Turma e mbështetësve e liron Saakashvilin - Bota Sot
Turma e mbështetësve e liron Saakashvilin

Evropë

E shtunë, 16 dhjetor 2017

Turma e mbështetësve e liron Saakashvilin

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 13:59
Kiev, 5 dhjetor 2017

Mbështetësit e ish-presidentit të Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, e nxorën atë nga furgoni i policisë, pasi forcat ukrainase të sigurisë bastisën apartamentin e tij në Kiev, e tërhoqën zvarrë nga çatia dhe e arrestuan.

Në një përplasje dramatike midis policisë dhe qindra protestuesve, të cilët bllokuan rrugët në përpjekje për t’i penguar autoritetet që ta largojnë Saakashvilin, ky i fundit u tërhoq nga furgoni, me gjithë rezistencën e policisë, dhe bëri thirrje për largimin nga pushteti të presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko.

“Ju bëj thirrje të nisni protesta paqësore për largimin e Poroshenkos. Nuk duhet të frikësoheni nga asgjë”, i tha Saakashvili turmës.

Ky zhvillim vjen pasi agjentët e zbatimit të ligjit hynë në apartamentin e Saakashvilit, njëherësh ish-guvernator i rajonit të Odesës, dhe e arrestuan atë nën akuzat se ka lidhje lidhje kriminale me ish-presidentin e Ukrainës, Viktor Yanukovych, i cili është rrëzuar nga pushteti.

Dy ditë më parë, Lëvizja e Forcave të Reja e Saakashvilit ka organizuar një tubim masiv në Kiev, duke kërkuar shkarkimin e Poroshenkos.

Protestat fillimisht janë thirrur nga Saakashvili, dikur aleat i Poroshenkos, por atyre u janë bashkuar më pas shumë liderë të partive politike opozitare.

Nga viti 2004 deri më 2013, Saakashvili ka qenë president i Gjeorgjisë, ku tani kërkohet nën dyshimet se ka bërë përpjekje të organizojë grushtshtet, pasi ka dalë nga zyra. Saakashvili i mohon akuzat.

Në vitin 2015, ai është emëruar nga Poroshenko guvernator i rajonit Odesa dhe ka dorëzuar shtetësinë gjeorgjiane për të marrë postin.

Megjithatë, Saakashvili ka dhënë dorëheqje në nëntor, 2016, duke thënë se përpjekjet e tij për reforma janë bllokuar nga aleatët e Poroshenkos.

Saakashvilit më pas i është marrë shtetësia ukrainase nga Poroshenko - vendim të cilin Saakashvili e ka sfiduar në gjykatë.

Poroshenko tha se qëllimi i vërtetë i organizatorëve të protestave është të destabilizojnë Ukrainën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test