujëra. Por, analistët paralajmërojnë se kjo nuk do të thotë se forcat ruse do të qëndrojnë jashtë rajonit.

“Duhet të kemi parasysh se liria e lundrimit vazhdon të ekzistojë dhe ajo nuk mund t’i mohohet as Federatës së Rusisë. Por, stërvitjet do të jenë shumë më të lehta”, thotë për Zërin e Amerikës Ardo Riboon, përfaqësues i marinës estoneze.

Moska nuk ka ndërprerë aktivitetet e saj në këtë zonë, shpjegon Robert Steadman, atasheu britanik i mbrojtjes në Estoni.

“Ne vazhdojmë të shohim aktivitet në det dhe ajër. Gjatë misioneve të kontrollit ajror, ka pasur disa interceptime të avionëve rusë në hapësirën ajrore ndërkombëtare”, thotë ai.

Për Estoninë, pranimi i Finlandës dhe kërkesa e Suedisë për anëtarësim janë lame të mira, por autoritetet estoneze paralajmërojnë se Moska po ndërmerr kundërmasa.

“Ne po shohim se ata po krijojnë divizone të reja, me trupa shtesë, në zonën tonë, por megjithatë, ne e kuptojmë se këto janë reagime ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë”, thotë Hanno Pevkur, ministër i Mbrojtjes i Estonisë.

Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim pas sulmit rus kundër Ukrainës vitin e kaluar.

Finlanda i është bashkuar aleancës, por anëtarësimi i Suedisë ka hasur në pengesa.

Hungaria dhe Turqia ende nuk e kanë ratifikuar anëtarësimin e saj. Turqia e ka lidhur pranimin e Suedisë me masa më të rrepta kundër terrorizmit.

Zgjerimi i NATO-s kërkon miratimin e të gjitha vendeve anëtare.

Analistët thonë se tani, Deti Baltik është nën kontrollin e fuqive perëndimore, një kthesë e papritur e shkaktuar nga sulmi në shkallë të gjerë i Moskës kundër Kievit. /VOA/

Biden: Rusia është krejtësisht e papërgjegjshme për lëvizjen e armëve

Presidenti i SHBA Joe Biden ka përsëritur se është krejtësisht e papërgjegjshme që Rusia të transferojë armë bërthamore në NATO.

“Unë e kam komentuar këtë shumë herë është krejtësisht e papërgjegjshme”, tha ai para gazetarëve.

Kur u pyet nëse do ta bëjë më të lehtë për Ukrainën anëtarësimin në NATO, ai u përgjigj:

“Jo. Sepse ata duhet të përmbushin të njëjtat standarde. Kështu që unë nuk do ta bëj të lehtë. Mendoj se ata kanë bërë gjithçka që lidhet me demonstrimin e aftësisë për të koordinuar ushtarakisht.

Por është e gjithë çështja e sistemit tonë për t’u siguruar. A nuk është i korruptuar? A plotëson Të gjitha standardet që ka çdo komb tjetër në NATO? Unë mendoj se mundet. Por nuk është automatike“.

Moska do të “digjet” nga dueli i frikshëm mes Putin dhe Prigozhin, kreu i “Wagner” kërkon të marrë me force karrigen e presidentit, ja çfarë do të ndodhë në 1 korrik

Kreu i mercenarëve të grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, tani është zyrtarisht një ish-besnik i  presidentit rus Vladimir Putin. Sulmet e tij ndaj udhëheqjes ushtarake ruse kanë ecur vazhdimisht paralelisht me pretendimet për milicitë e tij. Por “kuzhinieri i Putinit”, siç u quajt dikur, synon që Kremlini të bëhet vetë president. Jo përmes zgjedhjeve normale, shpjegon një artikull në “Il Giornale”, por dueli për pushtet midis Putinit dhe ish-besnikut të tij "mund të ketë ende një përfundim potencialisht fatal, për një nga pretendentët, deri në fillim të korrikut".Për vite me radhë, miliarderi i lidhur me Kremlinin, Yevgeny Prigozhin, operoi kryesisht nën hije, duke krijuar pasuri përmes kontratave qeveritare në fushën e gastronomisë dhe kontratave të tjera. Njësoj po bën dhe tani, ndonëse jo në shërbim të Putinit, por kësaj here kundër tij.

1 korriku si afat

Data e shënuar është 1 korriku, jo pa arsye. IshteMinistri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, që përcolli urdhrat e Putinit, duke njoftuar se “grupet e vullnetarëve” dhe kompanitë private ushtarake do të duhet të nënshkruajnë kontrata direkt me ministrinë, deri më 1 korrik. Ministria pretendoi se “kjo do t’u japë formacioneve vullnetare statusin e nevojshëm ligjor, do të krijojë qasje të përbashkëta për organizimin e mbështetjes gjithëpërfshirëse dhe përmbushjen e detyrave të tyre”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS. Prigozhin reagoi ashpër ndaj njoftimit, duke deklaruar se “Wagner nuk do të nënshkruajë asnjë kontratë me Shoigu”. Por më pas masa për të zbatuar kontratat me kompanitë private ushtarake u miratua në mënyrë eksplicite nga Putin, me presidentin që tha se donte që ligji të ndryshonte për të legalizuar aktivitetet e tyre. Çuditërisht, pavarësisht komenteve të Putinit, Prigozhin përsëri refuzoi të nënshkruante ndonjë kontratë. Ndaj, 1 korriku, në këtë pikë do të bëhej jo vetëm afati përfundimtar për t'i dhënë fund pavarësisë së grupit Wagner, por mbi të gjitha afati për një lloj sfide, mes diktatorit në detyrë dhe konkurrentit të tij ambicioz. Përplasja duket e pashmangshme.

Përplasjet me autoritetet

Prigozhin ka patur prej kohësh debate të nxehta me dy drejtuesit e forcave ruse: Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe Shefin e Shtabit Gjeneral Gerasimov. Shefi i Wagner-it, i mësuar të përdorë gjuhë agresive dhe vulgare edhe në publik, kohët e fundit madje deklaroi se të dy "duhen pushkatuar" për sjelljen e tyre gjatë luftës. Megjithatë, Prigozhin duket se “merr krahë”, nga  fakti se shumë suksese ushtarake ruse në Ukrainë janë arritur nga njerëzit e tij. Kjo nuk është pranuar nga Kremlini, që ka deklaruar se Wagner humbi 20 mijë burra në front. Por me kalimin e kohës, eksperti dhe komandanti brutal, u shndërrua në një rival ambicioz dhe të zëshëm, madje politik, të numrit “Një”. Ai po sulmon gjithnjë e më shumë në mënyrë eksplicite dhe deri më tani pa u ndëshkuar, udhëheqësit ushtarakë, dhe vetë Putinin, ndonëse në një mënyrë më indirekte dhe të rastësishme. Disa ditë më parë, madje u shfaqën postera që tregonin Prigozhin si kandidat presidencial, siç shkruan “Il Giornale”.

Problemet me Perëndimin

Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur se kjo është një sfidë autentike.Andrei Kolesnikov, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën Eurasia të Carnegie Rusisë, vuri në dukje se “Prigozhin po luan në politikën e pavarur, duke ngritur aksionet dhe duke testuar ndjeshmërinë e sistemit”.Megjithatë sipas tij, ka një problem. “Prigozhin përfaqëson një lider në zhvillim që u flet njerëzve pa ndërmjetës, ashtu siç i ka hije një lideri populist dhe të vërtetë, por problemi i vetëm është se Rusia tashmë ka një udhëheqës të tillë: Presidentin Vladimir Putin”, tha Kolesnikov. Sakaq, disaekspertë të tjerë shkojnë aq larg sa thonë se Prigozhin po iu tregon liderëve perëndimorë se është më mirë të qëndrojë Putini në pushtet edhe në rast të humbjes së Rusisë në Ukrainë, krahasimisht me një gjakatar. Ndoshta po, ose ndoshta dhe jo. Mbase Putini po luan si gjithmonë “Përça dhe Sundo”. Pesëmbëdhjetë ditë do të mësojmë të vërtetën.

Putin në panik nga eliminimi me dron nga ukrainasit, izolon një qytet të tërë dhe shkëput internetin për të mbajtur fjalim

Një nga çështjet më të përfolura në lidhje me presidentin rus Vladimir Putin, është pa dyshim paranoja e tij dhe frika nga atentatet, frikë e cila e ka bërë liderin rus të mos udhëtojë historikisht me avionë, duke preferuar trenin si mjet transporti edhe për distanca të largëta. Megjithatë, pas pushtimit të Ukrainës dhe sulmeve me dron në qendër të Moskës, gjërat janë përkeqësuar dhe Putin thuhet se është bërë paranojak. Së fundmi, thuhet se ai ka urdhëruar që të fusë në “lockdown”, të mbyllë një qytet të tërë si dhe të shkëpusë internetin, vetëm sepse do të mbante një fjalim, duke treguar kështu sërish frikën e tij nga tentativat për vrasje.

Qyteti në “lockdown”

Mediat e huaja shkruanin ditën e djeshme se Vladimir Putin kishte ndërmarrë hapa drastikë për të siguruar Shën Petersburgun përpara fjalimit të tij të rëndësishëm, duke përfshirë pezullimin e shërbimeve të internetit celular në qytet. Agjentët paranojakë kishin frikë se sinjalet mund të përdoreshin për të drejtuar dronët në sulmet vrasëse ndaj Putin, pasi kjo është bërë taktikë e zakonshme në Ukrainë dhe, së fundmi, në sulmet përtej kufirit në Rusi. Ministria e Komunikimeve e Rusisë lëshoi një urdhër për çaktivizimin e të gjithë operatorëve celularë, sipas burimeve të gazetës Faridaily të drejtuar nga gazetarja Farida Rustamova.Masa ishte 'për të parandaluar dronët që të sulmonin vendin e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar i Shën Peterburgut, i parë si ekuivalenti i Davosit të Rusisë. Pamjet treguan madje qen nuhatës në Shën Petersburg, i cili është edhe qyteti i lindjes së Putinit, rrethuar nga masa të rrepta sigurie.

Paranojat e Putin

Ukraina ka nisur sulme të shumta me dronë ndaj Rusisë në hakmarrje për sulmet e pafundme raketore nga forcat e Putinit.Kjo u portretizua nga Moska si një përpjekje për të "vrarë Putinin". Dhe në fund të majit, një sulm me dron iu afrua rezidencës zyrtare të pallatit të Putinit, Novo-Ogaryovo, afër Moskës.Pas sulmit me dron në Kremlin në maj, u raportua se Putini kishte frikë të bënte ndonjë udhëtim jashtë shtetit nga frika se do të vritej. Vendimi erdhi gjithashtu pas një urdhër-arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare mbi akuzat për krime lufte në Ukrainë, e cila kërkon që çdo shtet anëtar të ndalojë Putinin nëse ai shkel në territorin e tyre. Ka pasur edhe zëra për një grusht shteti të mundshëm nga kreu i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili është bërë gjithnjë e më kritik ndaj ushtrisë së Rusisë dhe përpjekjeve të saj të lëkundura në fushën e betejës nëse Ukraina. Sipas “Daily Beast”, duke cituar gazetën e pavarur ruse “Verstka”, udhëheqësi rus është bërë gjithnjë e më i frikësuar për jetën e tij muajt e fundit. Burimi tha se Putini ishte i kujdesshëm për të udhëtuar kudo dhe se "ai nuk ka fare siguri". Ai nuk udhëtoi në Turqi për inaugurimin e Presidentit Recep Erdogan dhe nuk do të marrë pjesë në Organizatën e ardhshme të Bashkëpunimit të Shangait në Indi në korrik.

Refuzimi i internetit

Paraqitja e Putinit erdhi në një kohë kur ka zëra se ai po përdor gjithnjë e më shumë një sozi për ngjarje publike për shkak të frikës së sigurisë ose sëmundjeve. Ekonomisti suedez Anders Aslund, i cili ka punuar si këshilltar për qeverinë ruse dhe ukrainase, i tha “Die Welt”: “Putini nuk guxon të dalë në publik. Sa herë që shfaqet, ka dyshime se është sozia e tij.Putini duket i frikësuar. Ai ka ndërtuar bunkerë në tre rezidencat e tij kryesore. Ai udhëton me tren të blinduar. Dhe në secilën nga tre rezidencat e tij kryesore, ai ka ndërtuar stacione speciale për sigurinë e tij personale. Niveli i paranojës duket pothuajse patologjik", tha ai. Po ashtu, burimet thonë se rrethi i brendshëm i Putinit është bërë gjithnjë e më i ngushtë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, deri në atë pikë sa ai refuzon të dëgjojë lajmet negative të fushëbetejës nga gjeneralët e tij.Sipas Iuliia Osmolovska, drejtoreshë e qendrës së mendimit “GlobSec”, Putin po shmang çdo lajm të keq, lidhur me ushtrinë e tij dhe refuzon të përdorë internetin. “Ai nuk përdor as internetin, kështu që nuk ka informacion tjetër për të verifikuar lajmin që po dëgjon”, shtoi ajo.

Vendosja e armëve bërthamore ruse në Bjellorusi, reagon ashpër SHBA

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se administrata e presidentit Joe Biden po monitoron nga afër situatën midis Rusisë dhe Bjellorusisë pasi Presidenti Vladimir Putin njoftoi sot se Moska ka vendosur armë bërthamore në vendin fqinj.

SHBA-ja nuk “sheh ndonjë tregues” se Rusia po përgatitet të përdorë një armë bërthamore, tha Blinken në një konferencë shtypi të premten me ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Vivian Balakrishnan në Departamentin e Shtetit.

Blinken tha se SHBA mbetet e përkushtuar për të mbrojtur “çdo centimetër” të territorit të NATO-s.

“Për sa i përket vetë Bjellorusisë, ky është vetëm një shembull tjetër i Lukashenkos duke bërë zgjedhje të papërgjegjshme, provokuese për të hequr dorë nga kontrolli i sovranitetit të Bjellorusisë kundër vullnetit të popullit bjellorus,” tha Blinken.

Putin njoftoi sot se dërgesa e parë me armë bërthamore ka arritur në Bjellorusi.

Putin konfirmon dislokimin e armëve bërthamore në Bjellorusi

Rusia veçse ka stacionuar grupin e parë të armëve taktike bërthamore në Bjellorusi, tha presidenti rus, Vladimir Putin.

Putin tha gjatë një forumi se këto armë do të përdoren vetëm nëse shteti apo territori rus kërcënohen.

Qeveria amerikane tha se nuk ka indikacione se Kremlini po planifikon të përdorë armë bërthamore për të sulmuar Ukrainën.

“Ne nuk shohim indikacione se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pas deklaratës së Putinit.

Putin tha se transferimi i kokave taktike bërthamore do të përfundojë në fund të verës.

Duke iu përgjigjur pyetjeve pas fjalimit në Forumin Ndërkombëtar Ekonomik në Shën Petersburg, Putin tha se ky vendim synon të paralajmërojë të gjithë “që mendojnë të na shkaktojnë humbje strategjike”.

Kur u pyet për mundësinë e përdorimit të këtyre armëve, Putin u përgjigj: “Pse duhet të kërcënojmë të gjithë botën? Unë veçse kam thënë se përdorimi i masave ekstreme do të jetë i mundshëm vetëm kur shteti rus të jetë në rrezik”.

Armët taktike bërthamore janë koka të vogla bërthamore që mund të përdoren në fushëbeteja apo për sulme të kufizuara. Ato janë të dizajnuara për të shkatërruara shënjestra të armikut në zona specifike, pa shkaktuar rrjedhje të mëdha radioaktive.

Arma më e vogël taktike bërthamore mund të jetë një kiloton apo më pak dhe më e madhja mund të jetë deri në 10 kiloton.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Kievi nuk pranon negociata me Moskën përderisa trupat e saj ende kanë territore të pushtuara në Ukrainë.

Putin sfidon Perëndimin: Sanksionet nuk kanë arritur të izolojnë Rusinë

Presidenti rus, Vladimir Putin ka sfiduar Perëndimin lidhur me sanksionet e vendosura për shkak të luftës në Ukrainë.

“Sanksionet ndaj Rusisë nuk kanë arritur ta izolojnë atë dhe në vend të kësaj kanë çuar në një "zgjerim" të tregtisë së saj me "tregjet e së ardhmes", thotë Putin.

Presidenti rus deklaroi në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg se "sistemi ndërkombëtar nekolonial ka pushuar së ekzistuari"

Ai u shpreh se Rusia tashmë ka lëvizur armët taktike bërthamore tek aleati i saj Bjellorusia, e cila është fqinje me Ukrainën.

Ndodh për herë të parë që nga nisja e luftës në Ukrainë, Putin vizitë zyrtare në një shtet të NATO-s

Presidenti rus, Vladimir Putin do të zhvillojë vizitën e parë zyrtare në një vend të NATO-s që nga nisja e luftës me Ukrainën.

Raportohet se destinacioni i kreut të Kremlinit do jetë Turqia, ku ai do takojë homologun e tij turk, presidentin Rexhep Tajip Erdogan, i cili i ka dërguar ftesën Putinit.

Vizita do të jetë e para e Putinit në një vend anëtar të NATO-s që kur ai dëtrgoi dhjetëra mijëra trupa të pushtonin Ukrainën më 24 shkurt 2022.

“Ka një ftesë nga presidenti i Turqisë. Putin dhe Erdogan ranë dakord që vizita do të bëhet në të ardhmen e afërt, por ne ende nuk kemi folur për data specifike”, tha këshilltari për politikën e jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov, sipas Interfax.

Erdogan, i cili u rizgjodh muajin e kaluar për një mandat tjetër pesëvjeçar, ka kërkuar që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë të mbajë lidhje të forta me Moskën, por edhe me Kievin.

Turqia ka refuzuar të bashkohet me aleatët e saj perëndimorë në vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, por gjithashtu ka furnizuar me armë Ukrainën dhe ka kërkuar që të respektohet sovraniteti i saj.

Ushtria ukrainase kap pesë deri në 10 ushtarë rusë në ditë

Nga: Bota sot

Ushtria ukrainase ka kapur pesë deri në 10 ushtarë rusë në ditë në rajonin Donbas dhe Zaporizhzhia, sipas një raporti nga Kyiv Post.

Në fakt, brenda një jave, më shumë se 70 robër lufte rusë u kapën, tha ai.

Pas shqyrtimit të 31 videove të shpërndara nga Forcat e Armatosura të Ukrainës, gazeta zbuloi se shumica e ushtarakëve rusë u dorëzuan pasi këmbësoria e Kievit pushtoi pozicionet e tyre.

Video të shumta treguan trupat duke marrë rusët në robëri, duke i urdhëruar ata të hiqnin veshjet e tyre të jashtme dhe t'i nënshtroheshin një kontrolli kokë më këmbë, pas së cilës sytë e të burgosurve mbulohen dhe duart e lidhura me shirit ushtarak, tha ai.

Çdo metër tokë e rimarrë është e një rëndësie të madhe, thotë Zelenskyy

Nga: Bota sot

Çdo metër i territorit ukrainas i rimarrë nga forcat pushtuese ruse është "i rëndësisë më të madhe", tha Volodymyr Zelenskyy.

"Lëvizja jonë përpara është gjëja më kritike," tha presidenti ukrainas në fjalimin e tij video të natës pas takimit me komandantët e lartë ushtarakë.

“Çdo ushtar, çdo hap i ri që hedhim, çdo metër Toka e Ukrainës e çliruar nga armiku është e një rëndësie të madhe”.

Ukraina filloi kundërsulmin e saj të shumëpritur në fillim të këtij muaji dhe tashmë ka pretenduar se ka rimarrë të paktën shtatë vendbanime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat