Një gjykatë në Azerbajxhan urdhëroi bllokimin e disa ueb-faqeve të pavarura, përfshirë edhe atë të shërbimit azer të Radios Evropa e Lirë.
Gjykata e Qarkut në Baku tha se kërkesa e Ministritsë së Transportit, Komunikimeve dhe Teknologjisë së Lartë, për bllokimin e qasjes në ueb-faqe, duhet të përmbushet.
Përveç ueb-faqes së shërbimit azer, ndalesa prek edhe gazetën Azadliq, televizionin Meydan dhe dy programe televizive në internet.
Ministria ka kufizuar qasjen në këto ueb-faqe qysh më 27 mars, me udhëzim të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, e cila ka thënë se ato paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Azerbajxhanit.
Prokuroria ka thënë se ueb-faqet kanë "përmbajtje që promovon dhunë, urrejtje, ose ekstremizëm".
Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Thomas Kent, tha se veprimi i Ministrisë është përpjekje “për censurë të hapur, me qëllim frikësimin e shtypit të pavarur”.
Sipas Kent, kjo nuk tregon asgjë tjetër pos “përbuzjes së të drejtave themelore dhe konventave ndërkombëtare”.