Itali, përcillen mes lotësh viktimat e tërmetit

Evropë

Itali, përcillen mes lotësh viktimat e tërmetit

Më: 28 gusht 2016 Në ora: 10:22
Viktimat e tërmetit

Qeveria italiane ka organizuar një funeral shtetëror, me arkivole të thjeshtë për disa prej 291 viktimave të vdekur në tërmetin që tronditi Italinë Qendrore. Në sallën e madhe sportive të Askoli Picenos janë paraqitur 35 arkivole, ndër të cilat kanë qenë edhe ato të një foshnje vetëm 18-muajsh dhe një vajze 9-vjeçare. Këta janë vetëm dy nga 21 fëmijët që humbën jetën nën rrënoja në zonat e prekura nga tragjedia. Peshkopi Xhovani D’Erkole tha se kjo tragjedi është një dhimbje e madhe për popullin italian, por se duhet forcë e kurajo për ta përballuar atë. “Kjo që ndodhi ishte e dhimbshme. Ne si popull kemi hasur në shumë vuajtje. Por unë them të mos e humbni guximin tuaj”, tha peshkopi. Salla me arkivole ishte e mbushur me familjarë të viktimave dhe me politikanë të rangut të lartë. D’Erkole ka shtuar se vetëm me përpjekje mund të kapërcehet kjo situatë. “Vetëm së bashku mund të rindërtojmë shtëpitë dhe kishat tona.

Image

Mbi të gjitha, së bashku mund t’ju japim jetë komuniteteve tona”, theksoi ai. Në atë sallë ndodhej edhe një kryq i mbuluar me pluhur, që ishte shpëtuar nga kishat e rrënuara nga tërmeti. Në kohën që po mbahej funerali, ekipet e shpëtimit kanë vazhduar të kërkojnë nën rrënoja. Ata kanë kërkuar sidomos në Amatriçe, por se punëtorët e shpëtimit vunë në dukje se shpresat për të gjetur njerëz të gjallë, thuajse janë fikur. Nëntë trupa të pajetë janë gjetur të shtunën në darkë në rrënoja, ku tre prej tyre janë nxjerrë gjatë orëve të natës, duke e çuar numrin e të vdekurve vetëm në Amatriçe në 230 persona, rezidentë e turistë. Autoritetet italiane kanë saktësuar se 387 njerëz gjenden në spital dhe njëri ka ndërruar jetë dje, për shkak të lëndimeve. Edhe nga masa e të plagosurve, ka rrezik të ketë disa vdekje.

Personi i fundit i nxjerrë nga rrënojat ka qenë Xhorxhia, e cila ka mbushur 4 vjeçe gjatë ditës së shtunë. Ajo ka dalë gjallë, pasi ishte mbrojtur nga motra më e madhe, Xhulia, 8 vjeçe. Kjo e fundit e kishte arkivolin në qendër të sallës sportive, në ceremoninë shtetërore të mbajtur për viktimat e tërmetit. “Përshëndetje, vogëlushe e vogël”, shkruhej në një letër të lënë në arkivolin e Xhulias nga ana e një punëtori të ekipeve të shpëtimit. “Na vjen keq që nuk mundëmtë të shpëtojmë gjallë. Por, se ne bëmë gjithçka ishte e mundur lidhur me rastin tënd. U prehsh në paqe, engjëll i vogël”, thuhej në letër.

Image


Funerali 

Pamjet më të dhimbshme gjatë funeralit shtetëror të zhvilluar në sallën sportive, kanë qenë fytyrat e të dashurve të zemrës të personave në arkivole. Ata shpesh uleshin në karrige, luteshin me duar, ngrinin shikimin lart në qiell dhe vajtonin pa pushim për njerëzit e afërt që humbën jetën në tërmetin shkatërrimtar. Të afërmit përkulnin kokat me dhimbje e lot përpara fotografive të njerëzve më të dashur. Në sallë u lexuan emrat e viktimave, ndërsa jashtë sallës janë dëgjuar duartrokitje në shenjë solidariteti me familjet e prekura. Presidenti i Italisë, Serxhio Matarela dhe kryeministri Mateo Renzi, ndër të tjera kanë biseduar edhe me familjarët e viktimave, duke ndarë dhimbjen me ta. “Ne do të bëjmë çdo gjë të mundshme, që jeta në komunat e prekura nga tërmeti të rikthehet siç ka qenë. Ne do të rindërtojmë ata komuna”, tha Renzi. Autoritetet kanë bërë me dije në ceremoni emrat e 181 viktimave, për të cilat u mbajt dje zia. Më i riu nga viktimat ishte vetëm pesë muajsh, ndërsa më i vjetri 93 vjeç. Gjashtë rumunë, tre britanikë, një grua spanjolle, një kanadez dhe një shqiptar ndërruan jetë në tragjedi. Shumica e ndërtesave në zonën ku ra tërmeti nuk kanë pasur mbrojtje nga lëkundjet sizmike. Edhe një shkollë e rinovuar në Amatriçe, e ndërtuar në vitin 2012, ishte shembur në tokë. Lidhur me tragjedinë, janë hapur edhe hetime. Në to është përfshirë shkatërrimi i një kulle të bukur në qendër të Amatriçes, e cila ishte rrëzuar dhe për pasojë kishte lënë të vdekur katër anëtarë të së njëjtës familje.

Image

Gjithçka fat i keq? 

Prokurori Xhuzepe Saieve, që po udhëheq hetimet për tragjedinë tha se jo gjithçka ka qenë fat i keq. “Ajo që ndodhi nuk mund të konsiderohet vetëm fat i keq. Nëse ndërtesat do të kishin stil të ndërtimit siç janë në Japoni, katastrofa nuk do të ishte kaq e tmerrshme”, tha Saieve për “La Republika”. Renzi ka premtuar se do të rindërtojë ndërtesat e shkatërruara, ndërsa kryetari i Amatriçes i ka bërë thirrje qeverisë për të mësuar nga ngjarja e dhimbshme dhe për të marrë masat e nevojshme. “Ajo që ne duhet të bëjmë është një rindërtim i banesave në kohë rekord. Kjo është një mundësi e madhe për politikanët për të treguar përkushtimin e jashtëzakonshëm”, i është drejtuar kryetari Serxhio Piroli, presidentit Matarela.Deri tani, vetëm disa vende të shkatërruara në Amatriçse janë rregulluar sërish, ndërsa vendbanime të tëra janë kthyer në fshatra fantazmë. “Nuk janë më as dyqanet e ushqimeve, as restoranti, asgjë nuk ka mbetur”, tha Eduardo Nibi, 31 vjeç nga fshati San Lorenzo. Sipas tij, të dëmtuara rëndë janë fshati ku ka lindur dhe Flaviano. Tronditjet ndërkohë kanë vazhduar edhe gjatë natës të së shtunës, me magnitudë mesatare 4.2 ballë. Autoritetet janë shprehur se që nga fillimi i tërmetit janë shënuar 1 350 tronditje të tokës. Kjo është tragjedia më e rëndë prej tërmeteve në Itali, prej shtatë viteve. Tërmeti i fundit shkatërrimtar në shtetin italian kishte rënë në vitin 2009 në Akuila.
 

Image

Përlotet Agnese Renzi

Në palestrën e Askoli Picentos është mbajtur ceremonia zyrtare e varrimit të disa prej të vdekurve nga tërmeti i 24 gushtit, që tronditi Italinë Qendrore. Në këtë ceremoni kanë qenë të pranishëm familjarë të viktimave, por edhe politikanë të lartë. Mes tyre, i pranishëm ka qenë edhe kryeministri Mateo Renzi, me bashkëshorten, Agnese. Gjatë ceremonisë të gjithë politikanët janë ngritur në këmbë në nderim të viktimave. Jo vetëm kaq, por disa prej tyre nuk i kanë mbajtur dot lotët. Agnese Renzi është parë duke lotuar për viktimat e tërmetit. Ajo është parë teksa uli shaminë poshtë lotëve dhe qante vazhdimisht. Agnese vazhdimisht i kishte kryqëzuar duart e saj, në formë lutjeje. Përgjatë meshës, të shqetësuar janë parë edhe liderët e tjerë politikë. Mateo Renzi është fotografuar i pikëlluar dhe teksa lutej për shpirtin e viktimave. Edhe presidenti e zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit janë lutur për viktimat në palestrën, ku gjendeshin trupat e viktimave të tërmetit shkatërrimtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat