CPJ e dënon ambientin “armiqësor” ndaj shtypit në Ukrainë

Evropë

CPJ e dënon ambientin “armiqësor” ndaj shtypit në Ukrainë

Më: 15 gusht 2017 Në ora: 19:54
CPJ

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) e ka dënuar “keqtrajtimin” e gazetarëve në Ukrainë, pasi shërbimet e sigurisë i kanë bastisur zyrat e një faqeje të pavarur të lajmeve në Internet dhe pasi një anëtar i parlamentit e ka kritikuar shefin e Bashkësisë së shtypit kombëtar për përgjigjen e tij ndaj bastisjes.

Autoritetet e Ukrainës duhet “ta përfundojnë keqtrajtimin” e faqes, Strana.ua.com, dhe ta “ndalin shkaktimin e ambientit armiqësor ndaj shtypit”, tha Nina Ognianova, koordinatore e CPJ-së për Evropë dhe Azinë Qendrore, në një kumtesë të djeshme.

Kjo faqe ka njoftuar se agjentët e shërbimeve të sigurisëi kanë bastisur kapacitetet në Kiev dhe shtëpitë e dy gazetarëve të vet, javën e kaluar, në kuadër të hetimeve lidhur me akuzat se kjo faqe ka zbuluar informacione sekrete qeveritare.

Kjo bastisje ishte kritikuar nga Serhiu Tomilenko, kryesues i Unionit kombëtar të gazetarëve në Ukrainë, i cili, nga ana tjetër, është akuzuar nga deputeti, Dmytro Tymchuk, se i mbështet aktivitetet kundër Ukrainës.

CPJ e ka cituar Tomilenkon që ka thënë se prej atëherë ai kishte marrë mesazhe kërcënuese në mediat sociale.

“Politikanët po krijojnë atmosferë helmuese për media duke i ndarë gazetarët ukrainas në patriotë dhe jopatriotë, në vend se ata të inkurajojnë paraqitje të pikëpamjeve më të gjëra për informim të publikut”, tha Ognianova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat