Britania pas zgjedhjeve

Evropë

Britania pas zgjedhjeve

Më: 13 qershor 2017 Në ora: 05:36
Theresa May

Udhëheqësit britanikë të biznesit po shtojnë kërkesat e tyre të lidhura me të ashtuquajturin ‘Brexit’, duke kërkuar të përfitojnë nga zgjedhjet e javës së kaluar, të cilat dobësuan konservatorët në pushtet të kryeministres Theresa May dhe u mohuan atyre shumicën në parlament.

Ata po lobojnë që qeveria të negociojë për një marrëdhënie më të ngushtë me Bashkimin Evropian nga ajo e planifikuar më parë nga kryeministrja May, e cila duket e vendosur të qëndrojë në pushtet, të paktën në planin afatshkurtër, përballë pakënaqësive të thella në parti lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të javës së kaluar.

“Ne duhet të kemi qasje në tregun evropian – ai është partneri ynë më i madh tregtar", thotë Stephen Martin i Institutit të Drejtorëve, një grup lobimi për drejtuesit e biznesit. Sipas një sondazhi të kryer nga instituti me anëtarët e tij, besimi i biznesit ka rënë ndjeshëm që nga zgjedhjet e së enjtes, mes shenjave të ngadalësimit të shpejtë ekonomik ndërsa drejtuesit e kompanive fajësojnë pasigurinë mbi përbërjen e qeverisë dhe planet e ‘Brexit’it.

"Është e vështirë të theksojmë se çfarë ndikimi dramatik ka pasiguria aktuale politike tek drejtuesit e biznesit dhe pasojat - nëse nuk adresohen menjëherë – mund të jenë shkatërruese për ekonominë e Britanisë së Madhe", thotë zoti Martin. Gati 72 për qind e anëtarëve të institutit thanë se "arritja e një marrëveshjeje të re tregtare me BE-në" duhet të jetë përparësia më e lartë e qeverisë së re.

Udhëheqësit e biznesit, të cilët e shohin rezultatin e zgjedhjeve si një kundërshtim të planit për një dalje të shpejtë nga BE-ja të zonjës May, po i bëjnë thirrje kryeministres që të konfirmojë shpejt të drejtat e qëndrimit të tre milionë shtetasve evropianë që tashmë jetojnë në Britani, duke argumentuar se ato janë vendimtare për sektorët kyç të ekonomisë britanike. Ata duan gjithashtu të kenë të paktën qasje jo-tarifore në Tregun e Përbashkët.

Kompania Airbus, gjigandi i hapësirës ajrore, ka paraqitur kërkesa të panegociueshme për qeverinë lidhur me ‘Brexit’, përfshirë lirinë e lëvizjes së punëtorëve të tyre dhe ruajtjen e harmonizimit rregullator me BE-në, duke paralajmëruar se nëse kërkesat nuk plotësohen, prodhimi do të zhvendoset jashtë shtetit. Kompania punëson 10,000 punëtorë në Britani dhe thotë se 100,000 vende të tjera pune, varen tek qëndrimi i Airbus-it në vend.

Por ndërsa drejtuesit e biznesit kërkojnë një rishqyrtim të Brex-it, mbetet i paqartë drejtimi që do të marr zonja May në këtë situatë të krijuar. Lëvizjet që ajo ka bërë deri tani për të mbështetur pozicionin e saj në rrezik, kanë dërguar sinjale të paqarta.

Në një përpjekje për të shmangur sfidën e udhëheqjes, zonja May ka shmangur ndryshimet e mëdha në kabinetin e saj duke i lënë ata që kanë më shumë gjasa ta sfidojnë atë, në pozicionet që kishin para zgjedhjeve të javës së shkuar. Para zgjedhjeve, ajo po planifikonte një riorganizim të madh të kabinetit.

Por Theresa May ka sjell në kabinet mbështetësin e ‘Brexit’-it, Michael Gove dhe në të njëjtën kohë ka promovuar mikun e vjetër pro BE-së, Damien Green në postin e zëvendës kryeministrit. Duket se zonja May po kërkon një mënyrë për të balancuar kërkesat e të moderuarve dhe të atyre që kërkojnë daljen nga BE-ja, në një përpjekje të dëshpëruar pë të qëndruar në pushtet.

Por kjo nuk është e lehtë. Ajo nuk po ndihmohet nga ministri për ‘Brexit’-in, David Davis, i cili kur u pyet në një intervistë televizive të hënën nëse qeveria duhet të dëgjojë tani biznesin dhe të ndjekë një ndarje më të zbutur me Evropën, këmbënguli se plani për një shkëputje të prerë nuk kishte ndryshuar.

Në një intervistë televizive të dielën, ministri i Mbrojtjes, Michael Fallon, la të kuptohej e kundërta kur tha: “Ne duam të punojmë me biznesin për këtë cështje.”

Figura të shquara të partisë jashtë kabinetit, vazhduan të mbajnë qëndrim mospajtues me zonjën May të hënën, duke parashikuar se ajo do të largohet së shpejti. Anna Soubry, ish ministre që bëri fushatë në referendumin e qershorit të kaluar që Britania të vazhdonte të qëndronte në BE, tha se pozicioni i zonjës May ishte “i papërshtatshëm për t’u mbrojtur.”

Chris Patten, ish kryetar i Partisë Konservatore, ishte mjaft kritik për aleancën parlamentare që zonja May po krijon të krijojë me partinë fondamentaliste të Irlandës së Veriut, Unionistët Demokratë duke e quajtur atë si një përpjekje “të trishtueshme”. “Këta nuk janë njerëz të cilëve mund t’u besosh”, tha ai.

10 ligjvënësit unionistë do t’i japin zonjës May një shumicë të vogël në Dhomën e Komunave.

Ekzistojnë shqetësime në rritje se aleanca me Unionistët Demokratë rrezikon të rihap procesin e paqes me Irlandën e Veriut, që mbështetet tek qeveria britanike, e cila vepron si ndërmjetës neutral ndërmjet Unionistëve Demokratë dhe partisë nacionaliste katolike, Sinn Fein.

Republikanët irlandezë dënuan të hënën marrëveshjen zgjedhore që po diskutohet mes unionistëve dhe konservatorëve, duke paralajmëruar se ajo do të "përfundojë keq". Irlanda e Veriut ka qenë pa një administratë të transferuar për tre muaj pas dështimit të ndarjes së pushtetit si rezultat i mosmarrëveshjeve mes Unionistëve Demokratë dhe Sinn Feinit./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat