Sulmi në Mançester: Arrestohet vëllai dhe babai i autorit të dyshuar

Evropë

Sulmi në Mançester: Arrestohet vëllai dhe babai i autorit të dyshuar

Më: 24 maj 2017 Në ora: 21:16
Mançester

Një vëlla si dhe babai i personit të dyshuar për shpërthimin vetëvrasës në Mançester janë arrestuar në Libi, sipas një zëdhënësi të forcës anti-terroriste libiane.

Zëdhënësi libian i sigurisë, Ahmed bin Salem tha se vëllai i personit të dyshuar për shpërthimin, Salman Abedi, u arrestua në Tripoli të martën.

Bin Salem i tha agjencisë së lajmeve Reuters se dy vëllezërit kishin qenë në kontakt kohët e fundit, dhe se i vëllai i Salman Abedit, Hashimi, kishte dijeni për planet e sulmit.

"Ne kemi dëshmi se ai është i përfshirë në Daesh (Shtetin Islamik) me vëllain e tij. Ne e kemi ndjekur atë për më shumë se një muaj e gjysmë," tha ai.

Personi i dyshuar për shpërthimin, Abedi, lindi në Angli nga prindër libianë. Babai i tij, i cili jeton në Tripoli, është ndaluar gjithashtu.

Policia britanike tha të mërkurën se ishte "e qartë" që vetëvrasësi i cili shpërtheu bombën në koncertin e Ariana Grandes në Mançester nuk veproi i vetëm.

"Është shumë e qartë se ky është një rrjet që po hetojmë", tha shefi i policisë së Mançesterit, Ian Hopkins gjatë një konference shtypi.

Policia britanike ka arrestuar pesë persona në lidhje me sulmin, ndërkohë që vazhdon bastisjet në Mançester.

Policia tha se i dyshuari i pestë u ndalua të mërkurën në mbrëmje në Wigan, një qytet në perëndim të Mançesterit.

Zyrtarët ndaluan gjithashtu tre persona të mërkurën, pas ekzekutimit të urdhërarresteve në Mançesterin e Jugut. Nuk janë dhënë informacione se çfarë roli kanë patur ata në sulmin e së hënës.

Sekretarja e brendshme britanike Amber Rudd tha të mërkurën se personi që hodhi veten në erë, Abedi, ishte "i njohur" nga shërbimet britanike të inteligjencës.

Ministrja e brendshme britanike Amber Rudd tha sot se personi që kreu shpërthimin vetvrasës, i identifikuar si 22-vjeçari Salman Abedi, ishte "i njohur" për shërbimet e fshehta britanike.

Ajo tha gjithashtu se "dukej e mundshme që ai të mos e kishte bërë këtë i vetëm”.

Hetuesit vazhdojnë punën për të përcaktuar nëse autori i sulmit të së hënës ka qenë pjesë e një grupi më të gjerë.

Mark Rowley, i cili kryeson Operacionet Policore Kombëtare kundër Terrorizmit, tha se në hetim është bërë përparim i mirë.

Ai tha se janë ndjekur një numër informacionesh, por autoritetet ende nuk mund të thonë nëse Abedi veproi i vetëm dhe kjo, tha zoti Rowley është me rëndësi kritike.

Komentet e tij erdhën pas vendimit të një komisioni për sigurinë, i cili e ngriti në “kritik” nivelin e alarmit ndaj terrorizmit. Deri tani në Britani ky është niveli më i lartë i paralajmërimit, që sinjalizon se ka shumë gjasa të ndodhë një sulm tjetër dhe që mund të jetë i afërt.

Ndryshimi në nivelin e paralajmërimit është i dukshëm me mobilizimin e ushtarëve për ruajtjen e disa zonave, sidomos të objekteve me grumbullime masive njerëzish si koncertet apo ndeshjet e futbollit, për të lehtësuar punonjësit e policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat