Mbahet mbledhja e parë e qeverisë së re greke

Evropë

Mbahet mbledhja e parë e qeverisë së re greke

Më: 28 qershor 2023 Në ora: 15:41
Kyriakos Mitsotakis

Në mbledhjen e parë të kabinetit të qeverisë së re të Greqisë, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis para ministrave deklaroi se rritja ekonomike dhe përmirësimi i standardeve të jetesës do të kenë përparësi në mandatin e dytë të qeverisë.

“Ne e fillojmë mandatin tonë të dytë katër vjeçar me optimizëm dhe përgjegjësi. Do të fillojmë nga ministria e Financave, e cila është në qendër të planit tonë. Pa një ekonomi që mund të rritet me shpejtësi, nuk mund të ketë prosperitet dhe rritja është ajo që lufton padrejtësinë më të madhe sociale, atë të papunësisë”.

Ai ka premtuar të vazhdojë me reformat për të luftuar inflacionin, për të rritur standardet e jetesës, për të rritur të ardhurat nga industria turistike dhe për të rritur pagat afër mesatares së Bashkimit Evropian.

“Paga më të mira, një sistem shëndetësor më i mirë publik, një shtet më i mirë, një jetë më e mirë në një Greqi më të fortë. Programi ynë është padyshim shumë më i pasur dhe më i gjerë”.

Mitsotakis tha gjithashtu se prania e më shumë ministreve gra në kabinetin e tij ishte një hap në drejtimin e duhur. Gjithsej në kabinet janë 64 ministra, përfshirë deputetë dhe zëvendësministra, ku 15 janë gra.

Duke iu referuar tre partive të krahut të djathtë që do të hyjnë në parlament Mitsotakis tha se formacionet e shumta në parlament nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht pluralizëm demokratik. Partia Demokracia e Re e Mitsotakis mundi kundërshtarët në zgjedhjet e 25 qershorit, duke marrë 40% të votave dhe duke siguruar një shumicë dërrmuese në parlament.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat