Zgjedhjet në Holandë të paparashikueshme

Evropë

Zgjedhjet në Holandë të paparashikueshme

Më: 15 mars 2017 Në ora: 16:29
ilustrim

Në Holandë 13 milionë votues do të vendosin sot se kush do të qeverisë vendin, në një proces që shihet si një test për ndjenjat kundër politikës së vjetër dhe imigrantëve si dhe të ardhmen e vendit në Bashkimin Evropian. Sondazhet tregojnë se partia e qendrës së djathtë e kryeministri në detyrë Mark Rutte gëzon një epërsi të vogël ndaj Partisë për Liri të Geert Wildersit, me qëndrime të ashpra kundër fesë islame dhe Bashkimit Evropian. Analistët e kanë të vështirë të parashikojnë rezultatin e këtyrë zgjedhjeve, nisur dhe nga pasiguritë e mëdha që kanë treguar holandezët gjatë fushatës zgjedhore.

Votuesit në Holandë i janë drejtuar sot kutive të votimit për të zgjedhur parlamentin e ri. Janë zgjedhje që ekspertët i cilësojnë si plotësisht të paparashikueshme.

1114 kandidatë nga 28 parti garojnë për 150 vende të Dhomës së Përfaqësuesve. Sipas sondazheve të fundit “Partia e Lirisë” që drejtohet nga politikani i krahut të ekstremit të djathtë Geert Wilders renditet e dyta me një diferencë të vogël, pas “Partisë Popullore për Liri dhe Demokraci” të kryeministrit në detyrë Mark Rutte.

Ish zëvëndës guvernatorja e provincës jugore të Holandës, Lenie Dwarshuis thotë se rezultati i këtij viti është i paparashikueshëm përsa kohë që votuesit janë të paqartë se kë do të mbështesin.

“Rezultatet janë të paparashikueshme sepse votuesit më shumë se çdo herë tjetër në historinë e vendit janë në mëdyshje se çfarë të mbështesin, pasi bota ka ndryshuar shumë në 10 apo 12 vitet e fundit. Kjo i bën shumë njerëz të pasigurtë në Holandë, por edhe në Evropë ose edhe në Shtetet e Bashkuara. Ata janë në mëdyshje se çfarë është më e mirë për ta, se çfarë është më e mirë për vendin.

Zoti Wilders, fushata populiste e të cilit tërhoqi shumë votues në Holandë, shpreson që partia e tij do të largojë nga parlamenti koalicionin qeverisës. Megjithatë Floris Vermeulen, ekspert për çështje të imigracionit në universitetin e Amsterdamit thotë se edhe nëse Wilders fiton, partia e tij mund të mos jetë pjesë e qeverisë së re.

“Shumë prej partive në Holandë në këto zgjedhje me shumë gjasë nuk do të marrin më shumë se 50 për qind të votave. Atyre do t’u duhet të formojnë një koalicion qeverisës. Pothuaj të gjitha partitë kanë deklaruar se nuk e duan bashkëpunimin me Partinë e Lirisë së Geert Wildersit. Pra në këtë kuptim, me shumë gjasë, ai nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re”.

Eksperti shton se sa më shumë mbështje të fitojë partia e Wildersit aq më shumë ndikim do të ketë në çështje të rëndësishme si imigracioni dhe ato që lidhen me Bashkimin Evropian.

Wilders ka bërë një fushatë ku është zotuar se do të ndalojë imigrantët myslimanë, do të mbyllë xhamitë, do të ndalë shitjen e kuranit si dhe se do të largojë vendin nga Bashkimi Evropian.

Veç Holandës, në muajt e ardhshëm do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale në Francë, në prill dhe zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani në muajin shtator, ku garojnë një sërë kandidatësh nacionalistë të së djathtës ekstreme./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat