Si të zhvillosh një luftë informacioni

Evropë

Si të zhvillosh një luftë informacioni

Më: 19 shtator 2017 Në ora: 00:33
ilustrim

“Një mësim i qartë është se propaganda nuk mund të lufohet me propagandë”, thotë Tetiana Popova. “Nëse e bën këtë, humbet besueshmërinë për vete dhe vë të gjitha faktet në dyshim”, shton ish-zëvendës ministrja ukrainase për politikat e informimit. “Këtë kërkon Rusia”, thekson ajo.

Tani, në një funksion të ri me një organizatë joqeveritare për median “Information Security” Popova rikujton për Zërin e Amerikës, rolin e saj në fushatën e Ukrainës për t’iu kundërvënë propagandës ruse gjatë 18 muajve që ajo ushtronte postin ministror. Pjesërisht falë saj ushtria e Ukrainës krijoi një program për gazetarët që të shoqëronin ekipet luftuese për të mbuluar konfliktin në pjesën lindore të Ukrainës.

Ajo ishte një nga faktorët që mundësuan ndërrimin dhe modernizimin e infrastrukturës së transmetimit për stacionet televizive në rajonin e Donbasit në mënyrë që banorët lokalë në zonën e konfliktit të pushtuar nga seperatistët pro-rusë të kishin mundësi të ndiqnin edhe burime të tjera, dhe jo vetëm lajmet nga stacionet ruse të kontrolluara nga Kremlini, por të kishin qasje tek një spektër më i gjerë informacionesh dhe mendimesh.

Si shumë ekspertë të medias në Evropë, Popova shqetësohet se Rusia është duke e shfrytëzuar lirinë e fjalës si mjet lufte kundër Perëndimit dhe po përdor mjete demokratike të informimit si Twitter si armë në një luftë hibride.

Vetem disa vite që nga rrëzimi nga pushteti i ish presidentit pro-rus Viktor Yanukovych falë protestave popullore të vitit 2014, Popova ka vënë re një reagim më të shpejtë nga propagandistët rusë. Fillimisht, thotë ajo, disinformimi ishte i papërpunuar.

Si shembull, ajo thekson numrin e shpeshtë të fotove dhe videove nga Siria, Iraku dhe Afganistani që shfaqeshin në ekranet e televizioneve ruse për të cilat thuhej se ishin filmime nga lindja e Ukrainës. “Ata publikuan ngjarje të tjera të rreme rreth djemve të kryqëzuar apo vazjave të përdhunuara, si ngjarja e rreme në Gjermani për vajzën ruso-gjermane me emër Lisa, për të cilën u njoftua se ishte përdhunuar nga imigrantët arabë”, thotë Popova.

“Tani, ata janë më të rafinuar, duke nxjerrë jashtë konteksti një ngjarje të vërtetë apo faktet dhe duke e manipuluar atë, duke i dhënë formë për audiencat e tyre mbi të cilat duan të kenë ndikim”, thotë ajo.

Gjatë javëve të fundit ka patur zëra në Evropë rreth fushatave të shumfishta disinformuese nga rusët, që me sa duket kanë patur qëllim ndërhyrjen në zgjedhjet në Amerikë dhe Evropë dhe të ndikojnë në Perëndim tek opinioni publik, i cili është përfshirë në një klimë të ndezur politike.

Zyrtarët perëndimorë dhe grupe vëzhguese të medias thonë se propagandistët rusë janë të shkathët në përdorimin e teknologjisë së re informative për të koordinuar raporte nëpër platforma të ndryshme, që nga televizioni, radio, media sociale apo e shtypur, për të përforcuar dhe ricikluar njoftimet e tyre me shpejtësi të habitshme.

Por zyrtarët rusë hedhin poshtë me ngulm akuzat se po bëjnë propagandë të tillë, apo se po përdorin numra llogarie të rreme apo programe kompjuterike për të përhapur dhe përshpejtuar propagandën dhe dezinformimin në median sociale si Twitter.

Rusët po ashtu janë akuzuar për financimin e partive dhe organizatave kundër Bashkimit Evropian në Perëndim dhe transmetimin e “lajmeve të rreme” në rrjetet mediatike të drejtuara nga Kremlini si Russia Today dhe Sputnik.

Por në një intervistë javën e kaluar në New York Times, Dmitri Peskov, sekretari i shtypit i Presidentit Vladimir Putin, mburrej, “Tani, mund t’u dërgosh informacion qindra milionë njerëzve brenda një minute”. Ai hodhi poshtë pretendimet se Rusia po bënte një luftë informacioni të nxitur prej saj, duke i karakterizuar veprimet ruse si “kundërveprim”.

Javën e kaluar, Facebook bëri të ditur se i kishte shitur pa dashje një kompanie të fshehtë ruse reklama që kapin shumën prej 100 mijë dollarësh, e cila kishte në shenjestër votuesit amerikanë. Reklamat me përmbajtje kundër imigratëve mund të kenë mbërritur tek 70 milionë përdorues në Facebook – një audiencë e madhe me një kosto relativisht të vogël.

Zyrtarët amerikanë tani po analizojnë nëse agjencia e lajmeve Sputnik, që varet nga Kremlini, shkeli Aktin e Regjistrimit për Agjentët e Jashtëm në Shtetet e Bashkuara, duke vepruar si krahu i propagandës së Kremlinit në Amerikë. Kur u njoftua se ishte hapur një proces që po analizonte veprimet e Sputnikut, Moska u kanos për hakmarrje ndaj asaj që e quajti “veprim revoltues nga pala amerikane”.

“Presioni i autoriteteve amerikane ndaj agjencisë ruse të lajmeve është një shkelje e qartë e angazhimeve ndërkombëtare lidhur me lirinë e shprehjes dhe aktiviteteve mediatike”, u ankua zëdhënësja e Ministrisë së Jashtëme të Rusisë, Maria Zakharova javën e kaluar.

Ankesa e saj është hedhur poshtë nga analisti politik ukrainas Oleksy Garan, profesor në Universitetin Kombëtar të Kievit. “Rusët po përdorin demokracinë për të minuar demokracinë”, thotë ai. “Ata po përdorin rregullat demokratike të lojës në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara për të destabilizuar demokracinë.” Ai thotë se Kremlini ka tre objektiva kryesore në luftën informative.

“Synimi i parë është opinioni publik në Rusi, sepse është e nevojshme për Putinin që të justifikojë atë që po bën dhe të shtojë popullaritetin e tij në vend. Propaganda është efikase falë dominimit të Kremlinit mbi stacionet televizive në Rusi”, thotë ai.

“Në Ukrainë, rusët po përpiqen të formojnë një propagandë përmes idhtarëve pro-rusë në televizon dhe median sociale. Ata zgjedhin disa lajme jo thelbësore ose krijojnë lajme të rreme dhe pastaj përpiqen t’i përhapin në mënyrë që të bëhet lajm në rrjetet kryesore. Dhe përfundimisht, Perëndimi është një objektiv tjetër, ku rusët duan të krijojnë përçarje dhe të minojnë marrëdhëniet transatlantike. Ata po vazhdojnë strategjinë e vjetër sovjetike me mjete dixhitale”, thotë ai.

Zoti Garan argumenton se qeveritë perëndimore po vetëpërmbahen shumë në reagimin e tyre. Ato duhet të ndjekin disa prej hapave të ndërmarrë nga qeveria e Ukrainës për të kufizuar rrezikun e propagandës ruse.

Majin e kaluar, presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko lëshoi një dekret për bllokimin e disa rrjeteve popullore ruse të medias sociale, përfshirë Yandex, ekuivalentin rus të rrjetit Google, dhe Vkontakte. Rrjetet ruse kanë apeluar vendimin në gjykata dhe ende janë të hapura për përdoruesit në Ukrainë deri në vendimin e gjykatës.

Në vitin 2014, Ukraina ndërmori një masë paralizuese ndaj kanaleve televizive ruse, në bazë të të cilit asnjë entitet ukrainas nuk mund të ketë marrëdhënie ekonomike me to, gjë që faktikisht do të thotë se kompanitë e internetit dhe ato kabllore në Ukrainë nuk mund të transmetojnë kanalet televizive ruse.

Zonja Popova e mbështet bllokimin e stacioneve televizive, duke thënë se nuk dëmton lirinë e shprehjes në Ukrainë pasi ukrainasit ende mund t’i shikojnë këto kanale përmes satelitit apo në mënyra të tjera. Ajo thotë se ndalimi i medias duhet vendosur nga gjykatat dhe jo qeveritë dhe se shoqëritë e hapura nuk duhet të kufizojnë lirinë e shprehjes.

“Ajo që funksionon më së miri është lejimi i gazetarëve të bëjnë punën e tyre”, thotë ajo. “Universitetet dhe organizatat jo-qeveritare po bëjnë një punë të mirë në monitorimin e medias ruse, por nevojitet më shumë”, shton ajo duke theksuar punën e rrjeteve për kontrollin e fakteve në Amerikë dhe Evropë, që shpesh financohen nga departamentet e gazetararisë dhe institutet hulumtuese.

“Në periudhën afatgjatë, ka rëndësi që të informohet publiku për të qenë më përzgjedhës në lajmet dhe burimet që ndjek; kjo duhet të fillojë që në shkolla me lëndë për median, por për këtë duhet kohë”, thotë ajo./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat