Çavushoglu kërcënon: Do të anulojmë marrëveshjet me BE-në për migrantët

Evropë

Çavushoglu kërcënon: Do të anulojmë marrëveshjet me BE-në për migrantët

Më: 15 mars 2017 Në ora: 22:41
Shefi i diplomacisë turke, Mevlut Çavushoglu

Shefi i diplomacisë turke, Mevlut Çavushoglu kërcënoi sonte se vendi i tij do të anulojë marrëveshjen me BE-në për migrantët të muajit mars 2016, me të cilën në mënyrë dramatike është ulur kalimi i tyre në Evropë.

“Ne mund ta përmbyllim marrëveshjen njëanshëm. Ende nuk i kemi informuar bashkëbiseduesit tanë, gjithçka është në duart tona”, tha ai në një intervistë për TV Kanal 24, me rastin e tensioneve me disa vende të Unionit.

“Tashmë mund të themi se nuk dëshirojmë ta zbatojmë më, ka marrë fund. Nuk ka nevojitet leja e askujt”, ka theksuar numri një i diplomacisë turke.

Ai ka kritikuar BE-në, se përkundër marrëveshjes, nuk ka lejuar liberalizimin e vizave për qytetarët turq. 

Pothuajse 200.000 migrantë kanë arritur në ishujt grekë ndërmjet dhjetorit 2015 dhe fundit të shkurtit 2016, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më vonë ishin vetëm 3.500. 

Përveç liberalizimit të vizave, marrëveshja parashikon edhe ndihmën financiare për Ankaranë prej tre miliardë euro. 

Marrëdhëniet e Turqisë dhe BE-së janë përkeqësuar për shkak të refuzimit të Holandës dhe Gjermanisë javën e kaluar që të lejojnë ministrat turq që në territorin e tyre të marrin pjesë në mitingjet e mbështetjes për zgjerimin e kompetencave për presidentin turk Recep Tayip Erdogan, për të cilën gjë në Turqi muajin e ardhshëm do të merret vendimi në referendum.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat