Terroristët e Barcelonës planifikonin sulme më të mëdha

Evropë

Terroristët e Barcelonës planifikonin sulme më të mëdha

Më: 18 gusht 2017 Në ora: 21:58
Sulmi në Barcelonë

Autorët e masakrës së Barcelonës dhe sulmit që pasoi në qytezën Cambrils kishin planifikuar atentate më të mëdha se ato që kryen. Lajmi u bë i ditur nga policia spanjolle sipas së cilës shpërthimi i dy ditëve më parë në jug të Barcelonës i la terroristët pa material eksploziv, kësisoj ata zgjodhën planin B duke kryer sulmin me furgon.

Autoritetet spanjolle konfrimuan se shoferi i furgonit që shkaktoi masakrën është mes 5 terorristëve të vrarë. Por ai nuk është 17-vjeçari Moussa Oukabir. Ky i fundit së bashku me 3 të rinj të tjerë janë kthyer në personat më të kërkuar në Europë. Autoritetet spanjolle lajmëruan ato franceze pasi dyshohet se 4 terroristët mund të kenë kaluar kufirin dhe kanë hyrë në Francë.

Moussa Oukabir, personi që mori me qira furgonin në emër të vëllait Dris, njihej për prirje xhihadiste. Në këtë postim në rrjetet sociale ai bën thirrje për vrasje të të pafeve dhe shkruan se vendi ku nuk do të jetonte kurrë është Vatikani.

Policia ka arrestuar deri tani 4 persona, mes të cilëve edhe vëllain e Moussa Oukabir, i cili fillimisht u raportua si autori i masakrës. Në këtë video shfaqen pamjet e arrestimit të njërit prej të dyshuarve. Dhjetëra qytetarë shprehin zemërimin e tyre ndaj tij.

Furgoni i terroristëve hyri pasditen e të enjtes në shëtitoren e njohur “Las Lambras”. Terroristi në timon përshkoi 600 metra duke bërë zig-zag-e në mënyrë që të vriste sa më shumë njerëz. Ai u ndalua më pas në stacionin e metrosë në fund të rrugës.

Kur ishte ende e paqartë panorama e sulmit të parë, 100 km më tej në plazhin e  Cambrils policia u ndesh me një tjetër sulm. 5 terroristë, të cilët mbanin veshur jelekë të rremë shpërthyes, sulmuan policinë e cila u kundërpërgjigj duke i lënë të vdekur në vend.

Spanja shpalli 3 ditë zie kombëtare në kujtim të viktimave. Dhjetëra mijëra njerëz, mes tyre kryeministri Rahoi dhe Mbreti Felipe i VI, mbajtën 1 minutë heshtje në kujtim të të vrarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat