Ukraina thotë se ka shkatërruar dronë rus në disa rajone të vendit

Evropë

Ukraina thotë se ka shkatërruar dronë rus në disa rajone të vendit

Më: 29 janar 2024 Në ora: 15:15
Foto ilustrim

Kievi njoftoi sot se forcat e saj të mbrojtjes ajrore rrëzuan tetë dronë rusë në disa rajone të Ukrainës. Një ditë më parë Presidenti Zelenskyy theksoi nevojën e furnizimit me armatime. Deklaratat e tij u paraprinë nga ato të shefit të NATO-s, Stoltenberg i cili tha se nëse Kievi nuk furnizohet me armatime, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa do të jenë më të rrezikuara.

Forcat ajrore ukrainase thanë se shkatërruan dronë mbi një sërë rajonesh të vendit, përfshirë rajonet Mykolaiv, Dnipropetrovsk, Khmelnytskyi dhe Rivne.
Rusia përdori në sulm edhe raketa të modelit S-300.

Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të dielën se është kritike të ketë një “rritje e qëndrueshmërisë në furnizimet me armatime, municione dhe automjeteve për forcat mbrojtëse të vendit”.

Deklaratat e tij pasuan ato të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili paralajmëroi se nëse Ukraina nuk vazhdon të marrë mbështetjen që i nevojitet për të luftuar Rusinë, atëherë Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe pjesë të tjera të botës do të jenë më të rrezikuara.

Po të dielën, zyrtarët ukrainas njoftuan se kanë zbuluar vjedhje të fondeve ushtarake përmes një skeme ku u përvetësuan 40 milionë dollarë, me të cilat duhet të bliheshin armatime. Fondet ishin parashikuar për blerjen e 100,000 predhave mortajash për luftën me Rusinë. Por ato nuk u blenë kurrë.

Lufta ndaj korrupsionit ishte dhe mbetet një shtyllë kryesore në kuadër të synimeve të Ukrainës për t'u anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Europian. Zyrtarët nga të dy blloqet kanë kërkuar reforma të thella kundër korrupsionit.

Ndërkohë, Kremlini vazhdon të godasë objektiva në Ukrainë, si ndërtesat e banimit dhe infrastrukturën civile.

Në Shën Petersburg, disa ditë më parë, një gjykatë dënoi shtetasen ruse Darya Trepova për sulm terrorist më prill 2023 në territorin rus.

Ajo u akuzua se i dha një pajisje shpërthyese një blogeri rus, i cili mbështeste luftën në Ukrainë, ndërsa ai po mbante një fjalim në një kafene. Ajo tha se ishte mashtuar, pasi mendonte se pajisja kishte vetëm funksion përgjimi dhe se nuk e dinte që ishte një bombë, që mund t’i kishte marrë jetën edhe asaj vetë. Ajo u dënua me 27 vjet burg.

Këto zhvillime vijnë në një kohë që zyrtarë të dy vendeve hodhën poshtë deklaratat e ndërsjella për rrëzimin e një aeroplani ushtarak rus ku besohet se gjendeshin 74 persona, përfshirë 65 ushtarë robër ukrainas, në kuadër të asaj që supozohet se ishte një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve ukrainas me trupa ruse.

Moska ka dhënë prova të pakta për të mbështetur pretendimet e saj se avionin e rrëzoi Ukraina dhe se në bord gjendeshin edhe ushtarët e kapur.

Ukraina thotë se deri tani Rusia po bllokon një hetim ndërkombëtar, ndërsa Kievi nuk ka konfirmuar dhe as nuk e ka hedhur poshtë përfshirjen në ngjarje./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat